TIRANË– Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama në një konferencë për shtyp nga selia e kësaj partie sqaroi rastin e denoncuar nga PS në Ksamil për një makinë me targë “AA 602 MI”, e tipit Lanca që shpërndante para dhe ushqime në këmbim të votës.


Ndonëse PS-ja denoncoi Ilir Hysin një eksponent të LSI, Luan Rama e mohon këtë dhe thotë se makina me këtë targë është marrë me qira nga Jani Bregasi, sipermarres i Rilindjes, tek një tjetër shtetas në Sarandë, që ka të njejtin emër.


“Jam këtu për të denoncuar një fakt, një akt krejt qesharak dhe krejtësisht të papërgjegjshëm dhe të frikës prej humbjes që e pret Rilindjen dhe kryetarin e Rilindjes sepse ai është shfaqur para pak çastesh si një zëdhënës gënjeshtar dhe i papërgjegjshëm. Ka publikuar një lajm të rremë. Gjatë gjithë ditës sot, strukturat e LSI me shumë seriozitet në mënyrë korrekte po denoncojnë të gjitha aktet në kundërshtim me ligjin të Rilindjes që po kryejnë shantazh në përpjekje për të korruptuar përmes blerjeve të votës, qytetarë të pafajshëm. Në faqen zyrtare të LSI në ‘Facebook’ janë bërë dy denoncime. Denoncimi i parë ka të bëjë me një fakt që shprehimisht se LSI denoncon një akt kriminal që mban autorësinë e Rilindjes. Në disa media është cituar me burime të drejtpërdrejta të Ramës, i cili thotë se: “LSI denoncon një targë makine, por bën autogol dhe është e nënprefektit të LSI”. Këtë lloj lajthitjeje mund t’ja lejonim ndonjë punonjësi ordiner dhe jo kryeministrit që shfaqet më ordiner se kaq. Është e vërtetë se kjo makinë është me pronësi të Ilir Hysit, por nuk është Ilir Hysi i LSI. Por është një Ilir Hysi tjetër që ka biznesin e vetë dhe pjesë të aktivitetet të tij ka dhënien e makinave me qira. Pra, po e theksoj këtë: Kryeministri i Rilindjes t’i mbajë shënim dhe t’i verifikojë. Ilir Hysi i LSI ka në pronësi një makinë Mercedes Benz me targë AA 474 NG dhe jo atë që denoncon PS. Kryeministri si zëdhënës gënjeshtar ta dijë se targën që tha, nuk e ka Ilir Vilson Hysi i LSI, por Ilir Fatmir Hysi”,- sqaroi ai.


Mes të tjerash Luan Rama me ironi iu drejtua kreut të PS-së se me atributet që ka si kryeministër të informohet dhe mos t’u bërë më qafë njerëzve.

“Të paktën kur artikulon lajme të tilla shfrytëzo atributin që ke si kryeministër dhe mos u bjer në qafë njerëzve të pafajshëm. LSI dhe anëtarët e saj nuk të kanë asnjë borxh që të njollosesh dhe të trillosh apo me veprimet e papërgjegjshme të një pjesë të strukturave të policisë. Më e pakta që mund të bësh është ti kërkosh ndjesë Ilir Hysit. Dhe të ndalosh bandat e tua me policë me apo pa uniform ë që po përpiqen që të intimidojnë dhe fabrikojnë me paratë e kanabisit zgjedhjet e 25 qershorit. Dëshpërimin dhe panikun për humbjen mos e shfaqe duke sulmuar qytetarë të pafajshme. Ata pinjollët e krimit që me marrë me detyrim, apo të blerë nga bashkëpunimi me kriminel për të terrorizuar qytetarët.”, tha Luan Rama.

Për të treguar se flitet për dy persona të ndryshëm Luan Rama tregoi edhe fotot e tyre përkatëse.

Ilir Vilson Hysi, i LSI
Ilir Vilson Hysi, i LSI

Ilir Fatmr Hysi

(m.a/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: