Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim në Himarë me përfaqësues të Task Forcës.


Lleshaj në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga Prefekti i Vlorës, si dhe Kryetari i Bashkisë. Ai tha se policia dhe agjencitë ligj-zbatuese po marrin masa për mbarëvajtjen e sezonit turistik.


Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:


Himarë – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku mori pjesë Prefekti i Vlorës, Kryetari Bashkisë, drejtues të agjencive lokale dhe të policisë vendore e kufitare:

Përshëndetje,

kam ardhur në kuadër të inspektimeve që zhvillojmë e gjithë Qeveria, në pjesën e plazheve për arsye se kjo stinë, ky sezon konsiderohet mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Turizmi është një ndër motorët kryesorë të ekonomisë dhe detyra e përgjegjësia jonë është të ofrojmë ato shërbime që duhen që ky proces të funksionojë normalisht.

Për fatin e mirë, apo të keq, nuk e di, unë kam segmentin Vlorë-Himarë, që e mbulojmë bashkë me Kryeministrin si segment, ndërkohë që të gjithë Ministrat kanë nga një segment të caktuar, por këtë Vlorë-Himarë, sa për informacion, e ka Kryeministri dhe unë si përgjegjësi.

Për ne është mirë, nuk e di se si do të jetë për ju, sepse t’ju them të drejtën, me këto që dëgjoj dhe me informacionet që kam, nuk rezulton që kemi arsye për të qenë të kënaqur me shërbimin e ofruar dhe me punën e bërë.

Menaxhimi i fluksit turistik kërkon që institucionet përkatëse, agjencitë shtetërore dhe ato vendore, të kryejnë dhe të plotësojnë përgjegjësitë që kanë.

Së pari, në drejtim të sigurisë së jetës, sigurisë ushqimore, sigurisë shëndetësore, çështjet që kanë të bëjnë me evazionin fiskal.

Këto që dëgjoj nga ju, edhe raportet që kemi, evidentojnë shqetësime të rëndësishme, shqetësime që lidhen së pari me masat e marra për sigurinë e jetës. Ndoshta këtu s’kemi pasur incidente, por kemi pasur në segmente të tjera të plazheve, incidente edhe të rënda, humbje jete, për arsye të ndryshme, edhe për arsye shëndetësore. Por edhe për arsye shëndetësore është një problem, se dhe një atak që mund të ndodhë në kontaktin e parë me ujin është një problem për të cilin ne nuk mund të ngremë duart e të themi, – po ja, e ka fajin vetë ai që u fut, se s’di!

Detyra është që të mundohemi që qytetarëve, publikut t’i ofrojmë ndihmë, këshillim, mbështetje e kështu me radhë.

Sa i përket sigurisë së jetës, me shqetësim të madh mbetet vendosja e personelit në kullat e vrojtimit në të gjitha plazhet.

Të gjithë këta operatorë që operojnë në stacione plazhi, duhet që të ofrojnë shërbimin e duhur të sigurisë për klientët e tyre. Ata klientë, të cilët paguajnë të gjithë tek këta operatorë plazhi dhe për më tepër kur kemi operatorë plazhi, të cilët thjesht kanë zaptuar një segment plazhi, dhe publikut, shtetit, bashkisë i paguajnë zero lekë.

Pra të gjitha paratë që mbledhin nga pushuesit i fusin në xhep dhe u ofrojnë asgjë. Dhe kjo situatë nuk ka nevojë as të spjegohet, nuk ka asnjë mirëkuptim.

Po ju them të gjithëve, administratorët që kanë përgjegjësi për këtë gjendje, do të mbajnë përgjegjësi të rëndë, dhe ndaj e kam Drejtorin e Policisë me vete, ndërkohë që pasdite në Vlorë do të kem drejtorin përkatës të Departamentit që vjen nga Tirana.

Për t’ju thënë një gjë të qartë, vija bregdetare e Shqipërisë është pronë e popullit shqiptar, e publikut. Ajo nuk mund të zaptohet për interesa private të kurrkujt. Dhe këtu s’ka shpjegim, nuk ka arsyetim. Aq më tepër kur ata që operojnë në vijën bregdetare, nuk ofrojnë as minimumin e përgjegjshmërisë që duhet të ofrojnë.

Të paguajë një student, ta lerë te kulla dhe t’i thotë të paktën t’i bjerë bilbilit ose sinjalizo nëse ka një incident, e dikush ka nevojë për ndihmë! Kaq, një minimum të tillë, ne nuk mund ta tolerojmë. Se nuk jemi në xhungël, jemi në një zonë urbane, ku duhet të ofrojmë shërbime dhe të ofrojmë siguri për qytetarët shqiptarë, për turistët e huaj, të cilët duhet ta ndiejnë që ky vend ka përkujdesje. Nuk të merr vetëm paratë, ai i hotelit, apo i restorantit, apo i plazhit atje, por dhe të japin diçka për ato që të marrin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sigurinë  e jetës.

I nderuar Prefekt,

i nderuar Kryetar i bashkisë, zoti Drejtor i Policisë,

nuk duhet të ketë tolerancë  as edhe një milimetër. Në qoftë se bashkia i toleron, sa i përket kontratës, po themi, nuk do t’u marrë parà atyre, dakord ne do të bëjmë sivjet sikur nuk e dimë këtë gjë, sivjet. Por sa i përket sigurisë se jetës, këtu nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, këtu duhet marrë masë urgjente. Kushdo ka një sektor, ka një stacion plazhi, duhet të ketë edhe një staf të caktuar për siguri dhe për shërbim të njerëzve, të cilëve ai u merr parà. Nuk po them pastaj që për ato parà, a taksohet, a lëshon faturë? Por siguria është një element, i cili nuk mund të tolerohet.

Sigurisht që përveç kësaj, mbeten me rëndësi të madhe edhe disa çështje të tjera. Se nëqoftëse ne lodhemi të gjithë që të kemi mbarëvajtje të turizmit, angazhojmë të gjithë administratën, të gjithë shëndetësinë, të gjithë policinë, të gjithë pjesën tjetër dhe, në fund, produkti i turizmit, shkon në xhepa privatë, pa u përkthyer në asnjë lloj takse, në asnjë lloj përfitimi publik, atëherë ç’kuptim ka?

Kush do ta paguajë angazhimin tuaj dhe të strukturave të tjera shtetërore, nëqoftëse ata që operojnë në plazh, në vijën e parë apo dhe në vijën e dytë, nuk japin asnjë parà për buxhetin, për publikun me një fjalë! Sepse, në një farë mase, që të funksionojë ky modeli këtu, duhet të funksionojë Prefekti, Kryetari i bashkisë, Tatimet, Taksat, Shëndetësia, Policia e të tjera me radhë. Këto funksionojnë, të gjitha i shërbejmë këtij (operatorit); po ky kujt i shërben? Vetëm vetes? Kjo nuk mund  të lejohet.

Kjo është çështja e dytë që lidhet me financat. Nuk mund të lejojmë evazion masiv, ndërkohë që ne masivisht jemi vënë në shërbim të funksionimit të këtij sistemi. Në qoftë se mijëra nëpunës të shtetit shqiptar janë në funksion të një turizmi që të ecë mirë, që të ketë pastërti, që të ketë shërbim shëndetësor, që të ketë siguri, qetësi, polici e të tjera me radhë, dhe operatorët të punojnë thjesht për vete, ky është absurd që nuk mund të lejohet. Pyetja e madhe është përse ndodhin këto? Janë “çmendur” operatorët apo jemi “çmendur” ne, administratorët?

Ka dy opsione për këtë. Thuhet nga njëra anë që janë “çmendur” operatorë të caktuar, të cilët bëjnë evazion, por ama thuhet dhe tjetra, që janë “çmendur” administratorët, të cilët bëjnë korrupsion.

Administratorë që bëjnë korrupsion, mbyllin sytë dhe nuk bëjnë detyrën. Dhe nuk e bëjnë detyrën, jo se nuk e dinë, jo se nuk kanë instrumentet ligjorë në dorë, por sepse nuk duan ta bëjnë, sepse kanë paguar një çmim të korrupsionit, kanë pranuar një çmim të korrupsionit dhe lejojnë pastaj që operatorë të caktuar të mos paguajnë taksat, ai tjetri t’i shmanget kushteve të cilësisë ushqimore, ai tjetri kushteve të sigurisë së jetës e kështu me radhë.

Prandaj dua t’ju them qartësisht, të nderuar anëtarë të kësaj Task Force dhe të pranishëm të tjerë, duhet të vlerësoni me seriozitetin maksimal dhe me përgjegjësinë më të lartë që ju jep detyra, këtë moment në të cilin ne jemi.

Nuk ekzistoni të gjithë ju për të bërë mbledhje, vetëm mbledhje; ekzistoni për të bërë verifikime në terren dhe për të ndryshuar gjendjen, pa shqetësuar ata që janë miqtë, dmth objekti kryesor që janë pushuesit, të cilët nuk duhet ta ndiejnë praninë e kurrkujt si shqetësim. Por ata që janë për shërbim, shërbëtorët, qoftë administrata qofshin bizneset duhet të jenë 24 orë në këmbë. 24 orë në këmbë duhet të jetë pronari i këtij hoteli, apo tjetri me radhë në mënyrë që sezoni të eci mirë dhe që nga sezoni të ketë përfitim publiku. Të ketë përfitim gjithë shoqëria, jo 3 vetë.

Sepse siç edhe e përsërita vija jonë bregdetare, është pronë publike. Ujërat e Shqipërisë janë pronë publike, dhe në qoftë se këto ujëra përdoren për të përfituar, për të gjeneruar të ardhura, këto të ardhura duhet të shkojnë edhe tek ata që i gjenerojnë, por edhe të publiku.

Duhet të teprojnë dy parà edhe për Pilurin lart që t’i bëhet rruga apo ujësjellësi, e kështu me radhë, pra kjo është ideja! Dhe kjo është përgjegjësia e secilit prej jush.

Në fakt duke e marrë në konsideratë situatën e përsëritur të informalitetit në vijën bregdetare, që prej vitesh vazhdon të jetë një situatë e agravuar informaliteti, ne jemi duke studiuar opsionet e tjera për të thënë që nëse, në përfundim, do të arrijmë në konkluzionin që bashkitë nuk arrijnë dot ta menaxhojnë vijën që iu është lënë në menaxhim; në qoftë se bashkitë na prodhojnë një nivel informaliteti të papranueshëm, siç është – (jo në Himarë, Himara është më mirë se sa bashkitë e tjera) – ne do të kërkojmë zgjidhje të tjera për t’iu thënë bashkive, meqenëse nuk e bëni dot këtë përgjegjësi, atëherë do të ngarkojmë një agjenci tjetër ose një strukturë tjetër shtetërore, e cila ta bëjë këtë me rreptësinë e padiskutueshme të ligjit.

Vija bregdetare e Shqipërisë është aset i qytetarëve  shqiptarë dhe duhet të përdoret në interesin e tyre dhe jo të feudalizohet në duar personash, të cilët nuk japin atë për të cilën ekzistojnë dhe duhet të jenë aty.

Kështu që jemi në pikun e sezonit, ju kërkoj impenjim maksimal, në qoftë se nuk doni të ballafaqoheni dhe të befasoheni nga masat, të cilat ligji i parashikon për secilin, që nuk e kryen dot ose nuk do ta kryejë dot këtë përgjegjësi dhe këtë detyrë për të cilën ekzistojnë në këto funksione.

Ndërhyrjet e Qeverisë, të organeve të tjera ligjzbatuese do të jenë të forta për të bërë këtë që po kërkojmë dhe kjo është fare e thjeshtë. Ligjshmëri dhe drejtësi në përdorimin  e këtyre aseteve unikale për vendin tonë. Kështu që në përfundim ju uroj punë të mbarë, ju uroj suksese!

Në radhë të parë i uroj suksese Kryetarit të Bashkisë, mikut tim të vjetër, por edhe juve të gjithëve, duke ju lutur që ta mbani këtë që ju thashë në konsideratë me seriozitetin më të madh. Faleminderit!

  • foto galeri
  • foto galeri

Prononcimi i ministrit Lleshaj për media pas takimit:

Jam në një vizitë në kuadër të inspektimit që po zhvillohet në segmentit Himarë – Vlorë, për arsye të përgjegjësive që kemi shpërndarë në kuadër të qeverisë, pra e gjithë Qeveria është e ndarë në gjithë vijën bregdetare, ndërkohë që unë kam këtë segment në përgjegjësi specifike, si Ministër i Brendshëm.

Sot jam ndalur në Himarë dhe do të vijoj në drejtim të Vlorës me synimin për të parë gjendjen e përgatitjes dhe nivelin e punëve në përgjithësi për menaxhimin e fluksit të sezonit turistik.

Kam patur një takim me Task Forcën. Konstatojmë që është bërë një punë e vlerësueshme, por ende ka mjaft për të bërë, sidomos në drejtim të formalizimit të stacioneve të vijës bregdetare, të stacioneve të plazhit si edhe të përmirësimit të kushteve të sigurisë. Këto të dyja janë çështje, të cilat meritojnë vëmendje të madhe dhe ne do të ushtrojmë që të gjithë përgjegjësinë, por edhe të gjithë forcën për të bërë të mundur që kushdo që operon në vijën tonë bregdetare, çdo subjekt privat që operon në vijën bregdetare të vendit, të jetë i përgjegjshëm përballë klientëve të tij në aspektin e sigurisë.

Pra duhet që stacionet e sigurisë, kullat e sigurisë të funksionojnë ashtu siç duhet, në mënyrë që ata pushues të cilët paguajnë pranë këtyre subjekteve të marrin si kundër-vlerë shërbimin e sigurisë dhe e dyta formalizimi, formalizimi i të gjithë atyre që operojnë në vijën tonë bregdetare.

Vija bregdetare është pronë e publikut, e qytetarëve shqiptarë dhe gjithë publiku, gjithë qytetarët shqiptarë duhet të përfitojnë nëpërmjet taksave një pjesë të vlerës që gjenerohet nga këto taksa.

Fola në takim me tone të ashpra për arsye se ne nuk mund të presim vitin tjetër për të rregulluar këtë vit, duhet ta rregullojmë këtë vit, ky është mesazhi. Të gjitha autoritetet, qofshin ato vendore, qofshin agjenci të tjera, duhet të marin masa për këtë.

Duhet të bëjmë që qytetarët të kenë siguri dhe që subjektet që operojnë të prodhojnë taksa në shërbim të qytetarëve.

Faleminderit!

(d.xh/Balkanweb)