TIRANË

Zëvendës kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama ka reaguar pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Për Luan Ramën, Haradinaj me aktin e vet civil e prej burri shteti na mëson të gjithëve se çfarë vlere të pamatë ka pesha e dinjitetit të emrit dhe e të qenit gjak e shpirt Haradinajsh.


POSTIMI I LUAN RAMËS
Ramush Haradinaj, përndryshe pesha e dinjitetit.
Ramush Haradinaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e kryetarit të qeverisë.


“Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat e posaçme, pra Gjykata Speciale. Javën tjetër do të kem paraqitjen. Nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë por si një qytetar, si Ramush Haradinaj.


Për të ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit, kam vendosur që është e drejtë të jap dorëheqjen”.

Këtë e ka bërë të ditur vetë zoti Haradinaj, duke na u shfaqur edhe një herë ai që kemi njohur të gjithë; që prej kur në radhët e UÇK-së së lavdishme u bë njëri nga komandantët e saj më trima, e kur pas çlirimit të Kosovë, në themelet e lirisë së të cilës është edhe një det gjaku Haradinajsh, u ballafaqua e dy herë e doli fitimtar në Gjykatën e Hagës!

Kësisoj Ramush Haradinaj, me aktin e vet civil e prej burri shteti, na mëson të gjithëve se çfarë vlere të pamatë ka pesha e dinjitetit të emrit, por edhe e të qenit gjak e shpirt Haradinajsh!

Luan Rama Fb
Luan Rama Fb

(m.k/BalkanWeb)