ANGLI– Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka takuar sot në Londër Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Theresa May, me të cilën ka biseduar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit. Mes temave të shumta që Ministri i Brendshëm shqiptar diskutoi me homologen e tij britanike ishin edhe procedurat për azilkërkuesit. Tahiri ka kërkuar shkurtim të procedurave të shqyrtimit të kërkesave të azilkërkuesve, në mënyrë që të frenohen të gjithë azilkërkuesit abuzivë. Ndërkohë Tahiri dhe May nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

May ka vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm mes policisë shqiptare dhe asaj britanike. “Vlerësoj rezultatet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore. Jemi të gatshëm për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, është shprehur ajo. Ministrja britanike theksoi se për këtë qëllim National Crime Agency (NCA) do bashkëpunojë ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit në Policinë e Shtetit.

May e ka vlerësuar terrorizmin si një sfidë globale, ndaj sipas saj bashkëpunimi ndërmjet agjencive mund të sjellë rezultate më të shpejta.

Një tjetër çështje me rëndësi për ministren britanike ka qenë edhe lufta kundër trafikimit të personave. “Duhet të bashkëpunojmë më shumë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe azilkërkuesve të paligjshëm”, është shprehur ajo.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e falënderoi homologen britanike për bashkëpunimin e deritanishëm dhe përmendi reformat që janë ndërmarrë në sektorin e sigurisë. “Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit elitar, trafikut të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Kemi ndërmarrë reforma të thella në sektorin e sigurisë dhe kemi shënuar rezultate në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, është shprehur ministri Tahiri.

Ai theksoi vendosmërinë për të thelluar reformat ligjore e strukturore në Policinë e Shtetit. “Jemi të vendosur të vijojmë me reformat ligjore dhe rezultatet e policisë në luftën kundër kriminalitetit”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë ministri Tahiri ka kërkuar mbështetje për Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe është shprehur i gatshëm për të rritur nivelin e shkëmbimit të informacionit për grupet kriminale si dhe për organizimin e operacioneve të përbashkëta kundër krimit të organizuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb