Çmimi naftës shënoi një rritje të shpejtë pas sulmeve, me shënjestër dy anije cisternë në Gjirin e Omanit, duke ringjallur frikën e një konflikti në këtë rajon kyç për tregun e arit të zi, për më tepër që Uashingtoni akuzoi Iranin si “përgjegjës” të incidentit.

Një fuçi naftë në SHBA u rrit me 1,14 dollarë ose 2.2%, për të arritur në 52,28 dollarë, ndërsa në Londër, një fuci e naftës së papërpunuar Brent e Detit të Veriut që do të dorëzohet në gusht, u rrit me 1,34 dollarë, ose 2.2%, për të arritur në vlerën e 61,31 dollarë.

Naftëmbajtësja “Front Altair”, shënjestër e një sulmi të dyshuar sot në Detin e Omanit, nuk është fundosur, theksoi drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Frontline”, pronare e anijes, duke përgënjeshtruar disa informacione që vijnë nga Irani mbi këtë çështje.

“Mund të konfirmoj se anija nuk është fundosur”, shkruan Robert Hvide Macleod në një mesazh.

“Të 23 personat që ndodhen në bord janë të gjithë të sigurt”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, agjencia zyrtare iraniane, IRNA kishte njoftuar më herët se “Front Altair” ishte fundosur.

“Anija që mban flamurin e ishujve Marshall, e ngarkuar me 111 000 tonë naftë, u sulmua sot në mëngjes në detin mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit, ku u sinjalizuan tre shpërthime në bord”, njoftuan autoritetet detare norvegjeze.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb