Liverpul ashtu si dy skuadrat “big” të kampionatit Spanjoll, Real Madrid dhe Barcelona, rrezikon të dënohet me bllokim të merkatos ose me gjobë të mjame. E gjithë kjo për arsyen se 5 herë kampionët e Europës mund të kenë thyer rregullat për transferimin e lojtarëve nën moshën 18 vjeç.

Lajmi publikohet nga e përditshmja britanike “Daily Telegraph”, sipas të cilit, drejtuesit e Premier League kanë nisur hetimet ndaj klubit të “The Reds” që tentoi të sigurojë në mënyrë të parregullt një futbollist 12 vjeçar të akademisë së Stoke City, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Stoke kishte një kontratë me futbollistin në fjalë për të cilin kishte paguar edhe tarifat e shkollës, ndërkohë që prindërit e tij dëshironin që këto pagesa të bëheshin edhe nga drejtuesit e Liverpool.

Në fillim, Liverpooli pranoi që të bëjë këtë pagesë deri në momentin që futbollisti të mbushte 16 vjeç, por më pas e tërhoqi ofertën e tij. Kjo për faktin se klubi anglez e kuptoi se me rregulloren e re ai duhej të paguante për arsimimin e të gjithë fëmijëve të akademisë së tij.

Si përfundim, futbollisti i ri mbeti pa skuadër ndërkohë që shpenzimet për pagesën e tarifave mbetën në llogari të prindërve të tij të cilët u ankuan te drejtuesit e Premier League, të cilët nisën edhe hetimet. Mësohet se Liverpooli po bashkëpunon në këto hetime, por futbollisti nuk do të mund të nënshkruajë në asnjë klub tjetër deri në momentin kur “The Reds” t’i paguajnë Stoke shifrën prej 57 mijë eurosh si dëmshpërblim.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb