TIRANE- Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit politike në vend, veçanërisht nga tensionet që kanë karakterizuar marrëdhëniet PS-LSI brenda koalicionit qeverisës, zëvendëskryeministri Niko Peleshi pohoi se Partia Socialiste nuk po përdor asnjë taktikë ndaj aleatëve të saj.

Fill pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Peleshi në një deklaratë për mediat theksoi se e vetmja rrugë për partinë e tij janë strategjitë, ndërsa ‘thumboi’ LSI se përdor taktika.

“Ishte një mbledhje e zakonshme e kryesisë, jo e jashtëzakonshme; një mbledhje rutinë, që ashtu si mbledhjet e tjera i vlen organizimit të Partisë Socialiste për të përçuar përmes gjithë strukturës së vet, që është e shtirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e Shqipërisë, mesazhin dhe nevojën e mbështetjes popullore të reformave tona. Kemi një program shumë ambicioz, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë duke u përgatitur për sfidën e radhës, për zgjedhjet që do e çojnë Partinë Socialiste në mandatin e vet të dytë. Natyrisht, krahas punës së hartimit të programit për mandatin e dytë, kemi shumë të nevojshme gjithnjë që përmes strukturës sonë të përçojmë në komunitet mesazhet dhe nevojën e një bashkëpunimi, mbështetje të padeformuar të gjithë misionit tonë të qeverisjes, në çdo familje, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo grup interesi. Ky është misioni jonë, ky është fokusi jonë i pandryshuar; dhe kjo mbledhje Kryesie, siç e thashë, ishte një mbledhje e zakonshme që i shkon përshtat pikërisht kësaj filozofie.”, tha Peleshi.

Teksa u pyet në lidhje me shkarkimin dje të Zotit Ylli Manjani nga Ministria e Drejtësisë, Peleshi e cilësoi këtë vendim të drejtë.

“Edhe në emër te qeverisë, në qoftë se dëshironi, mund t’ju rikonfirmoj që ne kemi një dhe vetëm një qasje në koalicion. Qasja jonë është strategjike, nuk është një qasje taktike. Natyrisht mirëkuptojmë, dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike te koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot, kështu do të jetë edhe nesër. Natyrisht që le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli, por edhe partitë tona aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave, – të cilat nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur, të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, – nuk do të ndryshojë. Unë thashë që ne mund të mirëkuptojmë që partitë në koalicion mund të kenë taktika elektorale, të cilat për sa kohë nuk dëmtojnë qasjen tonë strategjike, janë të mirëkuptuara. Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet, e kam thënë edhe një herë në një prononcim, sepse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë.”, tha ai.

Mbledhja e Kryesisë së PS erdhi menjëherë pas ndryshimeve të fundit në qeveri si dhe përplasjeve në distancë mes dy forcave të maxhorancës qeverisëse PS-LSI. Megjithëse zyrtarisht thuhet se Kryesia është thirrur për çështjen e organizimit zgjedhor, nuk përjashtohet edhe mundësia e diskutimit të raporteve me LSI. Situata e fundit politike do të jetë tema e nxehtë mendohet të ketë qenë dhe një nga temat e mbledhjes së kryesisë së PS-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: