Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump akuzoi zyrtarët e Kalifornisë për paaftësi lidhur me trajtimin e zjarreve vdekjeprurëse që shpërthyen rreth Los Anxhelosit.

“Zjarret janë ende të ndezur në LA. Politikanët e paaftë nuk e kanë idenë se si t’i shuajnë”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.

“Kjo është një nga katastrofat më të këqija në historinë e vendit tonë. Ata thjesht nuk mund t’i shuajnë zjarret. Çfarë nuk shkon me ta?” ka shkruar ai.

Shpejtësia dhe intensiteti i flakëve që kanë shkatërruar Los Anxhelosin kanë testuar kapacitetet e forcave zjarrfikëse dhe kanë shkaktuar pyetje dhe kritika në lidhje me gatishmërinë e shtetit.

Hidrantët e ujit u thanë në Palisades pasi zona u shkatërrua nga një nga pesë zjarret e që prekën rajonin, ndërsa mungesa e ujit pengoi betejën për shuarjen e flakëve edhe në pika të tjera.

Pak më shumë se një javë para se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka nisur një seri akuzash kundrejt Guvernatorit demokrat të Kalifornisë Gavin Newsom për dështim në trajtimin e situatës.

Newsom ndërkohë e ka ftuar Trumpin të vizitojë Los Anxhelosin dhe të vëzhgojë shkatërrimin me të.

Zjarret deri më tani kanë vrarë të paktën 16 njerëz, kanë zhvendosur 150,000 të tjerë dhe kanë shkatërruar më shumë se 12,000 struktura, sipas zyrtarëve shtetërorë.

“Mijëra shtëpi janë zhdukur dhe shumë të tjera së shpejti do të humbasin. Ka vdekje kudo”, tha Trump në postimin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb