• * Të 9 të zgjedhurit kanë qenë të angazhuar në hetimin e çështjeve kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë

TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, propozon te Presidenti Bujar Nishani dekretimin e nëntë prokurorëve të rinj për vendet vakante në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Nëntë oficerë të Policisë Gjyqësore janë propozuar për prokurorë në prokuroritë e rretheve Dibër, Sarandë, Mat, Pukë, Tropojë, Kurbin, Gjirokastër, Kukës dhe Krujë.

Procedura e konkurrimit me shkrim për 49 kandidatët, është zhvilluar të enjten më 29 tetor në ambientet e Prokurorisë së Tiranës. Burimet nga prokuroria bënë me dije se kësaj radhe në konkursin për nëntë vendet vakante ka pasur disa ndryshime në procedurë krahasuar me konkurrimet e mëparshme. Pavarësisht numrit të madh të vendeve vakante, mësohet se kësaj radhe ishte rritur pragu i pikëve, me të cilat kandidatët do ta kalonin testimin me shkrim.

Një ndryshim tjetër ka qenë se nga 20 modele tezash në konkursin e mëparshëm, së fundi janë përdorur vetëm pesë teza duke ngushtuar kështu modelin e pyetësorëve. Dhjetë kandidatët që kanë marrë pikët më të larta në testin me shkrim, kanë kaluar në fazën e dytë të konkurrimit, që është seanca dëgjimore para Këshillit të Prokurorisë.

Kjo seancë është zhvilluar të premten datë dt.30.10.2015 dhe në përfundim, Këshilli ka propozuar listën me emrat e kandidatëve që kanë marrë pikët më të lartë në dy fazat e testimit. Më pas, Prokurori i Përgjithshëm i ka propozuar për dekretim tek Presidenti i Republikës, emrat e mëposhtëm: Emror Kasaj, Elidon Hysenaj, Mirela Kapo, Alma Bramo, Urim Buci, Jonad Bara, Gëzim Çopa, Erjon Shqarri dhe Bledar Valikaj.

Të propozuarit janë shumica nga Njësia e Specializuar Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës, si dhe oficerë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kandidatët kanë mbi 10 vite eksperiencë pune. Të gjithë kanë qenë të angazhuar në hetimin e çështjeve kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb