TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur akuza të rënda sot ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesve të policisë. Eriona Bixha, kandidate për deputete e LSI-së në Tiranë, tha sot se Agim Kajmaku dhe nipat e tij po shpërndajnë para në zonën e Vorës dhe po iu bëjnë presion mbështetësve të LSI-së.

“Denoncoj drejtuesin e shitblerjes së votave në bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku që e ka shndërruar makinën e tij ‘Volkswagen” në bankë. Çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi. Dy nipërit e tij, Edi Kajmaku dhe Ladi Kajmaku janë njerëzit më të besuar që përgatisin zonën dhe ushtrojnë presion. Ndërkohë shtetasi Rexhep Shehi që lëviz me ‘Benz C-Clas’ dhe Ledio Sorra me ‘Peugot’ mbulojnë shitblerjen e votave në Gjokaj dhe Picar. Po ashtu Dritan Stoka, punonjës i ALUINI-t. I bëj thirrje edhe drejtorit të ALUIZNI-t që të shamngë shpërndarjen e legalizimeve në këtë periudhë për vota. I bëj thirrje publike Policisë së Shtetit, të marrë masat e nevojshme për t’i thënë stop këtij fenomeni të paskrupullt. Jemi në dijeni të plotë edhe për skenarët ndaj aktivistëve të LSI-së nga ish-drejtues të policisë dhe ish-ministri Tahiri. Kurrsesi nuk mund të blejnë votat, lirinë dhe dinjitetin e vajzave e grave e të rinjve të bashkisë së Vorës”, deklaroi Bixha.

DEKLARATA E PLOTE

Si një kandidatë e re, realisht nuk mund të qëndroj indiferente ndaj një situate kaosi dhe presioni të vazhdueshëm që po ushtrohet banorëve të Bashkisë Vorë! Ndihem e indinjuar, e revoltuar që disa persona mendojnë që me lekë mund të blejnë lirinë dhe dinjitetin e banorëve të Vorës dhe në mënyrë të veçantë të të rinjve aty!

Uragani i fitores plebishitare që LSI do të ketë në 25 qershor është kthyer në makth për disa forca politike.

Dua publikisht të denoncoj “Drejtuesin” e shit-blerjes së votave në Bashkinë e Vorës, Agim Kajmakun, i cili e ka shndërruar makinën e tij tip “Volkswagen” të zi në një bankë, ku në bashkëpunim të plotë me drejtues të komisariatit të Vorës (dhe për këtë mund të verifikoni tabulatet telefonik) dhe nën përkrahjen e ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, çdo nate organizojnë skemën e shpërndarjes së parave, shtëpi më shtëpi!

2 nipërit e tij Edi Kajmaku (drejtor i ujësjellësit në Kombinat), i cili lëviz me një makinë “Benz C-Class” me targa AA988OD dhe Ladi Kajmaku janë njerëzit më të besuar të cilët përgatitin terrenin dhe bëjnë presione lart e poshtë nëpër zonë. Këta ishin disa nga emrat që mbulojnë zonën e Prezës, Muçaj dhe Marqinetit.

Ndërkohë, shtetasi Rexhep Shehi i cili lëviz me mjetin “Benz c-class” me targa AA 689 GM dhe shtetasi Ledio Sorra i cili lëviz me mjetin “Peugot” me targa AA 023AV mbulojnë shit-blerjen e votave në zonën e Picarit dhe Gjokaj.

Gjithashtu, edhe Bërxulli ka përfaqësuesin e tij në këtë mirëorganizim i cili është shtetasi Dritan Stoka, punonjës i ALUIZNI-t. Këtu, dua t’i tërheq vëmendje drejtorit të ALUIZNI-t për shmangien e shpërndarjes së legalizimeve për qëllime elektorale. Legalizime të cilat kanë përfunduar procedurat ligjore muaj më parë shpërndahen sot për efekt blerje votash.

Dua t’i bëj thirrje publike Policisë së Shtetit (edhe pse sot jam e bindur që makinat e personave në fjalë mund të kenë ndryshuar si çdo ditë) të marr masat e nevojshme, për t’i thënë stop këtij fenomeni të turpshëm, të paskrupullt dhe shkatërrues për banorët e nderuar të Bashkisë Vorë.

Jemi në dijeni të plotë edhe të skenarëve që po përgatiten për aktivistë të LSI në Vorë, nga Ish- drejtues të lartë të Policisë, në kujdesin e veçantë të Ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të cilët kurrsesi me mashtrimet, me arrogancën dhe babëzinë e tyre nuk mund të blejnë votat e vajzave, nënave, e të rinjve të mrekullueshëm dhe banorëve të Vorës.

Vora e di që shansi i saj për të “thyer” njëherë e përgjithmonë këtë fenomen të tmerrshëm, si dhe për t’i dhënë vetes shanse për jetesë më të mirë, punë të mirëpaguara dhe mirëqenie më të lartë është të votojë nr. 1! Lërini njerëzit të votojnë të lirë, të qetë dhe me besim më 25 qershor ! 25 qershori është dita e shqiptarëve, është dita e votës së lirë!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: