LUSHNJE – Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në qytetin e Lushnjes në një takim me gra e vajza për të folur për ligjin e heqjes së lojërave të fatit.

Edhe pas ngjarjes së ditës, kur ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen, kreu i qeverisë nuk foli për këtë temë.

Ai theksoi idenë e kthimit të parasë brenda familjeve për konsum të shëndetshëm, duke larguar burrat e djemtë nga pikat e basteve.

“Ne arritëm që t’ia dalim aty ku në fakt u thyem disa vite më parë si pasojë e një presioni të jashtëzakonshëm nga kjo industri mbi deputetët, dhe nuk i patëm dot votat për të mbyllur kazinotë elektronike. Sidoqoftë u bë një kompromis, që nuk ishte ideal për të mbyllur kazinotë në Shqipëri në 31 dhjetor, dhe që atëherë deri më sot kemi parë dy anët e një medalje për të cilën hymë në këtë betejë. Kemi formalizuar sektorin, kemi marrë dyfishin e taksave që merrnim më parë. Nuk janë pak të ardhurat në buxhetin e shtetit nga këto taksa. Është më e rëndë plaga e anës së medaljes.

Ajo që vlen të kihet parasysh është se industria i ka dhënë hapësirë një pjese njerëzish që janë drejtëpërdrejt lidhur me krimin e organizuar, dhe një pjesë e pronarëve të tyre janë njerëz që kanë kaluar përmes burgjeve, plagosjeve, vrasjeve, prostitucionit etj.

Ne vendosëm ta bëjmë të plotë këtë ligjin, duke përfshirë çdo gjë që lidhet me lojën e fatit, gara me qen, gara me kuaj, luftë gjelash, bingo dhe bastet online. Kështu mos të kemi transformime paligjshmërie të fshehura.  Ata që lozin bixhoz në Shqipëri, 70% e tyre e nisin 10-15 vjeç, është e tmerrshme. Shfaqin shenja stresi e nervozizmi që i çon në kriza familjare. Janë afro 700 mln dollarë që qarkullojnë në këtë ekonomi, që s’do shkojnë për llumë por do mbeten në familje për konsum të shëndetshëm. Disa kryetarë bashkish më kanë thënë se në pikat e basteve i gjen burrat e familjeve me ndihmë ekonomike,” tha Rama.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: