TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kryeministrin Edi Rama se po kërkon të çojë popullin në konflikt të fortë social dhe të zhdukë pluralizimin politik.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha sot se Presidenti me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit ka mbrojtur dy kolonat e republikës parlamentare.

“Pasi vepra korruptive të përmasave gjigande si Milot-Balldren, Rruga e Arbrit, koncesione në shëndetësi po tenton t’i japë demokracinë krimit me koncesion. Pushteti rrëmbeu votat në 2017 dhe kur dosja 339 dhe 184 të cilat kanë të evidentuar krimin zgjedhor nuk zbardhen, janë tentativa tjetër që demokracinë t’ia dorëzojnë krimin me të cilin kanë ardhur në pushtet dhe Rilindja kërkon të rrijë në pushtet. Presidenti i Republikës ka nxjerrë dje një dekret për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. Presidenti ka kryer një veprim kushtetues që ka mbrojtur dy kolonat e republikës sonë parlamentare: pluralizmin politik, ka mbrojtur unitetin e kombit nga një rrezik ekstrem konflikti civil dhe social të pashembullt. Rilindja e interesuar të përvijojë puçin kushtetues të rrëmbimit kriminal të pushteteve”, deklaroi Vasili.

Ai theksoi se ky kryeministër ka humbur njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka të drejtë të administrojë më zgjedhje në Republikën e Shqipërisë. “Rama është i interesuar drejtpërdrejt që në Shqipëri të vendoset monizmi, zhdukja e pluralizmit politik dhe kërkon të vendosë në konflikt të fortë social popullin e nëpërmjet kësaj të shtyjë orët e pushtetit për të vijuar të vjedhë qindra miliona pa u ndëshkuar”, tha ai.

Vasili deklaroi se në këtë situatë udhëkryqi të rrezikshëm, opozita është më e palëkundur dhe më e fortë se kurrë për të mbrojtur demokracinë nga krimi dhe në mënyrë që të jenë qytetarët që të përcaktojnë të ardhmen. “Kjo betejë është për të shpëtuar themelet e shtetit dhe të ardhmen e fëmijëve tanë nga rrëmbimi kriminal që ka një fund të sigurt pasi sot përballë ndodhet një popull i tërë i vendosur në një kauzë të drejtë”, tha Vasili.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb