SHBA- Vjedhësit nuk kursejnë as makinën e funeralit, bashkë me trupin e pajetë të një të riu, që ishte vrarë pak ditë më parë.

Të afërmit e Jonte Lee Reed kurrë nuk do të mendonin se dikush do të tentonte të vidhte arkivolin e 19-vjeçarit, ndërsa po shkonin në funeralin e tij. Aq më pak, ata nuk ishin të përgatitur që të ndiqnin makinën e funeralit që po ikte bashkë me kufomën e Reed.

Por, ndërkohë që ata po hipnin në makina nga kisha baptiste e Ebenezerit në Los Angeles, një njeri hipi në makinën e funeralit që kishte në brendësi dhe arkivolin me trupin e viktimës, duke u larguar me shpejtësi.

Pastori i kishës, gjatë kohës që ndodhi kjo ngjarje e pazakontë, ishte brenda ndërtesës së kishës, duke i rregulluar lulet. Kur ai shkoi jashtë për të marrë arkivolin, pa se makina e zezë nuk ishte më.

Gruaja e pastorit, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, thirri disa miq që ta ndihmonin që të gjenin veturën që ishte e zhdukur. Ndërkohë, familja e të ndjeri, panë një veturë të zezë tek po kalonte pranë tyre, katër blloqe larg kishës. Ata e detyruan shoferin që të ndalonte duke i bërtitur.

Policia e Los Angeles njoftoi se personi që kreu këtë akt, akuzohet për vjedhje të veturës. Policia gjithashtu njoftoi se po heton gjendjen mentale të tij. Lee Reed është qëlluar dhe vrarë më herët gjatë këtij muaji. Policia akoma po kërkon informata për këtë vrasje. Gruaja e pastorit theksoi se diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë 75-vjeçare të kishës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb