Ish-ministri i LSI, Edmond Haxhinasto, foli në rubrikën “Opinion”, në News 24, për themelimin e LSI dhe ndikimin e saj politik në këto 15 vite.

Haxhinasto tha se LSI ngërtheu rreth vetes një përqasje të re mirëqeverisjeje dhe kishte si qëllim kryesor çuarjen përpara të reformave, që kërkonte integrimi i vendit.

“LSI ngërthente rreth vetes një përqasje të re për mirëqeverisje dhe për të çuar përpara reformat, që kërkonte integrimi i vendit. Lëvizja filloi brenda PS, por u angazhuan me të shumë intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe fillimi ka qenë shumë premtues për politikën shqiptare. 15 vite kanë qenë shumë intensive, me përballje, duke thyer tabunë e dy partive të mëdha PD-PS. Kauzat e LSI kanë qenë shumë madhore, që me integrimin, Kushtetutën, etj. LSI ka përparësi integrimin, është një forcë e balancit”, tha ish-ministri i Transportit.

Cila është periudha më e vështirë për LSI?
Ka pasur shumë momente të vështira. Megadushku i 2005 ka qenë një përballje e jashtëzakonshme, ku një manipulim zgjedhor i dizenjuar për të eliminuar LSI, por nuk ja dolën. Po kështu ka qenë fushata e 2008, për mbrojtjen e Kushtetutës dhe mbrojtjen e masakrës që iu bë. Por, edhe më tej sfidat tona kanë qenë të shumta.

LSI, partia “dredharake”, si e ndjeni këtë?
Ky është një gjykim jo i drejtë, jo i bazuar dhe jo realist, sepse në themelimin e saj LSI ka qenë pjesë e mazhorancës. Doli nga kjo mazhorancë për t’i bërë oponencë asaj dhe për të ecur para me reformat. Më 2009, që LSI bëri koalicion me PD, kryetari i LSI dy javë para zgjedhjeve bëri kërkesë publike, ku tha se është i gatshëm të bëjë koalicion me PS, por kjo e fundit u përgjigj me arrogancë se nuk kishte nevojë, dhe rezultati e imponoi një koalicion me PD dhe shumë mirë që u bë, se do kishte krizë politike, por edhe do bllokonte liberalizimin e vizave. Tërheqja nga koalicioni me PD ishte një përfundim kontrate, por bashkëpunimi nuk mund të vazhdonte, pasi PD filloi të qeveriste me arrogancë. Sot kemi sfida të jashtëzakonshme, ndonëse si asnjëherë tjetër.

Mungon Ilir Meta si lider i LSI?
Meta është duke bërë një detyrë të jashtëzakonshme politike. Janë dy temperamente të ndryshme, stile krejt të ndryshme. Kur të vijë koha për të shkruar kujtime, do t’i hedhim edhe këto. Themeluesi i LSI, Meta, po bën një detyrë shumë cilësore si President, duke përfaqësuar atë që ai i dha LSI.

Kur mund të realizohen zgjedhjet për LSI?
Nuk është çështja te Rama si person, çështja është se opozita e bashkuar në gjykimin e saj, kanë bindjen se problematika është shumë e gjerë. Kjo situatë zgjidhjet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, jo me manipulimi, jo me ndikimin e jashtëzakonshëm të të fortëve. Ajo që duhet bërë pas zgjedhjeve është akoma një sfidë më e madhe, duhet të kthejmë vendin në normalitet.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb