TIRANE

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i pranishëm sot në Kuvend tha se një numër i madh operacionesh është realizuar në fushën e krimit të organizuar, duke cituar në këtë mënyrë edhe raportin e KE-së. Lleshaj, tha se  është krijuar edhe ekipi i Fast Albania, skuadër që do të ndihmojë kapjen e personave në kërkim.

“Një numër i madhe operacionesh janë realizuar në fushën e krimit të organizuar. Vëzhgimi ajror ka certefikuar mungesën e trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Ky ishte citimi nga raporti i KE. Këto gjetje të raportit shënojnë një hap tjetër. Fusha e sigurisë konsiderohet si një nga 5 prioritetet kyçe. Policia ka vijuar pa u lëkundur luftën kundërkrimit. Sulmet e gjithanshme nuk kanë arritur t’i cenojnë hapat e saj. Mjafton t’iu përmend vetëm disa tregues kyç. Shifrat e personave të vrarë sot janë më poshtë se gjysma. Edhe numri i i aksidenteve me pasojë vdekjen kanë pësuar ulje. Janë goditur një numër i madh grupesh kriminale. në këtë angazhim të qartë të policisë, raporti i KE e vlerëson qartë. Raporti është vetëm një vlerësim pozitiv dhe përpjekja jonë do të vazhdojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracioni të paligjshëm. Ajo çka ka rëndësi të veçantë është goditja e aseteve kriminale. Për realizimin e këtyre detyrave të mëdha policia po vijon me kapjen e personave të shpallur në kërkim. Është krijuar ekipi Fast Albania, si një skuadër për kapjen e personave në kërkim. Kjo strukturë është në finalizim dhe pritet të fillojë punën. Emigracioni i paligjshëm mbetet prioritet i dytë i madh. Ne do ndalojmë imigracionin dhe emigracionin e paligjshëm. Jemi para një sezoni turistik dhe jemi në punë për të shmangur pritjet e gjata në kufi.

Raporti është baza e një plani të ri veprimi të policisë së shtetit. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët kombëtarë është një detyrë e dorës së parë. Policia do marrë masat për goditjen e veprimeve të paligjshme për të ndaluar pjesëmarrjen në ushtrimin e votës së lirë. Ne do kë krijojmë një mjedis të lirë dhe të sigurtë përgjatë fushatës zgjedhore. I drejtohem edhe drejtuesve politikë të cilët kanë zgjedhur bojkotin të tërhiqen nga organizime kundër procesit zgjedhor të cilët janë vepra penale. Ato nuk do të tolerohen nga forcat e ligjir”, u shpreh Lleshaj.

Fjala e plotë e Sandër Lleshaj

Faleminderit z.drejtues i seancës dhe gjej rastin dhe t’ju falenderojë për drejtimin e parë të seancës dhe keni fatin të drejtoni një seancë shumë pozitive, ku po diskutohen lajme të rëndësishme dhe të mëdha për Shqipërinë.

Dje po ndiqja një debat televiziv ku një përfaqësues i caktuar i medias dhe opozitës shprehte pakënaqësi për disa shifra të INSTAT, që kanë të bëjnë me numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë lëvizur drejt Europës. Pasi vinte në mënyrë krejtësisht arbitrare në dyshim shifrat e INSTAT, thoshte që unë mendoj se kjo shifër është kaq, pra dyfishin, dhe e zëvendësonte krejt thjesht një Institucion shtetëror, me një vlerësim krejt subjektiv, personal.

Edhe sot këtu ndoqa disa deputetë, të cilët ende nuk e kanë larguar trishtimin dhe më vjen keq që nuk e largojnë trishtimin, edhe një ditë kur i duhet dhënë leje atij, sepse kjo ditë, besoj unë, në një farë mënyre i duhet dhënë leje atij trishtimi që shpesh herë pushton shumëkënd këtu tek ne, me vend e pa vend, për arsye se vendimi i djeshëm ose publikimi i djeshëm i Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë është një lajm shumë i mirë dhe një lajm i mirëpritur, i domosdoshëm në këtë stinë të ngarkuar me shumë lajme të këqija dhe pamje të këqija.

Po citoj diçka nga Raporti i djeshëm për sa i përket punës së organeve të sigurisë dhe kryesisht të Policisë së Shtetit: “Operacionet e Policisë për çmontimin e organizatave kriminale janë intensifikuar. Një numër i madh operacionesh policore kanë rezultuar me shumë të arrestuar dhe një numër i rëndësishëm referimesh dhe dënimesh është realizuar.

Bashkëpunimi ndërkombëtar policor, veçanërisht me vendet anëtare të BE-së është intensifikuar gjithashtu, duke çuar një numër operacionesh të suksesshme me shkallë të gjerë në fushën e zbatimit të ligjit.

Përgjatë viteve të fundit, Shqipëria ka treguar në mënyrë të qëndrueshme, një angazhim të fortë kundër prodhimit dhe trafikimit të kanabisit.

Shqipëria ka lejuar një mekanizëm të monitorimit të thellë nga një vend anëtar, bëhet fjalë për Italinë nëpërmjet Guardia di Financa dhe me financim të BE, vëzhgimi ajror në dy sezonet e fundit, monitorimi ajror ka certifikuar pothuajse mungesën e plotë të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Këto hapa përfaqësojnë një progres të prekshëm në zbatimin e rekomandimeve të viteve të shkuara për përmirësimin e regjistrit të arritjeve”.

Pak a shumë ky ishte citimi nga raporti i BE dhe doja të thoja se të gjitha këto vlerësime ose të gjitha këto gjetje të Raportit, shënojnë një vlerësim tjetër dhe një hap përpara në këtë fushë të rëndësishme, pra fushën e sigurisë, e cila konsiderohet si një ndër pesë prioritet kyçe në fushën e integrimit në BE të Shqipërisë
Policia e Shtetit ka arritur që edhe në kohët e fundit dhe në muajt e fundit, edhe pse e angazhuar me përballimin e një serie të paprecedentë dhe të pallogaritur të protestave të dhunshme të një grupimi politikë, ajo ka vijuar pa lëkundje luftën e saj primare, luftën me krimin.

Sulmet e gjithanshme, fizike, mediatike, politike, nuk kanë arritur ta cënojnë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të përmbushur misionin e saj në shërbim të sigurisë publike.

Treguesit kryesor, që karakterizojnë sigurisë publike në vend, ka vijuar tendencën pozitive të viteve të fundit duke konfirmuar në mënyrë të pakontestueshme se realisht vendi është në ditët e tij më të mira për sa i përket kësaj fushe jetike, pra sigurisë.

Mjafton t’ju përmend vetëm disa tregues kyç:
numri i vrasjeve në 2018 ishte 51, ndërkohë që ishte 126 jo shumë larg, por në vitin 2012, pra është më poshtë se gjysma.

Për periudhën janar-maj 2019 kjo shifër është në nivele të krahasueshme me tendencën pozitive.

Numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ka vijuar tendencën e pandërprerë të uljes.

Goditja e grupeve kriminale ka vazhduar me intensitet të shtuar siç thotë Raporti i KE, vetëm për periudhën janar–prill të vitit 2019 janë goditur 22 grupe kriminale dhe janë arrestuar 182 anëtarë të këtyre grupeve kriminale.

Flas vetëm për këtë periudhë, ndërkohë që janë arrestuar për të njëjtën periudhë 1187 persona të përfshirë në vepra të rënda kriminale dhe këtë angazhim të qartë dhe serioz të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë raporti i KE e vlerëson qartë me nota shumë pozitive, por ne jemi të vetëdijshëm se Raporti ndonëse është një vlerësim shumë pozitiv, në të njëjtën kohë është vetëm një vlerësim pozitiv dhe përpjekja jonë për të intensifikuar luftën dhe punën në shërbim të një rendi dhe sigurie më të përmirësuar në vend do të vazhdojë dhe Policia e Shtetit është e angazhuar në dy prioritetet madhore të saj, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër emigracionit të paligjshëm.

Në fushën e krimit të organizuar prioritet i Policisë së Shtetit vijon të jetë kapja e personave të shpallur në kërkim, goditja e grupeve dhe individëve të evidentuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar dhe ajo çfarë ka rëndësi të veçantë është goditja e aseteve kriminale, sekuestrimi dhe konfiskimi i tyre në mënyrë që të realizohet dhe ai prioritet madhor, i cili evidentohet qartë si sfidë edhe në raportin e fundit të BE.

Për realizimin e këtyre detyrave të mëdha, Policia e Shtetit po vijon me publikimin e të gjithë informacionit të nevojshëm për personat që janë në kërkim, me vlerësimin e performancës së Policisë së Shtetit vetëm në bazë të suksesit që arrihet në kërkimin e personave të shpallur si të tillë dhe po ashtu në krijimin e kapaciteteve.

E reja që vlen të theksohet këtu është krijimi i “Fast Albania”, që është krijimi i ekipit të kërkimit aktiv kundër personave në kërkim, pra si të thuash një “skuadër gjahtarësh”, e cila do të merret në mënyrë të strukturuar, sistematike të përhershme me kërkimin e personave që i janë shmangur drejtësisë për t’i vënë ata para drejtësisë, duke koordinuar edhe me strukturat homologe europiane, të cilat me padurim presin që kjo strukturë, e cila është në finalizim të fillojë punën dhe të shtojë një cilësi të re në të gjithë procesin e luftës kundër krimit të organizuar.

Siç thashë edhe kundër personave që i janë shmangur drejtësisë, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm për shumë vite. Emigracioni i paligjshëm është prioritetit i dytë i madh, i cili ka dhe vëmendjen shumë të madhe të BE.

Përpjekja jonë është që të ndalojmë emigracionin dhe imigracionin, pra në të dy kahet, qoftë ardhjen hyrjen e paligjshme të qytetarëve të huaj në Shqipëri ashtu si edhe daljen e paligjshme të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE.

Forcimi i lirisë së lëvizjes dhe reduktimi i kohës së panevojshme të pritjes në kufi është një tjetër çështje e madhe, të cilës ne i kushtojmë rëndësi.

Jemi përpara një sezoni turistik, i cili pritet të jetë i rëndësishëm dhe ne duhet të angazhohemi fort.

Të nderuar deputetë,

Policia e Shtetit dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme e kanë tashmë një udhërrëfyes të qartë, pra Raportin e fundit që kemi në duar, raporti është baza e një plani të ri veprimi për të gjithë Policinë e Shtetit.

Përmbushja me përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm të lartë dhe detyrime në funksion të garantimit të një mjedisi të sigurt për zhvillimin e një procesi zgjedhor në javët në vijim përbën padyshim një prioritet tjetër të rëndësishëm, bashkëpunimi me të gjithë aktorët kombëtar dhe ndërkombëtar me përgjegjësi apo interes për një mjedis të sigurt që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike në vend është një detyrë e dorës së parë.

Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit do të marrë masa serioze për të parandaluar apo për të goditur me forcën e ligjit çdo përpjekje që drejtohet kundër Kushtetutës apo legjislacionit tjetër, që lidhet me të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për të marrë pjesë dhe për të ushtruar në liri të plotë, votën e tij.

Me këtë rast dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët apo faktorët politik, publikë apo mediatik, shoqërinë civile dhe qytetarët në tërësi, që të angazhohen me përgjegjësinë dhe pjekurinë që kërkohet prej një vendi anëtar në NATO dhe i një kandidati të denjë për BE për të krijuar një mjedis dhe atmosferë të sigurt, të lirë dhe të qytetëruar, përgjatë fushatës zgjedhore.

Në të njëjtën kohë dëshiroj t’ju bëj thirrje të gjithë subjekteve apo qytetarëve që kanë zgjedhur bojkotimin apo abstenimin e zgjedhjeve si të drejtën e tyre legjitime, që të mbeten brenda kufijve të saj, pra brenda kufijve të bojkotit apo abstenimit.

Çdo dalje e tyre përtej këtyre kufijve dhe përpjekjeve për të imponuar qëndrimet e tyre përmes dhunës tek të tjerët është dalje e rrezikshme nga e drejta, që rrezikon të sjellë pasoja të konsiderueshme ligjore për vetë ata.

Po në këtë mënyrë të posaçme u drejtohem edhe drejtuesve politik, të cilët kanë zgjedhur bojkotin si formë të aksionit politik, që të distancohen nga inkurajimi apo organizimi i veprimeve destruktive të dhunës që cënojnë cënimin e procesit zgjedhor në vend.

Nxitja e dhunës e urrejtjes, organizimi dhe drejtimi i veprimeve kundër procesit zgjedhor janë vepra të rënda penale, që nuk mund dhe nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligj zbatuese.

Për të gjithë shqiptarët sot nga ana tjetër mendoj se ka një arsye për më shumë besim tek e ardhmja europiane dhe tek prosperiteti i vendit, për më shumë energji të reja dhe për më shumë krenari për emrin tonë.
Faleminderit!

(Balkan Web)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb