TIRANË- Zëvendës kryetari i LIS-së Luan Rama ka treguar për seminarin me vendet e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar në Londër, ku ka marrë pjesë bashkë me deputetë të tjerë.

Ai zgjedh një pjesë të fjalimit në këtë seminar të tij për të treguar dy paradokset e Ballkanit Perëndimor.

I pari ka të bëjë me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehjen e ëndrrës së tyre për të qenë pjesë e BE në një vend që ka dalë nga BE. Ndërsa i dyti me faktin që 4 vende të Ballkanit Perëndimor të pranishme, janë pjesë e NATO-s por rajoni vazhdon të jetë problematik për disa arsye.

STATUSI I LUAN RAMËS
“Paradokset” e një seminari!…
Në seminarin për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe që po zhvillohet në Londër, ku marrin pjesë deputetë nga parlamentet e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, dhe natyrisht, edhe të Parlamentit Britanik, duke e marrë fjalën në një nga seancat, theksova dy paradokse:
Paradoksi i parë: të gjithë delegacionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, flasin për anëtarësimin në Bashkimin Europian si ëndrrën e tyre të madhe e të pa realizuar, ndërkohë që e bëjnë këtë në Londër, në parlamentin e një vendi që ka vendosur të dalë nga BE dhe është në atë që njihet si procesi BREXIT!
Paradoksi i dytë: nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në seminar marrin pjesë katër vende anëtare të NATO-s; Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi, e ndërkaq, rajoni vazhdon të jetë problematik për sigurinë, për krimin e organizuar, për trafiqet dhe korrupsionin!
Retorikë! Dhe BE nga ana tjetër në krizë lidershipi, që me Procesin e Berlinit krijoi një “ishull shprese”, ku janë ankoruar përkohësisht vendet e Ballkanit Perëndimor!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb