LEZHË

Policia e Lezhës ka arrestuar një 21-vjeçar që është denoncuar nga vetë qytetarët teksa kryente manovra të rrezikshme me mjetin e tij duke qëlluar në ajër me armë zjarri. Por në pranga ka përfunduar edhe babai i tij, në banesën e të cilit u gjet një fitil zjarrpërcjellës.

Nga puna e mirëorganizuar e Komisariatit të Policisë Lezhë si dhe bazuar në informacione policore se një shtetas kryente manovra të rrezikshme me mjetin e tij dhe qëllonte në ajër me armë zjarri duke u konfliktuar për këtë shkak edhe nga disa persona të tjerë, është ndërhyrë në fshatin Pllanë ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit (babë e bir).

F.N., 52 vjeç, banues në Pllanë – Lezhë për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
D.N., 21 vjeç, banues në Pllanë – Lezhë për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: E.N., 37 vjeç dhe B.B., 26 vjeç, banues në Pllanë-Lezhë për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja”.

Shtetasi D.N. dyshohet se në fshatin Pllanë- Lezhë, ka kryer manovra të rrezikshme me mjetin e tij si dhe qëlluar në ajër me armë zjarri, duke kryer më pas veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndër to edhe fshehja e armës së zjarrit e cila u gjet nga forcat policore dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në lidhje me këtë shkak, është konfliktuar gjithashtu edhe nga shtetasit B.B. dhe E.N.

Gjithashtu, edhe nga kontrolli i ushtruar në banesën e babait të tij, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarrpërcjellës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb