Nga: Mentor NAZARKO

Me ndjesinë e hedhjes në lojë të një karte dhe fillimit të hedhjes së një karte tjetër sipas një skenari të mirëmenduar, Partia Demokratike po shfaqet në një vepër shkatërruese të ministrit Xhafaj. Dhe jo vetëm. Edhe të qeverisë, madje dhe të sponsorëve ndërkombëtarë të Reformës në drejtësi, ambasadorit Lu apo Vlahutin, të cilët identifikuan plot besim tek Xhafaj, koordinatorin e reformës dhe duke mbështetur emërimin e tij si ministër i Brendshëm, identifikojnë edhe ekzekutorin e saj. Në këtë rol ai po mbështetet sistematikisht, madje në konspiracione të tavolinave të caktuara përmendet dhe si kryeministër eventual.

Pse Xhafaj, pas Tahirit?
Në thelb të skenarit denoncues, prova më e fuqishme e PD-së qëndron te i ashtuquajturi manipulim i amendamenteve të Kodit të Procedurës penale nga ana e ministrit Xhafaj (asokohe shef i Komisonit të ligjeve) për të shmangur ekstradimin e vëllait të vet të dënuar në Itali për trafik droge. Kësisoj Saimir Tahiri u bë mënjanë, sulmi ndaj tij nuk ka më vlerë propagandistike, madje as arrestimi i tij, sepse do t’i hapte rrugë arrestimit të dikujt nga kampi i opozitës. Për më shumë nga ndonjë ekspert juridik i PD-së, Tahiri po quhet më i mirë se Xhafaj, sepse akuzohet si i lidhur me kushërinj të largët në trafikim droge. Edhe Berisha, sot, pas gjyqit të Krimeve të Rënda, që vendosi Tahirin në arrest shtëpie, tha se kur i krahason të dy, Xhafaj është më i inkriminuar, sepse ka vëllanë, ndërsa Tahiri ka kushërinj të largët. Objektivi i radhës, më interesant pra, është Xhafaj, ministri i Brendshëm, pasuesi i Tahirit, por, mbi të gjitha, njeriu që e bëri të ekzekutueshme reformën në drejtësi, kësisoj objektiv tërësisht i justifikuar prej opozitës. Sulmi ndodh, ndërkohë, me fillimin e periudhës së shqyrtimit të vëmendshëm të ecurisë së Shqipërisë nga ana e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian: jehona ndërkombëtare e këtij sulmi nuk është ndonjë pikë plus për Shqipërinë dhe opozita e ka llogaritur këtë. Opozita po synon madje të hakmerret dhe ndaj ambasadorit Lu, që është mbështetësi kryesor i ministrit Xhafaj, pikërisht për shkak të rolit të tij kryesor në reformën në drejtësi.

Sulmi ndaj Xhafajt rezulton i planifikuar në hapa të njëpasnjëshëm, në varësi të reagimit të qeverisë dhe vetë ministrit të Brendshëm, për ta nxjerrë atë sa më keq. Në fillim u bë me dije dënimi i të vëllait (shpallur që në 2002), pastaj në varësi të reagimit të qeverisë doli një i ashtuquajtur fakt tjetër, sipas opozitës: Xhafaj ka ndryshuar një nen të Kodit të Procedurës penale, i cili, sipas opozitës, ndalon ekstradimin e vëllait të Xhafës. Por a është kështu?

A e favorizon ndryshimi i nenit vëllanë e Xhafajt?
Ky shkrim nuk merr përsipër ta shqyrtojë këtë zhvillim në dritën etike të figurës së ministrit. Vende të ndryshme kanë qasje të ndryshme, ose, si thoshte Balzaku, ajo që në Paris është ves, në provincë është virtyt. Ngjela për shembull sjell shembullin e vëllait të Klintonit, Roger Klinton junior, i cili ishte dënuar për trafikim droge, dhe u fal prej Presidentit Klinton, sepse dhe krahasimi më i mirë çalon.

Analiza synon të kuptojë drejtësinë, efektet e qëllimeve dhe lojës së opozitës në këtë aksion të ri, i paralajmëruar kur disa javë më parë prej saj u tha se do të dalin në dritë skandale të shumta të qeverisë. Koha e zgjedhur për të nisur publikimin e tyre nuk koincidon vetëm me periudhën e shqyrtimit të kandidaturës së Shqipërisë, por dhe me intensifikimin e veprimit policor, hetimor, ndaj peshqve të mëdhenj, ku ministria e brendshme, Xhafaj, ka rol kryesor.

Së pari, a e ka lehtësuar paragrafi i ndryshuar i nenit të Kodit të Procedurës Penale vëllanë e ministrit?

Për ta kuptuar këtë, do duhet të shikohet a është kjo normë kopjim i normave të ngjashme nga Kode të Procedurës penale në ndonjë vend perëndimor, apo nga ndonjë Konventë a Protokoll Ndërkombëtar.

Nga juristë të caktuar mbrohet ideja se kjo normë riprodhon paragrafe të caktuar të Protokollit shtesë të Konventës evropiane të ekstradimit. Pra nuk kemi shpikje shqiptare ad hoc për dikë.

Ndërkohë, sigurisht ky nen nuk vlen kur vendet që e kërkojnë ekstradimin janë vende si Italia, me garanci të mëdha proceduriale për të ekstraduarin. Për vendet e tjera problematike apo jo demokratike, nëse ekstradimi mohohet, ai bëhet për të garantuar të ekstraduarin (pas gjyqit të Apelit në të gjithë rastet) se ndaj tij në vendin ku është dënuar do ketë rishikim eventual të procesit. Arsyetimi që qëndron në themel të kësaj norme është ky: dënimi në mungesë është, në vendet demokratike, një situatë e rrallë dhe e imponuar, por në të gjithë rastet është veprim i sforcuar, që i kufizon të drejtat e të akuzuarit që nuk ka pasur mundësi të mbrohet si duhet për faktet penale që akuzohet dhe që është dënuar më në fund. Për pasojë, nëse ai do të ekstradohet, atij do t’i duhet t’i jepen garancitë që mund të rishikojë procesin. Ky nuk është rasti i Italisë që ofron megjithatë garanci proceduriale më shumë sesa një vend tjetër joevropian.

Ndërkohë, ka një moment thelbësor: a e ka kërkuar Italia personin në fjalë për ta ekstraduar? Ish-ministri i drejtësisë i PD-së, Gazmend Bardhi, që ngjan se e ka ndërtuar tërë fabulën e sulmit ndaj Xhafajt, ndaj dhe del në shfaqjet publike, thotë se duhet të jetë pala shqiptare që duhet ta informojë palën italiane se i dënuari gjendet në territorin shqiptar. Por prapëseprapë do duhet të ketë një interesim pyetës nga pala italiane nëse i dënuari gjendet apo jo në territorin shqiptar. Një dokument i tillë nuk po del dhe qoftë opozita, prej 2002 deri më sot, (ka patur akses në dokumente, madje dhe në qeverinë me bazë të gjerë para zgjedhjeve), qoftë pala italiane do ta bënin publike një kërkesë të tillë.

Ky është një mister që opozita megjithatë nuk po e shpjegon. Ndoshta beson se ka ndonjë AS tjetër në mëngë.

Situata e ekstradimeve
Çështja e ekstradimeve është nga lëndët më problematike të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e tjera. Ajo është rregulluar me konventa ndërkombëtare, por do duhet të rregullohet dhe me marrëveshje dypalëshe, që shtetet ( jo vetëm Shqipëria) hezitojnë t’i nënshkruajnë me ne, pikërisht për shkak të mosbesimit tek sistemi ynë juridik. Një marrëveshje e tillë nënkupton reciprocitet, pra që dhe një shtetas i huaj- gjerman për shembull, të ekstradohet në Shqipëri në rast dënimi, dhe këtu fillon hezitimi i palës tjetër. A mund t’ia besojë ajo palë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë fatin e një shtetasi të vet? Pikërisht reciprociteti është në themel të problemeve që ka ekstradimi.

Për këtë arsye, në territorin shqiptar, besohet se ka qindra të dënuar me vendime të formës së prerë, që sillen vërdallë, madje kanë ribërë jetën duke hyrë eventualisht dhe në politikë, që është shumë joshëse, por dhe gracka e fundit. Ligjet e fundit të pastrimit, vetting-u ofroi pengesën apo dekurajimin për ta, por nuk është se po kemi ekstradime masive. Pikërisht për shkak të yçklave proceduriale që i pengojnë ekstradimet me të cilat avokatët, por jo vetëm ata, bëjnë shumë para.

Efektet që synohen të arrihen
Me gjasë, kuzhina politike e opozitës duhet të ketë dhe sulme të tjera, që sipas një skenari të ngjashëm me atë maqedonas (i cili megjithatë ishte mbështetur mbi transkripte bisedash në telefon për gjithë nomenklaturën e Gruevskit në pushtet prej disa mandatesh), mund të bëhen publike pas rastit të Xhafajt apo krahas tij. Koha e zgjedhur ngjan se lidhet me provimin e qeverisë para vendeve anëtare të BE-së në qershor dhe le të shohim a do të ndikojë tek ata. Supozohet që jo, sepse këto vende e dinë situatën penale të secilit prej ministrave të qeverisë, të njerëzve të opozitës, si duket dhe nga fakti që në vetting-un e drejtësisë po përfshihen të dhënat e ardhura nga shërbime të huaja. Nëse ata kanë të dhëna për gjyqtarët aq më tepër kanë dhe për politikanë të profilit të lartë. Dhe duke e ditur situatën e Xhafës, kancelaritë e huaja, nuk janë dekurajuar për ta mbështetur, një herë në reformën në drejtësi, dhe tani në rolin e ministrit të Brendshëm.

A mund të krijojnë efekt tek votuesit? Edhe kjo duket e vështirë, me përjashtim të një pjese të caktuar gri të votuesit, e cila megjithatë nuk mund të krijojë involvim të krejt shoqërisë, apo klimë revolucionare.

E vetmja mënyrë që opozita të ketë fryte, edhe brenda dhe jashtë, është nëse fushata e sulmeve do të krijojë një klimë të tillë destabilizuese, që të shndërrohet në lajm ndërkombëtar me jehonë të madhe. Në atë rast, kancelaritë dhe mund ta shqyrtonin negativisht dhënien e ftesës për Shqipërinë.

A do ndikohet Xhafaj? Me gjasë, mund të motivohet më shumë, apo të inkurajohet më shumë dhe prej mbështetjes ndërkombëtare që nuk mund ta lëshojë pikërisht tani njeriun kryesor të reformës në drejtësi, pikërisht kur kjo reformë po jep frytet e veta dhe largimi i tij do krijonte vështirësi në vijimin e saj./Konica.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: