Nga: Valentina Madani*

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i nënshtrohet brenda pak muajsh procesit të brendshëm zgjedhor. Të gjitha strukturat e LSI-së pa përjashtim do të kenë zgjedhje të reja, që priten të mbahen në pranverë. Për këtë, LSI po përgatit rregulloren. Përmes votimit të fshehtë dhe parimit ‘një anëtar, një votë’, anëtarët do të votojnë për të besuar kryetarin e LSI edhe për 4 vjet të tjera, sikurse edhe të gjitha strukturat e tjera drejtuese të kësaj force politike deri tek organizatat bazë.

Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama, shprehet se tashmë është hartuar një dokument për hapjen e garës. Ai konfirmon se votës së anëtarësisë do t’i nënshtrohet dhe kryetari Ilir Meta, ka apo nuk ka rivalë. “Ky proces zgjedhor do të përfshijë të gjitha nivelet e partisë që nga organizatat pranë qendrës së votimit deri tek Konventa Kombëtare Zgjedhore dhe të gjitha strukturat e LSI-së. Votimi i fshehtë për të gjitha nivelet, kandidimi dhe konkurrimi përmes parimit ‘një anëtar një votë’ është konstant, i pandryshueshëm i LSI-së, sepse standardet dhe rregullat që normojnë mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve janë në edukatën e LSI-së dhe ne nuk i ndryshojmë kriteret sipas stinëve”, – deklaroi Luan Rama. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të thirret edhe Konventa që do t’u hapë udhë zgjedhjeve. “Ne jemi në fazën e përgatitjes së gjitha modaliteteve të udhëzimeve, rregulloreve dhe të procedurave mbi të cilat do të funksionojë e gjithë skema e riorganizimit dhe rivitalizimit tërësor të strukturave të LSI në të gjithë vendin”, deklaroi Rama. Mbajtjen e zgjedhjeve në radhët e LSI-së e paralajmëroi dy ditë më parë në media edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ai bëri të ditur se votimi për kreun e LSI-së do të bëhet me parimin ‘një anëtar, një votë’.

“Brenda LSI do të kemi shumë shpejt votimin ‘një anëtar, një votë’ për kryetarin e partisë. Besoj se do të funksionojë siç ka funksionuar 4 vite më parë”, – deklaroi Koka. Burime brenda LSI-së konfirmuan se zgjedhjet pritet të mbahen në muajin mars, i njëjti muaj kur është thirrur edhe kongresi i partisë më të madhe të majtë në vend, PS, e cila për kryetarin ka përcaktuar votëbesim nga delegatët. LSI ndodhet sivjet në një vit zgjedhor. Katër vjet më parë u zgjodhën strukturat e reja dhe përmes parimit ‘një anëtar, një votë’ u votua edhe për kryetarin ku morën pjesë në garë kryetari i LSI, Ilir Meta dhe Luan Rama. Betejë në të cilën pa shumë surpriza Meta u rikonfirmua në krye të LSI-së. Zgjedhjet për të gjitha forumet drejtuese përfshirë edhe kryetarin e partisë do të zhvillohen në përputhje me statutin e LSI-së. “Statuti parashikon votimin mbi bazën e parimit ‘1 anëtarë, 1 votë’ për kryetarin e partisë dhe natyrisht, votimin e fshehtë në të gjithë territorin, kudo ku ka anëtarë të strukturave në organizatat e LSI. Me ose pa kandidat, pastaj kjo është një çështje tjetër, që do të shikohet konkretisht”, – shprehet Luan Rama.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: