TIRANE-  Konferenca Gjyqësore Kombëtare ka zgjedhur 4 anëtarët e rinj të KLD-së gjatë mbledhjes së sotme.


Mësohet se Petrit Çomo ka marrë 238 vota, Eneida Civici 227 vota, Brunilda Kadi, 221 vota dhe Gerd Hoxha 214 vota. Pra të katër kandidatët kanë marrë mbi 208 vota që ishte kufiri.


Më herët gjatë mbledhjes pati retorika mbi korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sidomos të shpeshta ishin komentet e ambasadorëve të huaj ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.


E gjithë kjo retorikë ka krijuar idenë se shumica e njerëzve të drejtësisë është e korruptuar dhe kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është dakord.

“Sistemi i drejtësisë në vend, si çdo hallkë, nuk është imunizuar nga korrupsioni. Disa raste gjyqtarësh dhe prokurorësh të vënë nën akuzë janë dëshmi e kësaj. Por përgjithësimi nuk është veprimi i duhur. Janë këta prokurorë dhe gjyqtarë që kanë vendosur nën akuza të rënda deputetë dhe po hetojnë zyrtarë të lartë të akuzuar për dëme me vlerë miliona euro,” tha Llalla.

Kurse kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.

“Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”, tha Zaganjori.

Ai tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: