TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar rritjen me 11 për qind të akcizës së birrës për prodhuesit vendas, pjesë e paketës fiskale.

Deputeti i LSI­së, Përparim Spahiu, gjatë fjalës së tij mbrëmjen e së premtes në Kuvendin e Shqipërisë, kërkoi reflektim nga qeveria duke e cilësuar këtë rritje një mesazh dekurajues ndaj biznesit vendas.
“Dua të ndaj me kolegët edhe shqetësimin e ngritur prej kohesh nga Lëvizja Socialiste për Integrim lidhur me rritjen e akcizës së birrës për prodhuesit vendas, dhe shoqërimin e kësaj mase me uljen e akcizës për birrën e importit. Kjo politikë jo vetëm që na erdhi e papritur për mesazhin dekurajues që përçon te prodhuesi vendas, por edhe na shtoi më shumë habinë për mospërputhjen që kishte me objektivin e luftës antiinformalitet. Sepse pikërisht këtu në këtë fushë qeveria dhe institucionet tatimore po investohen prej kohësh”, deklaroi deputeti i LSI­së, Përparim Spahiu.

Ndërsa theksoi se “një ripozicionim në mbështetje të prodhimit vendas, një ndryshim qëndrimi, do ta shihja fort më të arsyeshëm”.

Ndër të tjera deputeti i LSI­së shtoi se do ta votojë projektbuxhetin e vitit 2016, duke thënë se në tërësi projekti është i domosdoshëm dhe i matur.

FJALA E PLOTË E PËRPARIM SPAHIUT NË KUVENDIN E SHQIPËRISË:
Në seancën e sotme për diskutimin e projektbuxhetit të shtetit përvitin e ardhshëm çdo i zgjedhur duhet të jetë i ndërgjegjshëm se ka vëmendjen dhe interesimin e çdo qytetari shqiptar. Fatet ekonomike të vendit, pjesë e ndërvarur e së cilës janë edhe fatet e familjeve shqiptare, ecuria dhe planifikimet e tyre vjetore, përllogaritjet e fuqisë së tyre blerëse, përllogaritja e aftësisë së tyrepër të paguar e likuiduar detyrime, marrin te gjitha përgjigje në gjithçka diskutojmë sot.

Pyetje si e ku do i shkollojmë fëmijët, sa do të jetë rroga, sa do të jenë të ardhurat, sa mund të kursejmë, sa do të tatohemi e taksohemi dhe sa investime publike do të përfitojë mbrapsht qytetari taksapagues. Të gjitha këto gjejnë përgjigje sot. A do të kem rrugë në fshat? A do të kem ndriçim? A do të kem investime në ujësjellës ekanalizime? A do të kem shërbime më të mira publike?

Prej nesh, sot, çdo fjalë dhe qëndrim duhet të dalë e mirëpeshuar. Në vend të akuzave politike duhet të përqafojmë propozimet për të mirën publike. Në vend të rreshtimeve partiake duhet të zgjedhim strategjitë që e zhvillojnë vendin. Sot vota dhe çdo propozim yni peshon drejtpërsëdrejti në përgjigjet ekzistenciale për familje dhe individë anembanë vendit.

Dua t’u kërkoj si kolegëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës që të mbyllin në heshtje lumin e akuzave e kundër akuzave që përmbytën seancën e djeshme, që kanë përmbytur e shkretuar herë pas here brigjet e parlamentarizmit.
Për shumë prej ne deputetëve në këtë sallë, sot qartësohen e
kthjellohen se sa do të përfitojë zona elektorale e gjithsecilit. Nisur nga kjo, jo pa vëmendje të shtuar jam përpjekur të ndjek e të qëmtoj deri në hollësi se sa të holla nga buxheti i shtetit janë planifikuar për qarkun e Dibrës, për Bulqizën, për Burrelin, për Peshkopinë dhe për Klosin. Nuk jam i kënaqur, si çdokush në këtë sallë. Si çdo deputet i përgjegjshëm, asnjëherë s’mund të jesh i kënaqur me çfarëdo shifre që shkon në shërbim të komunitetit apo elektoratit tënd.

Megjithatë, në diskutimin tim, në plan makro, dua të ec përmes disa pikave, në disa prej te cilave jam në pajtim me ato që janë shprehur në një artikull të pak ditëve më parë në shtypin e përditshëm, me autor kolegun dhe specialistin e çështjeve financiare, z. Angjeli.

Rritja ekonomike e parashikuar për 2016­n, 3.4%, po të mbajmë parasysh se nga ç’vit e ç’ performancë financiare paraqet Shqipëria,ngjall optimizëm. Trendi në rritje nga 1.5, në 2.1 dhe 3.4, janë një provë konkrete e triumfit përballë tërësisë së rreziqeve që kërcënonin ekonominë shqiptare. Synimi për këtë shifër, duke parë trendin rajonal të zhvillimit, vlen të konsiderohet si tërësisht ambicioz.
Ne periudha të vështira e delikate si këto, vetëm me bashkimin e ambicies me guximin për politika financiare që synojnë kapërcimin e krizave, mund t’i dilet mbanë. E lidhur me këtë qeveria meriton mbështetje.

Duke mbajtur parasysh marrëveshjen e Qeverise me FMN-­në dhekriteret ekonomike të progres-raportit të BE­së, ky buxhet i ri shkon në mbështetje të përmbushjes sa më efikase të secilit prej këtyre detyrimeve kontraktuale.

Por, përtej fjalëve të mira për atë çfarë meriton të flitet mirë për këtë projektbuxhet, mendoj se duhet të tregohemi më seriozë e të kursyer ndaj disa çështjeve që rekomandoi progres­raporti, si:
1) Konsolidimi fiskal,
2) Përmirësimi i kuadrit të menaxhimit të buxhetit,
3) Trajtimi i nivelit të lartë të huave joperformuese dhe
4) Përmirësimi i mjedisit të biznesit duke forcuar shtetin ligjor. Kolegu që citova pak më sipër u përqendrua në dy porositë e para. Pajtohem me të se konsolidimi fiskal dhe përmirësimi i kuadrit të menaxhimit të buxhetit janë dy karakteristikat më të dalluara të buxhetit të këtij viti.

Guxoj jo pa shkak t’i quaj porosi, madje do të vazhdoja duke i quajtur “Porosi të Mëdha”. Me të drejtë një ministër i kësaj qeverie gjeti një vlerësim tërësisht të përshtatshëm, sipas meje, duke e quajtur progres­raportin “bibël të punës së përditshme”. Ne fakt, i njëjti përcaktim do të vlente edhe për sferën financiare.

Rreziqet që mund t’i kanosen vendit nga mostrajtimi i kujdesshëm dhe rigoroz i nivelit të lartë të huave, mosmonitorimi dhe mosndërhyrja me plane kreative e të zgjuara, mund të na kushtojnë jo pak.
Klima e biznesit, aq shumë delikate për specifikat e saj, për të cilat rregullisht jam shprehur në shtypin e përditshëm, por edhe në komisionet parlamentare, kërkon një kujdes të pakursyer. Situata rajonale dhe kompeticioni i pazëshëm që kemi me fqinjët, veçanërisht me Maqedoninë, në përthithjen e investitorëve të huaj, mund të bëhej në çdo kohë, krejt pa pritur, me shumë kosto.

Në kushtet e tanishme të ekonomisë së Shqipërisë, traut të ekuilibritnëpërmjet të cilit po kalon, formula e suksesit është njëfjalëshe: Investime dhe vetëm investime. Detyra e shtëpisë për aktorët financiarë: Gjenerim investimesh. Edhe më parë i jam referuar me ftesa dhe projektide të ngjashme qeverisë për ristrukturim të politikave fiskale. Mendoj se po aq e nevojshme është edhe që Banka e Shqipërisë të ridimensionojë pozitat e saj në raport me zhvillimet financiare. Fara që me kujdesin e një bujku duhet të mbjellim është besimi. Nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare duhet mbjellë dhe kultivuar optimizmi, jetik për ecurinë financiare të vendit. Besimi, për të cilin në muajin e fundit ambasadori i Gjermanisë është artikuluar dy herë, ka shfaqur jo rrallë elemente të krizës. E fundit gjë që na duhet! Bizneset, vendase dhe të huaja, kanë një thyerje në kontratën e pashkruar të besimit 2­palësh në raport me politikat. Rikuperimi sa më shpejt në kohë sjell vetëm përfitime. Jam i sigurt që Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare e ka hartën e veprimeve të sigurta, dhe jam optimist për çfarë vjen më pas. Por, megjithatë, dua të ndaj edhe me publikun në këtë sallë dhe jashtë saj tre shqetësime për ecurinë e buxhetit të këtij viti dhe disa risi që vijnë në atë të vitit pasardhës. Uroj fort të jem i gabuar në gjykimin tim, uroj fort që koha të mos më japë të drejtë, por një shprehje e vjetër thotë se që frikërat t’i largosh, është më mirë t’i shfaqësh ato!

Kam pikëpyetjet e mia lidhur me të dhënat që kemi dhe si i kemi edhe më lart, uroj t’i kemi dhe praktika të na e përligjë këtë nismë që vlen për t’u mbështetur.

Një tjetër shqetësim imi, i ngritur edhe në komision, është se vendimi për të gjetur burime të jashtme financiare, mbase duhej riparë në një raport më të favorshëm për përfshirjen e tregut të brendshëm. Kam parasysh këtu rrjedhojat pozitive me të cilat mund të pasohej: norma konkurruese, mosrënia e fitimeve të bankave vendase si edhe kosto më të vogla kredish, duke pasur parasysh që nuk mungon likuiditeti në burimet e brendshme.

Vitin e ardhshëm fenomene si ai i rënies së investimeve të brendshme me kosto të drejtpërdrejtë në vazhdimësinë e projekteve si Devolli dhe TAP, nuk duhen ripërsëritur. Mospërputhjet e parashikimeve, në kushtet drejt të cilave po shkojmë, nuk mund të kenë më justifikim. Lidhur me taksën zero, druhem se në plan afatgjatë mund të përbëjë një ngarkesë për buxhetin të vështruar në tërësi. Edhe pse, si zgjidhje afatshkurtër, të momentit, unë e shoh atë si një hap të duhur dhe për t’u përshëndetur, ndaj edhe pajtohem plotësisht me të. Gjithnjë në rrafsh kohor të përkohshëm. Besoj se ky lehtësim ekstrem, ka së pari për detyrë të ndihmojë në leximin korrekt e të plotë të volumeve të mallrave dhe shërbimeve. Kam pritshmëri se si zhvillim lidh mjaft mirë biznesin me administratën fiskale për t’u qëndruar larg
praktikave jo të padëgjuara me masa ekstreme. Ndoshta rrjedhoje e drejtpërdrejtë do të jenë faturimi korrekt i biznesit si në blerje, ashtu edhe në shitje. Është një hap i mirë në momentet kur nevojitet kapërcim, por sapo ekonomia të gjeje normalitetin, duhet rimenduar e duhet pasur për çdo rast një plan afatgjatë, të ndryshëm nga ky.

Gjithashtu, si një ftesë për reflektim, dua të ndaj me kolegët edhe shqetësimin e ngritur prej kohesh nga Lëvizja Socialiste për Integrim lidhur me rritjen e akcizës së birrës për prodhuesit vendas, dhe shoqërimin e kësaj mase me uljen e akcizës për birrën e importit. Kjo politikë jo vetëm që na erdhi e papritur për mesazhin dekurajues që përçon te prodhuesi vendas, por edhe na shtoi më shumë habinë për mospërputhjen që kishte me objektivin e luftës antiinformalitet. Sepse pikërisht këtu në këtë fushë qeveria dhe institucionet tatimore po investohen prej kohësh. Një ripozicionim në mbështetje të prodhimit vendas, një ndryshim qëndrimi, do ta shihja fort më të arsyeshëm.

Por dua ta mbyll fjalën time i bindur se ky projektbuxhet dhe kjopaketë fiskale, në tërësi, është e domosdoshme dhe në tërësi e matur. Madje, sikur rrethanat të mos ishin ato që ishin, ky mund të ishte programi i duhur për t’u propozuar jo sot, por dy vjet më parë. Unë, si deputet i Grupit Parlamentar të LSI­së, shpreh mbështetjen për këtë buxhet në përgjithësi dhe uroj për një vit në përputhshmëri me parashikimet për institucionet financiare në vend, si edhe një vit më të mirë e me sa më shumë përfitime të drejtpërdrejta për familjet shqiptare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: