ELBASAN

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla prezantuan prefektin e ri të Qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja. Në takim merrnin pjesë Kryetarët e Bashkive të Qarkut të Elbasanit, prefektët e disa qarqeve të vendit, nënprefektë dhe drejtorë të drejtorive.

Lleshi dhe Balla uruan prefektin e ri për detyrën duke mos kursyer vlerësimet për prefektin në largim. Lleshaj vuri në dukje detyrën e rëndësishme të prefektit si përfaqësues direkt i qeverisë.

“Tashmë nën drejtimin e Z. Llatja, prefektura e Elbasanit, jo vetëm do të thellojë një eksperiencë të krijuar prej vitesh, por do të intensifikojë rolin shumë të rëndësishëm që ka prefekti si përfaqësues i Kryeministrit në terren. Prefekti duhet të verifikojë çdo problematikë që lidhet me shërbimet në të gjitha fushat, po të kemi parasysh gjithashtu që në këto ditë të ftohta dimri kemi ende fshatra që janë nën pushtetin e dëborës, akullit dhe bllokimit të rrugëve. Detyra e menjëhershme e Z. Llatja, si drejtues i Shtabit të Emergjencave Civile është t’u gjendemi të gjithë atyre njerëzve që kanë nevojë për prezencën tonë. Unë jam i bindur se Kryeministri ka bërë një zgjedhje shumë të mirë në emërimin e prefektit të ri të Elbasanit. I uroj Z. Llatja vetëm sukses, duke shprehur bindjen që Elbasani, për shkak të rëndësisë së vet gjeostrategjike, e kishte të nevojshëm edhe një djalë me shumë energji sikurse është Z. Llatja.”- tha Taulant Balla.

Menjëherë pas marrjes së detyrës prefektit të ri do ti duhet të përballet me kushtet e vështira të motit dhe disa zona të qarkut të Elbasanit.

Vlerësime për bashkëpunimin me Malajn dhe besim për ecurinë e mëtejshme nën drejtimin e Llatja, shprehu edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Ish prefekti Maksim Malaj sipas ministrit Lleshaj do emërohet në një tjetër detyre të rëndësishme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb