KORCE

Pas ngërçit të krijuar mes Presidencës dhe Kryeministrisë për dekretimin e ministrit të Brendshëm, reagimeve iu është shtuar edhe ambasadorja franceze Christina Vasak. Kjo e fundit përmes një deklarate për gazetarët nga Korça tha se presidenti Meta dhe kryeministri Edi Rama e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë lidhur me çështjen ‘Lleshi’.

“Kushtetuta shqiptare më duket e qartë. Unë mund të reagoj si juriste por nuk më takon mua dhe kolegëve të mi të reagojmë për këtë situatë. Mendoj që si kryeministri ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë”, -tha Vasak.

Ndërkohë, e pyetur nëse mungesa e Gjykatës Kushtetuese krijon vakum që ata të luajnë shah mes tyre ajo tha: “Ju e drejtoni gishtin në një problematikë të vërtetë por do duhet që si çdo vend tjetër edhe Shqipëria të ketë gjykatën kushtetuese. është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme. Edhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje sepse vërtet është urgjente”.

Po ashtu ambasadorja iu përgjigj pyetjes nëse Ministria e Brendshme mund të drejtohet nga një zv/ministër, siç është rasti i Sandër Lleshit.

“Ecuria e Shqipërisë është e qartë ashtu siç është gjurmuar ose janë ngritur vijat e përgjithshme 26 qershorin e vitit të kaluar dhe këtu bën pjesë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e të tjerat që ju i dini. Iniciativa domethënëse janë ndërmarrë por duhet të ndiqen dhe të thjeshtohen. duhet të bëjmë besim në autoritet shqiptare për të ndjekur realizimin e objektivave sepse koha shpejton”, -tha ajo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb