TIRANË

Luljeta Lleshanaku, Drejtoreshë për Kërkimet në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri foli për punën e këtij institucioni dhe debatin e hapur së fundmi mbi një botim të 2014.

Ajo tha në “A show” në News24 se Lufta nacional Çlirimtare nuk është atribut i komunistëve pasi rezistenca nisi më herët se krijimi i Partisë Komuniste.
“Ne ofruam një version të gjërave për luftën. Studentët për shkollën mësojnë atë version zyrtar që është mësuar sot e 50 vjet. Botimi jonë është një produkt i Institutit, nuk është futur në kurrikulat shkollore. Ka dhe një version tjetër.
Vërtetë doni një diskutim për luftën, hajde ta diskutojmë. Dhe po të flasim për atë që komunistët duan ta marrin si atribut të vetin Luftën Nacional Çlirimtare, unë mendoj që nuk është e saktë sepse rezistenca antifashiste filloi më 7 prill të 39-ës, kur Partia Komuniste krijohet në vitin 1941”, u shpreh shkrimtarja e njohur.

Ajo deklaroi se momenti më kritik që kompromenton LANÇ është Konferenca e Mukjes.

“…Ku qe përpjekja e parë për bashkimin e të gjitha forcave politike të asaj kohe, përfshirë dhe Frontin Nacional Çlirimtar, Ballin Kombëtar në rezistencë të përbashkët antifashiste, pjesë e projektit ishte dhe Shqipëria etnike dhe sigurisht pas fitores mbi fashizmin të bëheshin zgjedhje të lira dhe kush të fitojë të fitojë, të vinte në pushtet. Nga kjo marrëveshje u tërhoq Partia Komuniste dhe të mos bëhen më fanatikë se Enver Hoxha dhe ai e shpjegon shumë mirë arsyen pse. Sepse lëvizja jonë thotë kishte karakter antifashist por edhe të revolucionit proletar, pra të sjelljes në pushtet të klasës proletare”, deklaroi Lleshanaku.

Ajo kërkoi që të flitet pa frikë për krimet e komunizmit dhe të shikohet historia siç është. “Le të flasim pa frikë, të sjellim të gjitha faktet në tavolinë. Le të shikohet historia siç është”, u shpreh Lleshanaku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb