Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se Policia e Shtetit duhet të rritet në cilësi dhe sasi.

Duke folur në aktivitetin e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme, ministri Lleshaj tha se kjo detyrë nuk do t’i bëjë ata të pasur, por puna e tyre shpërblehet me një tjetër monedhë, atë të mirënjohjes.

“Për të përballuar me efikasitet misionin, policia shqiptare duhet të rritet në sasi dhe cilësi. Duhet të rritet dhe modernizohet. Programi i qeverisë parashikon progres në të dy këto vlerësime.

Të dashur studentë, ju jeni këtu për të siguruar të mirën publike, që është pikërisht siguria. Çmimi i saj është shumë i rëndësishëm. Të punosh në radhët e strukturave të sigurisë publike, përveç profesionalizmit, duhet dhe trimëri, kurajë, nder e moral i lartë. Kjo detyrë nuk mund t’iu bëjë të pasur, por puna juaj shpërblehet me një tjetër monedhë, me atë të mirënjohjes”, deklaroi Lleshaj.

Më poshtë, fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
të nderuar deputetë, drejtues të Policisë së Shtetit,
të nderuar pjesëtarë të trupit diplomatik dhe të zyrave të ndërlidhjes pranë Policisë së Shtetit,
të nderuar familjarë të studentëve që diplomohen sot,
të dashur studentë,

402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm ripërtëritje dhe modernizimi të saj.

Krahas atyre që përfunduan kolegjin e Policisë për t’u bërë pjesë e bazës solide të saj, 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese si nënkomisarë policie, ndërkohë që 36 studentë që i kanë përfunduar më parë me rezultate të larta studimet universitare, përfundojnë sot kursin e oficerit të Policisë Kriminale dhe i bashkohen strukturave të specializuara të hetimit.

Kjo prurje e konsiderueshme cilësore, e përzgjedhur ndër mijëra kandidatë, shënon një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të një programi të madh të qeverisë shqiptare për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore nivelin profesional të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit shqiptar është ndër më të voglat polici në numër në krahasim me policitë e tjera të rajonit e më gjerë. Për të përballuar me efikasitet misionin e saj ajo duhet të rritet edhe në sasi edhe në cilësi.

Për ta thënë ndryshe, ajo duhet të rritet dhe të modernizohet, dhe programi qeverisë parashikon progres të vazhdueshëm në të dy këto drejtime.

Të nderuar studentë,
ju keni bërë zgjedhjen e jetës tuaj kur u futët në radhët e Akademisë së Sigurisë, dhe besoj edhe falë ndërlidhjes së mirë të mësimit në këtë akademi, me praktikën në strukturat e Policisë së Shtetit, ju e keni kaluar tashmë edhe drojën e natyrshme, që shoqëron të sapo diplomuarit e tjerë, dhe jeni sot krejtësisht të gatshëm e të përgatitur për të filluar një shërbim shumë të rëndësishëm publik.

Gjatë takimeve që kam pasur, kam konstatuar me kënaqësi se ju nuk keni kërkuar te Policia e Shtetit thjesht dhe vetëm një punëdhënës të sigurt dhe serioz.

Ju jeni këtu për të krijuar të mirën publike bazë, që është siguria dhe kjo e mirë publike nuk është si të tjerat. Ajo nuk u nënshtrohet të gjitha ligjësive klasike të tregut, çmimi i saj është krejt i ndryshëm. Përllogaritja e tij nuk mund të bëhet sipas formulave të thjeshta të ekonomistëve apo të financierëve. Pasi siguria publike përmbledh përpos shumë të tjerash disa elementë, që as nuk mund të llogariten dhe as mund të blihen nëpërmjet pagës apo shpërblimeve nga punëdhënësi, që në rastin tuaj është publiku.

Të punosh në radhët e strukturave të sigurisë publike përveç profesionalizimit të lartë kërkohet edhe trimëri, kurajë, shpirt sakrifice, gatishmëri pa kushte dhe mbi të gjitha nder e moral i lartë. Ka ndoshta edhe nga ata që mund ta konsiderojnë patetike këtë që po them, por unë jam i bindur se të tillë nuk mund të ketë në radhët tuaja, ku ka edhe bijë e bija, apo familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës.

Unë besoj se përpara këtij memoriali ku çdo yll përfaqëson një nga punonjësit e Policisë së Shtetit që ka dhënë jetën pikërisht për të krijuar të mirën publike me emrin siguri, tipare për të cilat fola më lart, mund të shihen dhe të preken nga kushdo.

Sot ju keni filluar një karrierë profesionale, e cila si kudo në botën demokratike, nuk mund t’ju bëjë të pasur me parà. Shërbimi që ju do të kryeni në radhët e Policisë së Shtetit, nuk mund të shpërblehet vetëm me monedhat e zakonshme.

Kjo nuk do të thotë aspak se shërbimi juaj nuk shpërblehet, por ka një lloj tjetër monedhe me të cilën ai kompensohet, ajo është mirënjohja publike, respekti, dinjiteti dhe sadifaksioni pa fund që shoqëron çdo orë dhe çdo minutë në shërbim të publikut. Por në të njëjtën kohë dua të them se asnjë nga ato që përmenda më lart nuk do ta zbehë sadopak angazhimin e Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë shqiptare për të mbështetur me përparësi të lartë punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjitha aspektet dhe të mundësojë për ta kushte optimale shërbimi, jetë normale dhe dinjitoze familjare.

Ne do ta thellojmë më tej procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit, duke vijuar me konsekuencë programin e rritjes dhe të përtëritjes së saj. Pas pak ditësh do të hapim programet e reja, për rreth 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë, 60 prej të cilëve do të jenë përsëri nga radhët e studentëve të shkëlqyer, që i kanë përfunduar ndërkohë studimet universitare në degë të përzgjedhura, por jo vetëm kaq.

Programe ambicioze janë në proces, si kampusi i ri i Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, komisariatet e reja të policisë, Policia Shkencore, fuqizimi dhe modernizimi i flotës së automjeteve, pajisjet individuale dhe kolektive të policisë, modernizimi i Policisë Kriminale, asaj Kufitare etj.

Duke përfunduar më lejoni t’ju uroj gjithë studentëve që fillojnë sot karrierën profesionale, suksese dhe mbarësi në këtë rrugëtim të bukur, gjatë të cilit do të keni me vete gjithë respektin, mbështetjen, dhe mirënjohjen e popullit shqiptar, i cili e rendit Policinë e Shtetit në krye të institucioneve ku ai ka besim.
Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb