* Lu: Korrupsioni mbush xhepat me para të pista

TIRANE- Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, ka përcjellë edhe njëherë mesazhin e rëndësisë së reformës në drejtësi, dhe largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Duke folur në tryezën për “Reformën në Drejtësi dhe të drejtat e grave”, ambasadori Lu tha se drejtësia blihet si “mall” nga politikanët dhe të pasurit, ndërsa ata që janë viktimat e këtij sistemi janë të varfrit.

“Fakti pse me intereson kaq shumë reforma në drejtësi, dhe sidomos për të drejtat e grave, pasi i referohem një rasti në Shqipërisë. Bëhet fjalë për një grua që e kishte dhunuar burri, dhe pas vuajtjeve iu drejtua gjykatës për t’u larguar nga burri e për të mbrojtur fëmijët. Por në Gjykatë u përball me më shumë vuajtje. Gjykatat vendosi që burrit , që ishte një kriminel që ushtronte dhunë ndaj gruas, t’i linte gjithë pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve. Kjo ndodhi vetëm për shkak të korrupsionit. Në një sistem të korruptuar, viktimat janë gratë, politikanët dhe të pasurit e blejnë drejtësinë. Dhe të varfrit janë viktima. Sa herë kemi dëgjuar që u vidhen të drejtat grave në Shqipëri nga gjyqtarë të paaftë dhe të korruptuar”, theksoi ambasadori Lu.

Ambasadori amerikan tha se gratë janë më të prekura nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, duke iu mohuar shumë të drejta, edhe në rastet kur janë viktima dhune.

“Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen, Ekspertë tanë nga SHBA dhe BE u përfshinë aktivisht në çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme nevojitet një mekanizëm për të larguar gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë. Ky sistem i ri do të largojë nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Korrupsioni mbush xhepat me para të pista”, u shpreh ambasadori Lu.

Por, sipas tij, puna e vështirë nuk ka mbaruar.

“Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reforme të rëndësishme. E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të reflektuar ide më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i ndërgjegjshëm. Ky proces ka nisur, nënvizoi ambasadori amerikan”.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, e angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e të drejtave të grave, tha se vetëm vitin e kaluar 3090 gra kanë qenë viktima të dhunës. “Sistemi ynë aktual i drejtësisë dhe mbrojtjes nga dhuna ka nevojë për shkundje, duke nisur nga polici, mjeku i ambulancës ku paraqitet gruaja e dhunuar, prokurori që ngre akuzën, gjytari që jep vendimin, shërbimi social shtetëror dhe të gjitha hallkat”, u shpreh Bregu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb