Menjëherë pasi kreu demokrat Lulzim Basha mbajti konferencë për mediat, ku hodhi akuza edhe në drejtim të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshit, duke thënë se numri një i Ministrisë së Brendshme duhet të jetë në burg, ka reaguar Lleshaj.

Ai thotë se Basha është një i pandehur i shumëfishtë që ka degraduar.

“Lulzim Basha vazhdon të hedhë natën zjarr dhe ditën kërcënime kundër shkollave, zgjedhjeve, Policisë etj. Natën bëhet guerrilas dhe ditën prokuror, ndërkohë që është thjesht një i pandehur i shumëfishtë. Keqardhje për degradimin”, shkruan Lleshaj.

Kryedemokrati Lulzim Basha nga selia e PD-së i tregoi sot burgun ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj të cilin e quajti veglën më të ftohtë të Ramës, por edhe oficerit të policisë, Roland Hasa që çoi në qeli ish-deputetin e PD-së Bardh Spahia.

“Ata që i shërbejnë në mënyrë të verbër Ramës le ta dinë që ai nuk iu mbron dot më, kur dhunoni njerëz mos harroni nesër do ta provoni në palcë forcën e drejtësisë. Sandër Lleshaj, vegla më e ftohtë dhe e pashpirtë e Edi Ramës shkëlqen me shërbim e tij teksa nxit vëllavrasjen, dhunimin dhe persekutimin mes shqiptarëve. Secili prej jush nga Ardi Veliu deri tek Roland Hasa me shokë edhe ju do të jeni në burg shumë shpejt. Në qelinë ku është Bardh Spahia do jetë njëri prej jush. Në qelinë ku ndodhen nëna e baballarë do të jeni ju”,- tha Basha.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb