TIRANE

Ndërsa komentoi gjerë e gjatë vendimin e lidershipit të PD-së për të djegur mandatet, analisti Fatos Lubonja dha versionin e tij edhe për qëndrimin e LSI-së. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, ai u shpreh se edhe nëse LSI-ja vendos të mos i djegë mandatet, një gjë të tillë nuk e shihte si tradhti, por si një mënyrë tjetër reagimi.

“Nuk i jap dot mendim atyre, e dinë ata se çfarë ushtarësh kanë. Unë po ta di se i kam ushtarët e hap luftën, por kur i kap qeveria do ta mendoja dy herë.  Edhe nëse del me vendim ndryshe nga Basha do të thotë se kjo forcë  e bën luftën në parlament. Kjo nuk është tradhti për mua. Po dolën në solidaritet tregon se opozita është e gjitha e bashkuar. Unë nuk mendoj që ky (Rama) të marrë përgjegjësi deri sa të shkatërrojë gjithë Shqipërinë, pa pasur fare opozitë”,- tha Lubonja.

Lidhur me vendimin e diplomatëve të BE-së për të shkuar në zyrën e Ramës pas vendimit unanim të PD-së dhe jo në atë të Bashës, Lubonja tha se nuk kishte një mendim. Por ai nuk nguroi t’i etiketonte këta të fundit për bërjen e asaj që e quajti, pseudoreformë në drejtësi.

“Mendoj që këta ndërkombëtarët që na kanë bërë një pseudo reformë në drejtësi iu duhet thënë se ju flisni se u thyen dy xhama në Kryeministri, por kur iu shkatërrohen shtëpitë atyre te Astiri psr nuk thoni një fjali? A është normale kjo, shqetësohen për një xham dhe jo për njerëzit që mbesin jashtë.  Nëse këta këtu janë të korruptuar, çështja duke u bërë e madhe mund të jetë pozitive për opozitën. Por nuk mjafton që opozita ta largojë me kaq Ramën si kryeministër, me kaq  veçse e diskretiton ndërkombëtarisht. Opozita duhet të punojë me njerëzit në terren, kudo ku janë”,- vijoi Lubonja.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb