Ashtu siç ishte parashikuar, në orën 19:00 është mbyllur procesi zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit, në 61 bashkitë e vendit. Votimi nisi në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm dhe qytetarët shqiptarë iu drejtuan për 12 orë kutive të votimit për të zgjedhur kryebashiakët e rinj, por edhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në votim në zgjedhjet vendore të 30 qershorit është 21.6% e përkthyer në numër zgjedhësish sipas institucionit të administrimit të zgjedhjeve kanë votuar 771 863 votues. Kutitë me fletët e votimit janë dërguar drejt KZAZ-ve ku edhe ka nisur numërimi i votave.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Zgjedhjet lokale u zhvilluan në 61 bashki për këshillin dhe kryetarët në mbarë vendin, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidatë. Mes 97 kandidatëve për kryebashkiakë, vetëm 10 janë zonja. 23 prej socialistëve janë rikandidime.

Në të gjithë vendin u hapën 5417 Qendra votimi, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi se, sipas Kodit Zgjedhor u shpërndanë materialet zgjedhore në 90 KZAZ. Të drejtën për të shkuar te kutia e votimit e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë. Të gjithë ata që kanë votuar, kanë vendosur shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet lokale, pra këshillat bashkiakë.

Në zgjedhje morën pjesë gjithsej 36 parti, të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.

Për herë të parë që nga pluralizmi, këto ishin zgjedhjet ku në gjysmën prej bashkive nuk ka dy kandidatë në garë, për shkak se opozita, ku bëjnë pjesë shumica e partive të djathta (PD, PR, PDIU, PBDNJ, LZHK) dhe LSI, nuk morën pjesë në zgjedhje, me pretendimin se ato nuk janë të lira e të ndershme, duke marrë shkas nga përgjimet e publikuara pak kohë më parë, që lidheshin me blerjen e votave në zgjedhjet lokale 2016 në Dibër dhe një vit më vonë në zgjedhjet e përgjithshme në Durrës.

Partia opozitare që garoi për herë të parë ishte Bindja Demokratike e Astrit Patozit, që garoi me kandidatë në 22 bashki të vendit.

Situata mori një tjetër rrjedhë, kur Presidenti i vendit Ilir Meta e zhdekretoi 30 qershorin si datë zgjedhjesh, për të vendosur 13 Tetorin si datën e re, por kjo pasi Kuvendi nisi një procedurë për shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa qeveria nguli këmbë se zgjedhjet do të mbaheshin më 30 Qershor, duke i konsideruar nul dekretet e tij.

Pavarësisht se data e zgjedhjeve nuk ndryshoi bashkitë e drejtuar nga të djathtët thonë se do të zbatojnë dekretin e Presidentit dhe në këto ditë ka pasur mjaft përplasje nëpër KZAZ, ku simpatizantët e PD nuk kanë lejuar e kanë djegur materialet zgjedhore në disa qendra votimi.

Në Qarkun Shkodër, rezulton që rreth 50% e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritetet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje kryetares së bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit. Sipas KQZ-së, në bazë të Kodit Penal këto veprime konsiderohen vepër penale; shpërdorim detyre dhe pengim i subjekteve zgjedhore.

Në zgjedhjet e shkuara vendore, koalicioni i majtë i udhëhequr nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fituan shumicën dërrmuese të 61 bashkive të vendit. E majta mundi të marrë 45 bashki. Nën kontrollin e saj kaluan thuasje të gjitha qytetet e mëdha të vendit, me përjashtim të Shkodrës, e cila i mbeti të djathtës. Koalicioni i partive të djathta, i udhëhequr nga Partia Demokratike fitoi vetëm 15 bashki. Ndërsa Bashkia e Finiqit në jug të vendit u fitua nga Partia “Minoriteti etnik grek për të ardhmen”.

Voton Klosi: Objektivi është arritur, bërja e zgjedhjeve më 30 qershor

Ora 17:26 – Për ministrin e Turizmit Blendi Klosi, objektivi i PS në këto zgjedhje, të cilat ishin dy, është realizuar. Klosi iu përgjigj edhe akuzave të PD-së për një rritje fiktive të numrit të pjesëmarrësve.

“Objektivat kanë qenë dy: realizimi i zgjedhjeve me standarde dhe bërja e tyre më 30 qershor. Objektivat e tjera po i ndiqni, janë transparente. Sapo kthehem nga Berati ku pothuajse është arritur numri i votave të 2017, kjo është arritja kryesore.

KQZ: 15.5% pjesëmarrja, Tirana me numrin më të madh të votuesve

Ora 16:03 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë shifra të tjera të përditësuara për votimin deri në këto momente. Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha tha se deri tani procesi ka vijuar normalisht dhe se pjesëmarrja deri në orën 15:00 ka qenë 15.5%, pra kur kanë ngelur ende edhe 4 orë nga orari zyrtar i votimit. Në total kanë votuar 546 388 zgjedhës, Tirana me numrin më të madh të votuesve.

Valdrin Pjetri: Zgjedhjet më të qeta në Shkodër në 28 vite, votoni

Ora 15:50 Kandidati i PS për bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka folur për procesin e votimit deri në këto momente.

Voton Bamir Topi: Kundër bojkotit, bëra detyrën time. Reflektoni

Ora 14:46 Ish-presidenti i Republikës Bamir Topi ka zgjedhur të votojë sot edhe pse vjen nga një e kaluar politike tek demokratët të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Dritan Leli voton me familjen, i biri: Emocione të veçanta

Ora 14:35 Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës Dritan Leli ka votuar pak pas mesditës bashkë me gruan dhe djalin e tij, i cili është votues për herë të parë.

Majko mesazh politikës: Nga 1 korriku, të ulemi në bisedime

Ora 14:25 Edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, iu është bashkuar sot votimeve, duke hedhur votën e tij në kuti. Majko ka votuar në qendrën e tij të votimit në Liceun Artificial “Jordan Misja”. Pas votimit, ministri dha dhe një mesazh, duke e vlerësuar procesin të qetë dhe normal.

Rival i Veliajt? Voton Tahiri: S’ka lidhje, sot bëra zgjedhjen time

Ora 11:43 Ish-ministri i Brendshëm Saimri Tahiri ka zgjedhur që të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme lokale. Në një prononcim për mediat, Tahiri është shfaqur i qeshur para gazetarëve, ndërsa theksoi se ai kishte dhënë tashmë votën e tij.

Zyrtare/ KQZ: Ja sa është pjesëmarrja në votime deri në 11:00

Drilona Hoxha, zëdhënësja e KQZ-së në konferencën e parë për shtyp bëri me dije se deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime është 12%.

“Sot ditë e bukur” Safet Gjici thirrje kuksianëve: Ejani votoni

Ora 10:12 Kandidati i PS, për zgjedhjet vendore, Safet Gjici ka ftuar të gjithë kuksianët të votojnë ditën e sotme. Pasi hodhi votën e tij, Gjici u ndal në një prononcim të shkurtër për mediat, ndërsa e quajti ditën e sotme një ditë festive.

Balla: Ditë e mësimit historik, mbyllim një histori lojërash partie

Ora 09:59 Nga Librazhdi, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, u shpreh se kjo është dita e mësimit historik se fjala sovran është nuk është një fjalë boshe. “Kjo eshte dita e mesimit historik se fjala sovran nuk eshte nje fjale boshe dhe askush me kurre s’mund te tentoje t’ia marre popullit sovranitetin per interesa te uleta dhe hesape te turpshme politike.

Zgjedhjet/ Lleshaj tregon situatën: Procesi ka nisur normalisht

Ora 09:49 Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pasi votoi tek shkolla “Fan Noli” tha para gazetarëve se procesi i zgjedhjeve ka nisur me qetësi në të gjithë vendin. Ai foli edhe për opozitën, ku tha se mospjesëmarrja e saj në zgjedhje nuk është pozitive, por gjithsesi shtoi ai, e drejta e qytetarëve për të zgjedhur nuk është cenuar.

Shkodra me probleme/Ja sa qendra votimi janë hapur deri në 09:00

Ora 09:16 – Qarku i Shkodrës, rezulton të jetë më problematiku, pasi gati 50% e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritetet vendore deri në orën 09:00.

Subashi i vetëm në garë: PD se ndal dot uraganin e votës

Ora 09:12 Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi ka votuar pak para orës 09:00 në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier. Ai është i vetëm në garë, pasi në Fier nuk ka asnjë kandidat tjetër në fletën e votimit për Kryetar Bashkie.

Rama: Sot mësim historik politikanëve, me popullin s’luhet

Ora 09:00 Më e rëndësisshme se sa vota është sot Shqipëria tha kryeministri i vendit Edi Rama, pasi votoi në Surrel me bashkëshorten e tij.

“Shumë hërë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve se sa vota. Kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, se sovraniteti nuk është një fjalë boshe, kush tenton t’ja marrë popullit sovranitetin nuk ka fund tjetër veç fundit. Rëndësi ka që qytetarët të votojnë ose jo, por të respektojnë të drejtën e kujtdo për të votuar apo jo.

Veliaj: Kjo votë për të ardhmen! Falenderon kundërshtarin

Ora 08:52 Në Parkun Olimpik, i shoqëruar nga bashkëshortja Ajola Xoxa ka votuar sot kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se ishte i emocionuar sot, pasi pa që në radhë kishte njerëz që prisnin për të votuar.

“Në një ditë fantastike, të bukur me diell për Tiranën tonë, jam shumë i emocionuar teksa marrim një vendim për të ardhmn e qytetit tonë .I bëj thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë. Nuk përdoren zgjedhjet për të larë hesapet që kanë disa me të shkuarën”,- tha ai.

Ministrja Balluku: Vota e drejtë civile, mos e humbni rastin

Ora 08:30 Tek njësia 5, në qendrën e votimit në kopshtin 31, rruga “Pjetër Bogdani”, ish-bllok votoi sot edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Erion Braçe hedh i pari votën, mesazhi që ka për shqiptarët

Ora 07:18 Numri dy i qeverisë, Erion Braçe ka votuar sot që në orën 07:10 minuta te Liceu Artistik, ndërsa dha një mesazh për të gjithë shqiptarët që të votojnë herët në mëngjes.
“Votoni, asgjë tjetër. Mua më duhet të ndjek edhe dy zona të tjera në Fier e Divjakë, por edhe pse është freskët. Më mirë të votohet tani në mëngjes. Zgjidhni orët e mëngjesit e më pas shihni punët tuaja”,- tha ai.

Voton Ruçi: Reflektim! S’ka burrë nëne që kthen më komunizmin

Ora 07:55 Në të njejtën qendër votimi si Erion Braçe, edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi zgjodhi orët e para të mëngjesit për të votuar. Rreth orës 07:42 ai ka hyrë në qendrën e votimit të ngritur te Liceu Artistik dhe pasi ka votuar iu përgjigj interesimit të mediave.

Nis zyrtarisht procesi, ja modeli i fletës së votimit

Ora 07:00 Ka nisur sot në orën 07: 00 zyrtarisht procesi i votimit në të gjitha qendrat në Republikën e Shqipërisë. Prej orës 07:00 deri në orën 19.00 qytetarët shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur 61 kryetarët e bashkive.

  • foto galeri
  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb