Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka inauguruar sot godinën e Policisë Kufitare në Han të Hotit. Nga kjo pikë kufitare, ministri Lleshaj ka deklaruar se do të përmirësohen të gjitha portat hyrëse të Shqipërisë, duke i bërë ato dinjitoze dhe të rregullta.

Sipas tij, pika kufitare e Hanit të Hotit është kompletuar në infrastrukturë, por tani duhet të kompletohet edhe në shërbim. Lleshaj ka theksuar se do të ketë një investim 45 milionë lekë për krijimin e kushteve për të përmirësuar nivelin e cilësisë së shërbimit në pikat kufitare.

“Ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë, ato duhet të jenë dinjitoze, të lira për kalimin e rregullt dhe të pakalueshme për kalimin e parregullt. Sot kompletojmë këtë pikë kufitare dhe një nyje e rëndësishnme për vendin tonë. Kompletimi në infrastrukturë, por ajo që vjen është kompletimi në shërbim. Jo vetëm do ofrojmë shërbime moderne për qytetarët, por edhe të besueshëm. Investimi 45 milionë lekë krijon kushte për të përmirësuar nivelin e cilësisë së shërbimit tonë.

Të gjitha këto kanë impakt edhe te zhvillimi i turizmit. Fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe kemi një rritje thuajse 10% nga viti i kaluar të fluksit turistik. Me qëllim që të përballojmë më mirë flukset turistike, duhet të përgjigjemi me investime të shtuara, ndaj do modernizojmë të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Përveç investimit në infrastrukturë, e rëndësishme është investimi në procedurat e kalimit të kufirit, që mos të ketë fluks. Punonjësit e policisë kufitare duhet të jenë në lartësinë e duhur, me integritet të lartë profesional e moral”, ka deklaruar Lleshaj.

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në përurimin e ambienteve të reja të stacionit të Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit:

I nderuar z. Prefekt i Qarkut Shkodër,
Z. Ambasador i Shqipërisë në Malin e Zi,
Z. Drejtor i Përgjithshëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, më shumë për të dhënë një mesazh që ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë.

Qeveria shqiptare është e angazhuar që portat e hyrjes së Shqipërisë të jenë moderne, dinjitoze dhe funksionale, të lira për kalim të rregullt dhe të jenë të pakalueshëm për kalimin e parregullt.

Gati një vit më parë, këtu në Han të Hotit janë inauguruar ambientet e reja të Doganës dhe të Pikës së Kalimit Kufitar, në kuadër të programit IPA 2012, me një investim të BE në vlerën e 2.5 milionë eurove. Dhe sot ne bëjmë një fazë tjetër, inaugurojmë stacionin e Policisë Kufitare këtu në Hanin e Hotit dhe e kompletojmë këtë pikë dhe këtë nyje shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Është e rëndësishme që të themi që kompletim, do të thotë kompletim në infrastrukturë, ndërkohë që ajo që pason dhe ajo që ka vlerën më të madhe, është kompletimi me një shërbim cilësor, dinjitoz, profesional dhe të besueshëm. Dhe këtu është përgjegjësia dhe detyra e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, që nga qendra deri këtu, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen jo vetëm mjedise moderne, por edhe një shërbim po aq modern, po aq i besueshëm dhe po aq profesional.

Ambientet e reja do t’u japin mundësi agjencive ligjzbatuese që të kryejnë edhe më lehtë dhe me efikasitet të lartë menaxhimin të kufirit. Realizimi i këtij investimi vlen 45 milionë lekë, siç u përmend edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, krijon kushte pra për ta përmirësuar nivelin dhe cilësinë e shërbimit tonë. Të gjitha këto investimeve në fakt kanë edhe një impakt të rëndësishëm mbi turizmin në vend. Turizëm, i cili po zhvillohet me një ritëm të kënaqshme dhe duke marrë në konsideratë klimën jo krejt të favorshme që kemi pasur gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Megjithatë duhet thënë që fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe ne kemi një rritje pothuajse 10% në krahasim me vitin e kaluar të fluksit turistik në pikat tona të kalimit kufitar. Gjë që tregon për një tendencë të shëndetshme, në rritje, edhe një influencim minimal nga problematika e brendshme që ka njohur vendi gjatë kësaj periudhe.

Sigurisht që pika e Hanit të Hotit është vetëm njëra nga pikat kufitare, është vetëm një model, i cili do të duhet të vazhdoje më të njëjtën frymë, me të njëjtin intensitet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, me qëllim që të arrijmë që pikat e kalimit kufitar t’i përshtatim me kushtet e reja.

Është ende problematike gjendja për arsye se disa të vendit ende kemi infrastrukturën e fundit të viteve ’80, në kuptimin e volumit, të përmasave, të kapaciteteve të përpunimit.

Ndërkohë që flukset e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, krahasuar me këto vite kur ato janë ndërtuar, është rritur shumë e shumë herë dhe me qëllim që ne t’i përballojmë dhe menaxhojmë më mirë këto flukse turistike apo flukset e lëvizjes në kufijtë tanë, ne duhet ti përgjigjemi me investime të shtuara dhe Qeveria shqiptare është e angazhuar në kuadër të një programi të qartë për t’i modernizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar si këto me Malin e Zi që pothuajse janë kompletuar tashmë, por dhe në pika të tjera që kemi, kryesisht me Maqedoninë e Veriut dhe me Greqinë, të cilat kanë nevojë dhe do të përfshihen së shpejti në një program investimesh dhe modernizimesh.

Përveç investimit në infrastrukturë e rëndësishme është investimi në përmirësimin e procedurave dhe lehtësimin e kalimit në pikat kufitare, me qëllim që flukset të mos bllokohen, koha e pritjes të shkurtohet, por në të njëjtën kohë siguria të mos komprometohet.

Ne kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm me Republikën e Kosovës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku aplikimi i kontrollit të përbashkët i një kontrolli, ka bërë që koha e pritjes të ulet me 50 %.

Sigurisht kjo është një arritje e jashtëzakonshme, në qoftë se kemi parasysh se për çfarë kohësh pritje kemi njohur në të kaluarën tonë të afërt, por qëllimi ynë është që të vijë duke u reduktuar edhe më shumë për të arritur drejt atij destinacioni final që ne kemi për ta bërë zero kohën e pritjes në kufijtë tanë me të gjitha vendet me të cilat kufizohemi dhe që të ndodhi kjo, do të na duhet që të rrisim shumë profesionalizmin oe punonjësve të Policisë kufitare, të cilët duhet të shndërrohen në një model profesionalizmi, integriteti për të gjithë Policinë e Shtetit dihet që në pikat e kufirit ne prezantojmë Shqipërinë.

Pikat tona të kalimit janë portat e Shqipërisë, por ju jeni njerëzit e parë të Shqipërisë me të cilët ballafaqohet çdo vizitor i këtij vendi dhe kryesisht ju e dini që vizitohet nga turistë, apo janë dhe qytetarë të tjerë që lëvizin nëpër pikat tona të kufirit.

E rëndësishme është që në t’i përgjigjemi me një nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe integriteti.

Janë dy kritere të cilat janë të pashmangshme, që duhet të karakterizojnë çdo punonjës të Policisë së Shtetit të tërësi, por sidomos punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët duhet të jenë në lartësinë e këtij misioni shumë të rëndësishëm.

Duhet nivel i lartë profesional dhe për të cilin masat janë marrë dhe do të merren, duhet integritet i lartë profesional dhe moral dhe për këtë masat janë marrë dhe do të merren, besoj jeni në dijeni që dhe procesi i vettingut do t’i shërbejë këtij procesi dhe duhen kapacitete të mirëfillta të veçanta sa i përket aftësive të komunikimit, sidomos komunikimit në gjuhë të huaj, në gjuhën angleze, për arsye se ju jeni të parët shqiptarë me të cilët ballafaqohet çdo turist dhe çdo vizitor që i drejtohet Shqipërisë.

Është me rëndësi të them edhe faktin që në këtë proces shumë të rëndësishëm modernizimi, ne nuk jemi vetëm, por jemi në një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë kryesisht me ata europianë, është me rëndësi të ritheksojmë dhe vlerësojmë faktin që fillimi i operacionit të përbashkët për kontrollin dhe menaxhimin e kufijve të Shqipërisë në bashkëpunim me FRONTEX si operacioni i parë që kjo agjenci e Bashkimit Europian kryen jashtë BE-së, është një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur nivelin e bashkëpunimit, nivelin e shkëmbimit të informacionit dhe të përvojës për krijimin e besimit të domosdoshëm që ne duhet të kemi me partnerët tanë europianë dhe është po ashtu një hap mjaft i rëndësishëm në drejtim të integrimit real të vendit tonë në strukturat e BE.

Unë jam i ndërgjegjshëm që skeptikët nuk lodhen kurrë së dyshuari edhe së shprehuri negativisht edhe atëherë kur duhet të shprehen pozitivisht.

Kam ndjekur këto ditë, me një farë keqardhje disa njoftime, të cilat e përkthejnë ardhjen e agjencive europiane në Shqipëri, si shenjë dyshimi ndaj Shqipërisë, ndërkohë që është e shpallur botërisht nga vetë BE, edhe nga ne, që ardhja e tyre në Shqipëri është shenjë besimi, shenjë e një hapi të rëndësishëm integrimi të Shqipërisë drejt strukturave të BE, dhe dje patëm mundësinë, që pas FRONTEX të hapim edhe zyrën e EUROPOl, si të thuash të kompletojmë praninë europiane në Shqipëri sa i përket institucioneve të sigurisë publike dhe policisë; dhe ky është një lajm jashtëzakonisht i madh, i cili duhet të na bëjë krenarë që ne tashmë “de facto” jemi të ndërlidhur ngushtësisht me strukturat europiane përgjegjëse për sigurinë.

Jemi në pararojë të institucioneve të tjera shqiptare sa i përket kësaj ndërthurjeje dhe këtij integrimi, i cili do të sjellë rezultate të jashtëzakonshme.

Megjithatë dua të them, duke e mbyllur, sfida jonë në fushën e menaxhimit të kufijve rritet përditë e më shumë për arsye se për fat të mirë, flukset e lëvizjeve drejt Shqipërisë rriten në mënyrë eksponenciale.

Nëqoftëse në vitin 2009 në kufijtë e Shqipërisë lëviznin gjithsej 9 milionë qytetarë, në vitin 2018 lëvizën 23 milionë dhe siç ju thashë, në vitin 2019 deri tani ne kemi një rritje 10 % në krahasim me vitin 2018 të këtij fluksi, dhe tendenca është përsëri në rritje.

Do të thotë që volumet e punës do të shtohen, sfida do të shtohet dhe e vetmja mënyrë për t’ju përgjigjur kësaj sfide është angazhim serioz i gjithë strukturave të policisë për ta përballuar me dinjitet dhe me profesionalizëm këtë shërbim të lartë që ju bëjmë qytetarëve tanë dhe që u bëjmë të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë.

Unë ju falënderoj, ju uroj që ta gëzoni këtë stacion të ri të policisë këtu dhe të vijoni të përmbushni me sukses dhe përgjegjësi detyrën tuaj të lartë. Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb