Demokratët rinisin brenda kësaj jave zgjedhjet e brendshme, të cilat pritet të përfundojnë në fund të muajit tetor. Sekretari organizativ i PD-së, Enno Bozdo e konsideron procesin e zgjedhjeve të brend-shme si të rëndësishëm në riorganizim strukturor, i ndërmarrë në këto vite të Partisë Demokratike në opozitë. Bozdo thotë për “Gazeta Shqiptare” se synohet të vihen në krye të strukturave individë, të cilët vlerësohen dhe kanë kontribute të prekshme politike dhe qytetare. Por, paralel me zgjedhjet në parti do të nisë edhe procesi i propozimeve nga anëtarësia për kandidatët që do garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas zyrtarit të lartë të PD-së, ky mekanizëm siguron kohezion, konsultim të gjerë dhe të detyrueshëm si dhe gjithë-përfshirje në vendimmarrje. Përballë një qeverie të lidhur me krimin, Bozdo thekson se: “PD duhet të përzgjedhë njerëzit e saj, të cilët duhet të kenë merita reale politike dhe qytetare. Duhet të jenë kontributorë në PD, por edhe qytetarë dhe familjarë model”.

Z.Bozdo, pas ndryshimeve në statut dhe me afrimin e zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike do të nisë procesin zgjedhor fillimisht në nivel degësh dhe më pas drejt qendrës. Në çfarë faze është ky proces dhe sa kohë do të marrë deri në mbylljen e tij?
Ky është procesi më i rëndësishëm në riorganizim strukturor, i ndërmarrë në këto vite të Partisë Demokratike në opozitë. Konceptet e reja të riorganizmit janë debatuar dhe mbështetur gjerësisht nga struktura në nivele të ndryshme të saj, duke u shtjelluar qartë në statutin e ri të Partisë Demokratike. Konceptet e reja do të sjellin jo vetëm zhdërvjellësim të strukturës dhe mbulim më të mirë të territorit, por edhe përgjegjësi konkrete dhe sistem të strukturuar të meritës dhe karrierës brenda partisë. Procesi do të fillojë brenda kësaj jave dhe do të përfundojë në fund të tetorit.

Mbi çfarë kriteresh po zgjidhen kandidatët për drejtues të rinj në degët e PD-së?
Procesi i tërheqjes se propozimeve nga anëtarësia do të jetë i hapur, transparent dhe i dokumentuar. Ky proces që do të zhvillohet paralelisht me zgjedhjen në strukturave, do të synojë promovimin e njerëzve më të aftë, më cilësorë dhe më të vlerësuar nga demokratët. Ndërkaq, standardi i kërkuar dhe i domosdoshëm që ka lidhje me eksperiencën, kontributin dhe qëndrueshmërinë politike nuk ka ndryshuar. Kështu, ne synojmë të nxjerrim në krye të strukturave tona individë, të cilët vlerësohen dhe kanë kontribute të prekshme politike dhe qytetare.

Pas zgjedhjeve në bazë, si do të vijojë procesi në qendër? Cilat nga strukturat e PD-së do të rizgjidhen?
Të gjitha strukturat e Partisë Demokratike do të rizgjidhen. Këshilli Kombëtar e më pas kryesia e re dhe departamentet e Partisë Demokratike.

Po përsa i përket përzgjedhjes se kandidatëve për drejtues të rinj të bashkive?
Në të njëjtën kohë do të merren propozimet edhe për kryetaret e ardhshëm të bashkive dhe këshilltarët bashkiake. Edhe këtu kemi të bëjmë me një risi: një mekanizëm i përcaktuar qartë në statutin e Partisë Demokratike. Ky mekanizëm prezantohet për herë të parë në partitë politike në Shqipëri dhe është shumë i ngjashëm me atë të përdorur nga konservatorët britanike. Mekanizmi merr realisht në konsideratë mendimin e anëtarësisë duke e kuantifikuar atë dhe sigurisht duke e filtruar atë, me qëllim përzgjedhjen e kandidaturës më cilësore.

A ka një ‘shteg’ në statusin e ri të partisë, për të diktuar kandidatët për 61 bashkitë, duke shmangur organet e partisë dhe rrymat që vijnë nga baza? Procedurat e reja për zgjedhjen e kandidatëve, parashikuar në statusin e ndryshuar të PD, a do të jenë të vlefshme dhe do të veprojnë vetëm për kandidatët për deputetë dhe jo për kandidatë për kryetar bashkie?
Asnjë shteg. Pasi të merret mendimi i anëtarësisë së gjerë, kandidaturat do të shqyrtohen në kryesinë e partisë dhe më pas do të miratohen në Këshillin Kombëtar. Praktikisht janë organet kryesore që vendosin dhe jo individët. Këtij rregulli i nënshtrohen të gjitha llojet e kandidaturave, qoftë për pushtetin vendor apo qendror. Ky mekanizëm siguron kohezion, konsultim të gjerë dhe të detyrueshëm si dhe gjithëpërfshirje në vendimmarrje.

Ky proces zhvillohet në një kohë që PD përgatitet për zgjedhjet lokale e kur përballë sipas saj qëndron një qeveri e kriminalizuar e të korruptuar dhe larg interesave të shqiptarëve…
Kriminalizimi i politikës dhe i shoqërisë shqiptare nuk është aksident. As edhe pasojë e një njeriu të paaftë dhe mediokër, siç mund t’i duket dikujt kryeministri ynë. Kriminalizimi është një strategji e mirëfillte dhe e mirëprogramuar nga Edi Rama qysh në ditën zero të qeverise së tij. Rama ka treguar “gjenialitet” të veçantë për të programuar dhe realizuar kriminalizimin e politikës, të qeverisjes së tij, të organeve vendore dhe zyrave kryesore të shtetit. Kërkon talent malinjë dhe dashakeqësi shembullore për t’ia shkaktuar këtë gjëmë vendit tënd. Kërkon guxim dhe vendosmëri të negociosh dhe të ulesh në tavolinë me bandat më të rrezikshme. Kërkon cilësi të jashtëzakonshme t’i menaxhosh këto banda, t`i mbash nën kontroll, t`i bësh të të shërbejnë sa herë ka zgjedhje, por edhe të ndash plaçkën e ‘luftës’ me to.

Kjo të lë me gojë hapur! E këtu duhet të tregohemi të ndershëm me veten: këtij djali (ER) nuk i mungon aspak talenti, frymëzimi dhe vullneti. Është diabolike kjo që ai ka realizuar në Shqipëri. Është fenomen i pandodhur në asnjë nga vendet e ish-bllokut lindor, vende të cilat kanë kaluar në etapa të ngjashme historike. Hannah Arend, e ndodhur përballë një kriminalizimi të tillë të ngjashëm së Gjermanisë së Luftës së Dytë Botërore, ndërsa dëgjonte dëshminë e një hierarku nazist në gjyq, e cilësonte dikur këtë fenomen si “banaliteti i të keqes”. Me Edi Ramën duhet të themi “gjenialiteti i së keqes”. Ky djalë është gjenial, gjenial i së keqes, për fatin tonë të mbrapshtë. Në këtë panoramë “frymëzuese”, PD duhet të përzgjedhë njerëzit e saj, që siç edhe cilësova pak më sipër, duhet të kenë merita reale politike dhe qytetare. Duhet të jenë kontributorë në PD, por edhe qytetarë dhe familjarë model.

Sikur ngjan paska si paradoksale…?
Kushdo që e vështron me minimumin e ndershmërisë këtë situatë, e kupton se ndërsa Partia Demokratike flet për kontribute dhe qytetari, pala tjetër ndërton aleanca me krimin e organizuar. Apo më mirë, pala tjetër është vetë krimi i organizuar. Në këto kushte, besoj çdo diskutim për zgjedhje të ndershme dhe të drejta bie.

Si mund të bëhet PD më të fortë dhe më të gatshme për t’u përballur me qeverinë “Rama”?
Ka një tendencë të gazetarisë për të trajtuar fenomenet politike në Shqipëri si çështje të përballjes normale politike të dy partive: PD dhe PS. Pra, si një konkurrencë reale mes programeve, lidershipit dhe strukturës të dy partive politike. Është njësoj sikur të shkosh për të luajtur një ndeshje të zakonshme futbolli dhe ekipi kundërshtar vjen në fushe me hunj dhe thika. Kështu shpjegohen edhe thirrjet triumfuese të Ramës dhe të të tijve mbi rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Janë të armatosur rëndë, me para, krim dhe drogë, me polici dhe administratë. Ndërsa nga PD pritet të futet në fushë me njerëz, ide dhe programe elektorale!

Atëherë si mund të bëhet shoqëria më e fortë dhe më e gatshme për t`u përballuar me këtë lloj qeverie që ju përmendni…?
Krimi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fenomen politik. Është fenomen shoqëror që politika zgjedh si rregull ta luftojë, por si përjashtim edhe ta mbështesë. Kjo e fundit është rasti i politikës së 5 viteve të fundit në Shqipëri. Është po kjo politikë që në vitin 2005 zgjodhi ta shfarosë krimin dhe e realizoi këtë objektiv. Tani, sigurisht PD-ja është pjesë e shoqërisë dhe udhëheq aksionin politik të saj, por shoqëria duhet të reagojë gjithashtu. Dhe që të reagojë duhet nxitur, duhet ngacmuar, duhet “pickuar”. Nervi i saj duhet mpirë! Shoqëria duhet të reagojë jo për hir dhe për favor të PD-së, por për hir të vendit dhe të vetvetes. Armët politike për të luftuar krimin janë të limituara. I tillë ishte ligji i dekriminalizimit, ku PS-ja u detyrua ta pranonte me pahir.

Cili është efekti?
I limituar për sa kohë kryeministri Edi Rama e nxori pjesërisht krimin nga xhepi i qeverisjes dhe e futi në xhepin e strukturës partiake të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, Partia Demokratike e ka “pickuar” shoqërinë për të reaguar fort? Ç’po bën ajo për mobilizimin e shoqërisë teksa paralajmëron edhe mosbindje civile?
Le të kthehemi tek Partia Demokratike. Ajo e ka bërë mirë punën e saj përsa i përket ekspozimit lakuriq të fenomenit të kriminalizimit dhe të korrupsionit. Ajo ka thërritur protesta të shumta kundër drogës, krimit dhe korrupsionit. Ajo ka kërkuar edhe mosbindje civile. Ajo ka mobilizuar ç’ka mundur dhe ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve dhe të shoqërisë shqiptare. Pra, PD-ja e ka “pickuar” shoqërinë. Dhe kjo është për t’u lavdëruar me zë të lartë. Në vijim, PD do të angazhohet gjithnjë e më shumë në mobilizimin shoqëror për të krijuar një aleancë mbipolitike për t’i bërë ballë Edi Ramës. Kjo është edhe përgjigja e pyetjes suaj. Në një terren ku vetëm për politikë të mirëfilltë nuk bëhet fjalë, përballja nuk mund të jetë thjesht politike. Duhet të jetë qytetare, duhet reagim mbarë shoqëror!

Ju flisni për një aleancë mbipolitike, por të ndalemi pak tek aleancat politike. LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, por sa do të ndihmojë ky bashkëpunim fitoren e opozitës vitin e ardhshëm?
Ndërsa PD ka bërë të qartë faktin se është ende shumë herët për të folur mbi aleancat dhe zgjedhjet! Pa u zgjidhur më parë çështja e krimit të organizuar qeveritar, e parave të pista dhe blerjes së votës, e pastrimit të politikës dhe vetingut të politikanëve, çdo diskutim për zgjedhjet në konceptin e normalitetit të tyre, të aleancave normale, të programeve normale etj., është thjeshtë i parakohshëm.

Cili është konkretisht qëllimi i PD-së, shkurtimi i mandatit të qeverisë së PS-së përmes zgjedhjeve të parakohshme, apo përgatitja e terrenit për fitoren e së djathtës në lokalet e 2019?
Qëllimi i parë dhe thelbësor i Partisë Demokratike është dekriminalizimi i politikës, vetingu i politikës, asgjësimi i krimit të organizuar, pastrimi i politikanëve të lidhur me krimin. Po ra krimi, ka rënë Rama. Po ra krimi, ka fituar shoqëria shqiptare e me të gjithashtu, Partia Demokratike.

A është e përgatitur PD-ja të qeverisë nesër shqiptaret, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme?
Platforma e çlirimit të vendit nga krimi organizuar sapo ka filluar të shpaloset. Iniciativa të tjera ligjore do të ndërmerren. Përsa i përket platformës ekonomike, ju e keni të qartë që Partia Demokratike e ka pasur gati ofertën e saj prej vitesh. Por kjo situatë nuk është normale. Kërkon çlirimin nga krimi për t’u rikthyer në normalitet. E pastaj do kemi kohë të bindim shqiptarët se vetëm Partia Demokratike mund të zhvillojë vendin nga pikëpamja ekonomike dhe të zgjidhë problemet e rënda sociale të tij./ GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb