Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj ka reaguar pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili kërkoi heqjen e mandatit të tij. Në një status në “Facebook”, Zotkaj thotë se nuk ka lidhje e as ka konsumuar kurrë vepra penale, krime nga ata që listohen në ligjin e dekriminalizimit.

Ai thotë se Prokuroria ka thuajse një vit që kërkon në gjithë botën fakte për të por nuk ka gjetur asgjë. Zotkaj deklaron se qytetarët e kanë zgjedhur për katër mandate rresht lirish edhe kur në pushtet ka qenë Sali Berisha.

Ai sqaron edhe të vërtetën e ‘dënimit’ të tij para viteve ’90, ndërsa i thotë kryeprokurorit Llalla se përgjigjen do ta marrë më 18 qershor me fitoren e PS-së dhe Edi Ramës.

“Të nderuar bashkëqytetarë,
jam zgjedhur kryetar i bashkisë së këtij qyteti për katër mandate rresht; populli ka votuar lirisht, madje kur në pushtet nuk ka qenë Partia ime, Partia Socialiste por Partia Demokratike, Sali Berisha.
Qytetarët më kanë zgjedhur për punën, shërbimin tim ndaj tyre. E kanë patur të thjeshtë të ishin me pushtetin, pra me qeverinë, por, më zgjodhën mua dhe unë, me shpirt e pasion, punë të përditshme kam bërë gjithçka për të ndryshuar jetën e jetesën e tyre me ndihmën e Edi Ramës.

Nisur nga ky fakt, deklaroj publikisht dhe mbaj përgjegjësi për këtë, unë nuk kam lidhje e as kam konsumuar kurrë, vepra penale, krime nga ata që listohen në ligjin e Dekriminalizimit. Po e përsëris, asnjë krim e asnjë lidhje me ndonjë krim. Pikërisht se është kështu, por edhe për faktin se Prokuroria ka thuajse një vit që kërkon në gjithë botën për mua e nuk gjen asnjë fakt, qoftë edhe minimal, e konsideroj qesharake kërkesën e prokurorit televiziv, jo ligjor, për të më ndërprerë mandatin për një gjobe 200 lekëshe, me të cilën jam dënuar si i mitur nën diktaturë.

Dua të sqaroj se këtë dënim e kam deklaruar vetë në KQZ ashtu si dhe 19 deputetë të tjerë, si Sali Berisha, Ristani, Ndoka etj, pa ma kërkuar ky institucion apo dhe vetë prokuroria. Dokumentet janë ligjore dhe janë në KQZ, kurrkund tjetër. Çdo përpjekje tjetër, nxitur nga prokuroria politike e Shqipërisë, duke përdorur kriminelë ordinere, është krim më vete, s’ka lidhje fare me mua, por vetëm për qëllime elektorale.

Unë jam njohur nga media me këtë përpjekje të re, të ulet e kriminale, nuk fshihem dhe do përballem publikisht e ligjërisht me këtë krim po aq ordiner sa ordiner është i akuzuari i prokurorisë që është blerë në këtë përpjekje kriminale.
Tashmë jam mësuar, që në çdo fushatë elektorale të më bëjnë kriminel, më pas çdo gjë harrohet sikur s’ka ndodh kurrë!
Për të gjithë ata që mundohen të baltosin figurën time ju them se;
Përgjigjen më të mirë do ta merrni në 18 Qershor me fitoren e PS dhe Edi Ramës. Adriatik Zotkaj”, deklaron kreu i Bashkisë së Poliçanit.

Tre ditë më parë, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi nga Gjirokastra se Prokuroria ka kërkuar t’iu hiqet mandati dy kryebashkiakëve të Poliçanit dhe Tepelenës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas Llallës këta kryebashkiakë nuk kanë deklaruar dënime, të cilat mund t’iu hiqnin të drejtën për ushtrimin e profesionit.
Pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm reagoi edhe kryebashkiaku i Tepelenës i cili mohoi të jetë dënuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb