Britania e Madhe njoftoi se do i bashkohet Shteteve të Bashkuara në një “mision ndërkombëtar të sigurisë detare” për të mbrojtur anijet tregtare që udhëtojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një linjë kyçe transporti e naftës në Gjirin Persik.


“Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të sigurojë që transporti i saj është i mbrojtur nga kërcënimet e paligjshme,” u tha gazetarëve, ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace.


“Ne mezi presim të punojmë së bashku me SHBA-në dhe të tjerët për të gjetur një zgjidhje ndërkombëtare për problemet në Ngushticën e Hormuzit,” tha Wallace.


Vendimi vjen pas rritjes së tensioneve midis Londrës dhe Teheranit. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga aleatët e saj, të marrin pjesë në një mision detar, për të mbrojtur transportin në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse vendet evropiane po hezitojnë.

Gjermania e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në mision, duke thënë se në vend të kësaj, po bënte presion për një mision vëzhgues të Bashkimit Evropian, për të mbrojtur transportuesit në rajonin e Gjirit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se “sigurisht do të duhet pak kohë për të bindur BE-në për këtë”.