TEHERAN- Kreu i diplomacisë britanike, Philip Hammond rihapi sot ambasadën e vendit të tij në Teheran, mbyllur që prej katër vitesh pasi ishte sulmuar nga militantët armiqësor me riforcimin e sanksioneve kundër Iranit.

“Kjo rihapje shënon fundin e një rruge të gjatë dhe fillimin e një rruge të re të ndërmarrë nga dy kombe të mëdha”, deklaroi Hammond gjatë një ceremonie në mjediset e ambasadës. Mbyllur që prej nëntorit të vitit 2011, ambasada e Iranit në Londër do të rifillojë sot aktivitetet.

Sipas Hammond, marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar që prej zgjedhjes së presidentit iranian, Hassan Rohani në vitin 2013.

”Marrëveshja historike për programin bërthamor muajin e kaluar ka qenë një etapë tjetër dhe ka treguar pushtetin e diplomacisë në një atmosferë të respektit të përbashkët, për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta”, shtoi ai.

Vizita e tij dyditore është e para për një shef të diplomacisë britanike në Iran që prej vitit 2003. Ajo u zhvillua pas vizitës së zëvendëskancelarit gjerman, Sigmar Gabriel, shefit të diplomacisë franceze, Laurent Fabius dhe shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, të cilët kanë vizituar Teheranin pas nënshkrimit më 14 korrik të marrëveshjes historike për programin bërthamor. Vendet e mëdha evropiane kanë tashmë të gjitha një ambasadë në Teheran, por SHBA-ja dhe Kanadja nuk kanë hapur ende ambasadat e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: