*Kujtimet e ish-ambasadorit shqiptar në Francë: Takimet te hotel “Peza”

NGA LUAN RAMA*
Duhet të kem qenë rreth 7 vjeç kur kam përjetuar eksperiencën e parë të verës. Meqë atë kohë më mbante gjyshja, një të shtunë ajo më mori për dore dhe shkuam në një dasmë ku kushëriri i saj, i martuar me një greke të bukur që para lufte, martonte vajzën. Shtëpitë tona ishin afër dhe e mbaj mend shumë mirë atë natë të zhurmshme e plot njerëz, në atë pallat pranë stacionit të trenit, ku sapo ishte shtruar darka dhe kur ngriheshin dollitë. Nuk di pse u ndodha në banjën e atij apartamenti, ndoshta nga mërzia që s’isha ulur në tavolinë, por ja tek pashë pas derës një fuçi të vogël rezervë me verë të hapur dhe kureshtar siç isha, fillova ta provoj. Më shijoi shumë ai lloj mushti vere të kuqe, e ëmbël si mjaltë dhe nuk di sa piva, por mbaj mend që kur dola dhe shkova në dhomën ku ishin shtruar në tavolinë nusja dhe dhëndri, unë thërrisja me fjalët: “Puthe nusen!”

Ishte një lloj urdhri ku të gjithë qeshnin me mua dhe ndërkohë që dhëndëri puthte nusen, unë përsërisja fjalët e mia “Puthe nusen!” Të gjithë ishin habitur me çakërqejfin tim, qeshnin, më ngacmonin, por shpejt lajmi u përhap se kisha pirë nga vera e fuçisë që ruhej në banjë, pasi dhomat e atij apartamenti të një stili sovjetik ishin si kutia shkrepëseje.

Eksperienca e dytë ishte në rininë time, kur me një mikun tim të ngushtë, tek hotel “Peza”, në birrarinë e saj blinim nga një shishe me verë të kuqe “Malaga”, e ëmbël por me shumë alkool, dhe në mbrëmjen e vonë, në mesnatë, çakërqejf dilnim në pallatet përreth dhe unë thërrisja: “Gra, dilni në punë vullnetare!”… Papritur hapeshin drita, disa koka shfaqeshin dhe papritur fillonin të sharat: “Vagabond!… Prit aty se erdha!…” Ndërsa ne qeshnim dhe fshiheshim në errësirë për të bërtitur tek pallatet e tjera, pa menduar se mund të na akuzonin si kundërshtarë të “punës vullnetare” që kërkonte Partia.

Eksperienca e tretë ishte më vonë kur gruaja ime do të lindte fëmijën e parë. Që disa muaj përpara, meqë isha kineast dhe bridhja nëpër Shqipëri, kudo ku shkoja, në veri e jug, në qytetet ku ishin kantinat e verës, e bëra zakon të vizitoja kantinat e verës, ngado kërkoja nëpër dyqanet, në qytete e fshatra dhe mblodha kështu një koleksion të jashtëzakonshëm për atë kohë prej rreth 90 lloje verërash, të gjitha të ndryshme, të kuqe, të bardha, asnjë “rosé”, duke përfshirë këtu dhe verërat më të mira që mendoja se kisha siguruar si një shishe me etiketën e “Dea”-s së Butrintit, apo shishet e “Kallmetit”, disa të Librazhdit, ku njihja dhe inxhinierin e prodhimit të verërave. Por kur ime shoqe shkoi në maternitet, ai koleksion u pi nga shokët e mi, duke festuar para kohe gjatë gjithë një jave. Kështu, veç një shishe mbeti për ta pirë me bashkëshorten.

Megjithatë, eksperienca e vërtetë me verën ndodhi kur erdha në Francë, ku duke qenë diplomat, ishte mundësia që në pritjet e shumta që jepeshin në pallatin presidencial apo në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Quai d’Orsay, të shijoje nga verërat e mira, por sigurisht jo ato që mbaheshin si kampione të verërave franceze. Por sidoqoftë, në Francë, edhe një verë që kushton lirë, është gjithnjë një verë e mirë, e këndshme, e sigurt, pasi është e kontrolluar. Francezët nuk guxojnë të bëjnë “lojëra” me verën. Sigurisht, banketet zyrtare ishin ato që na mundësonim të provonim verëra të zgjedhura, si “Saint-Emilion” të cilësisë së lartë (Premier cru) apo, “Saint-Estephe”, “Angelus”, verërat “Pommerol”, etj.

I kujtoj gjithnjë vizitat dhe darkat në shtëpinë e ish- ministrit Jacques Augard. Atëherë ai ishte “ancien senateur”, ish-senator dhe drejtonte grupin e ish- senatorëve në Senatin francez. Më parë kishte qenë ministër i qeverisë për “Autre-Mer”, pra për departamentet e Francës përtej detit, si Guajana, Kaleidonia, Reunion, etj. Jacques Augard kishte kujtime nga Shqipëria që kur ishte i ri dhe kishte vizituar vendin tonë si dhe Liceun e Korçës në fund të viteve ‘30. E donte shumë Shqipërinë dhe madje kishte shkruar për Regjimentin e Shqiptarëve që ishte krijuar në Korfuz nën flamurin e Napoleon Bonapartit, “Le Régiment des Albanais”. Në ato kohë të ndryshimeve politike dhe tronditëse për politikën shqiptare, ai na pyeste dhe interesohej për hapat e para të demokracisë në Shqipëri. Disa herë kemi qenë për darkë me Helena dhe Ismail Kadare në shtëpinë e tij, por Augard, ishte një njeri që e kishte merak t’i kënaqte mysafirët e tij me verërat më të mira. Dhe gjithnjë do të gjeje tek ai “Chateau Margaux”, apo “Saint Julien”, “Château-Neuf du Pape”, verëra më të mira të Bordeaux apo të Bourgogne-s, etj.… Dhe gjithnjë vera hidhej ngadalë në një “carafe” (kanë) kristali për t’u shërbyer pastaj në tavolinë. Augard kishte ritualin e tij në shërbimin e verës. Nganjëherë pyeste rreth verës shqiptare, në një kohë që në kushtet e egra të dimrit shqiptar të vitit 1992-1993, shumë vreshta u shkatërruan, ku hardhi dhe pemë ulliri u prenë nga njerëzit e thjeshtë për t’u ngrohur, pasi vreshtat dhe ullinjtë mbetën pa zot. E megjithatë kohë më vonë do të merrja vesh se pikërisht vreshta shqiptare e brigjeve ilire që në shekullin e parë të erës sonë kishte kapërcyer Adriatikun e Mesdheun dhe kishte ardhur në jugun e vendit të galëve, në Francë dhe ishte mbjellë në bregun e majtë të lumit Garonne, duke u quajtur “Vitis Biturica”, pra vreshta e biturgëve, meqë ajo tribu quhej kështu në këtë kohë. Ishte ajo që do të ishte paraardhësja e hardhive të llojeve “Graves” dhe “Medoc”, që duhet të jetë dhe pararendësja e hershme e Cabernet-Franc dhe Cabernet-Sauvignon. Këtë të dhënë që ka të bëjë me shekullin e parë të erës sonë do të na e mësonte historiani i verërave R. Pijassou.

Ishte një rastësi të zbuloja se dhe Parisit i kishte mbetur një vresht i vetëm dhe kjo ndodhej në një vend që edhe pse i mbytur nga turistët, të rrallë janë ata që e shohin, pasi ajo ndodhet menjëherë pas bazilikës së “Sacre-Coeur”, në kodrën e Montmartre-s1. Dhe kjo ndodhi në një ceremoni të vjeljes së rrushit që organizonte Bashkia e Montmartre-s, e cila ishte një festë e vërtetë edhe pse bëhej fjalë për një vresht të vogël, vetëm prej 1556 m katrorë dhe që mbrohej nga UNESCO. Sigurisht ishin artistët që kishin ngulmuar që ta ruanin atë vresht për vetë vendin historik ku ndodhej dhe jetën e veprimtarinë e shumë artistëve të shekullit XIX që lidhej me të, një vresht që quhej “Clos de Montmartre”. Në fakt, në kohët e vjetra, mbretërit e hershëm të vendosur në Saint-Denis apo në Louvre et Versailles, kishin vreshtat e tyre në Paris dhe rrethinat e tij, madje ato ishin në pjerrësitë e kodrës së Saint-Genevičve jo larg brigjeve të Senës. Por kuptohet, vera e tyre nuk ishte ajo e vreshtave të Bourgogne-s apo Bordeaux-së.

Vitin e dytë të qëndrimit në Paris, për herë të parë në jetën time do të bëhesha anëtar i një shoqate apo “confrerie” siç e quajnë francezët për verën, si “miqtë e Baçhus-it” në qendër të Francës, në Chateauroux dhe Shkak për këtë u bë miku im doktor Philippe Beauchamp, nga Vesdun, ku trupa e teatrit popullor sapo kishte ardhur për të dhënë shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”. Dhe pranimi bëhej përmes një ceremonie serioze, ku të vishnin petkun e veçantë me emblemat përkatëse, të jepnin emblemën e shoqatës, një medalion prej bronzi dhe shtrohej një gosti me verë. Kështu ti bëheshe mik i vreshtit dhe i verërave të atij vendi, një verë e kuqe, mjaft e këndshme kur të nesërmen mezi do të zgjoheshim. Ishte interesante se këto “confrerie” të verës ishin të përhapura ngado dhe ato e kishin origjinën që në kohën e Mesjetës dhe quheshin “confrerie bachique”, të cilat u ndaluan në kohën e Revolucionit Francez por më pas lulëzuan sërish. Atëherë, ishte peshkopi i Dijon, ai i cili u përpoq ta rivendoste ligjin për këto shoqata të Baçhus-it, ku patron i të gjithave ishte Saint-Vincent. Dhe gjithnjë po ajo ceremoni do të vazhdonte me fjalët:

“Nga Noe, ati i vreshtit
Nga Baçhus, zot i verës
Nga Saint-Vincent, patron i vreshtave
Ne ju bëjmë Kalorës, Chevalier du Tasterin…»

Kështu, rastësia e solli që edhe unë të bëhesha një “chevalier”, një “kalorës” i verës. Sidoqoftë, në Paris pikëtakohen të gjitha verërat e Francës, pasi ato i gjen në ato mijëra bistro, restorante, kafene që gjallojnë këtë qytet mitik aq të lidhur me verën. Vera e poetëve, e artistëve, letrarëve. Gjithnjë vera… dhe një botë e tërë rreth saj, pasi verën njerëzit jo rrallë e lidhnin me erotizmin. Mjafton të shohësh afresket e Pomepeit dhe kupat e verës në duart e dashnorëve. Në shekullin e XVIII, në Avignon, shishet e verës quheshin “fillets” (vajza) dhe ata kishin një shprehje interesante që thoshte “baiser une fillete”, d.m.th. “shkova me një vajzë”. Vera stimulonte libido-n.

Mjafton të shëtisësh në rrugët e Montmartres, të Montparnasse, të Quartier Latin apo buzë Senës për të shijuar magjinë e verërave franceze. Pikëtakon verën dhe adhuruesit shekullorë të saj, pasi me verën ishin të lidhur aq shumë poetë si Baudelaire, Rimbaud, Verlaine… shkrimtarë si Flaubert, Dumas, Hugos dhe më shumë Balzac apo Maupassant e Gauthier dhe qindra të tjerë, të cilët i kanë kënduar verës dhe kanë shkruar episode dhe copëza jete që lidhen me të. Kafenetë dhe bistrot si “Les Deux Magots”, “Le Flore”, “Lipp”, “Le Dôme”, “La Coupole”, “La Rotonde”, “Le Selecte” apo “Closerie de Lilas”, të gjitha këto në Motparnasse, tregimet e verërave janë të pambarimta, ashtu siç i përshkruan dhe Hemingway në librin e tij “Parisi, një festë e pambarimtë”. Në “La Coupole”, në vitet ‘20 të shekullit XX, pikëtakoje Hemingway, Dos Pasos, Fitzgerald, Sherwood Anderson, të gjithë ata amerikanë që vinin të pikëtakonin magjinë pariziane dhe që amerikania Gertrud Stein i quante “Brezi i humbur”. Nëse shkoni në Rue de Buci, pranë Odeon, aty lart, në çatinë e ndërtese, unë u tregoj miqve të mi që vizitojnë Parisin sesi aty, i dehur, Rimbaud dilte dhe hidhte në rrugë rrobat e tij deri sa zhvishej i tëri lakuriq… dy hapa më tej në Rue de Seine, është një lokal që quhet “La Palette”, ku mblidheshin dhe vazhdojnë të mblidhen piktorë, por që dikur, kur s’kishin para për të paguar verën, atëherë ata i dhuronin patronit të bistrosë paletat e tyre të ngjyrave, meqë e dinin se ai adhuronte pikturën. Në dalje të Parisit, në Port-Marly, thuhet se vera derdhej “lumë” në shtëpinë e re të Aleksandër Dumas, i cili sapo e kishte ndërtuar dhe që ai e kishte quajtur “Kështjella e Monte-Kristos”. Aty ai shkruante ndërsa ballë saj, në një tjetër vilë, ai organizonte mbrëmje madhështore, ku piheshin verëra nga më të mirat. Por shpejt, shumë parizianë që vinin me karroca, dyndeshin në mbrëmjet e tij dhe ndodhte që të vinin dhe 600 njerëz, të ftuar e të paftuar, pasi Dumas priste bujarisht dhe ata që nuk i kishte ftuar… Por padyshim edhe në Montmartre ka historitë e mrekullueshme që lidhen me verën, pikërisht aty rreth bazilikës, historitë e “Bateau-Lavoir” ose të “Lapin Agile” ku dehej Gustave Courbet, apo lokali i famshëm ku jetonte Utrillo, ku në katin e dytë, në disa tryeza të thjeshta të një kohe të vjetër mund të pish një verë të rrallë, si në një bistro qyteze rrethuar me lule. Po në cep të Parisit, në Porte de Saint-Ouen, është një “bistro” e vjetër, tashmë një restorant-teatër, që në fillim të shekullit XX mbahej nga një shqiptar, që emigrantët e vjetër e quanin “Princ Malik” e që sot e menaxhon mbesa e dikurshme e tij, një aktore teatri. Në fakt ishte një emigrant çam, Maliq Hajrullahu. Bistroja quhej, si dhe tani, “A Piçolo”, që do të thoshte “Tek vera piçolo”, pra që ishte një verë popullore dhe jo nga verat e zgjedhura franceze, ku dhe të varfrit shkojnë “ŕ piçoler”, d.m.th. të pinë. Njëlloj si verërat që dikur quheshin “pinard” dhe që s’ishte gjë tjetër veçse vera që u jepnin ushtarëve në luftë, siç kishte ndodhur dhe me ushtarët francezë në frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore. Pranë pushkës ata kishin dhe paguren e tyre me verë, një verë sigurisht e përzier me ujë, pasi s’mund të mbahej një ushtri me verë. Ndryshe vera e vërtetë do t’i çonte të dehur në betejë…

Në Paris ka një “Musée du Vin”, që ndodhet në bregun tjetër të Seine-s përballë kullës Eiffel, në një vend disi të fshehur e të strukur, në atë faqe disi kodrinore që në shekujt e mëparshëm kishte veç livadhe e vreshta. Pikërisht sipër tyre, është sot dhe shtëpia-muze e shkrimtarit të shquar Honoré de Balzak, një tjetër amator i madh i verërave, i cili u fshihej atje huadhënësve që i kërkonin paratë, por që vite më pas do të vdiste po atje. Pra, në atë vend ndodhet një muze interesant verërash, pasi dikur aty ka qenë një kuvend fetar, që në kohën e Revolucionit Francez, gjithçka u prish dhe mbetën vetëm ato salla të futura në shkëmbinjtë gëlqerorë që përbëjnë sot dhe sallat e muzeut, ku mbahen konferenca rreth verërave të shoqëruara me degustime interesante. Në fakt, ishte një kuvend i urdhrit “Vëllezërit e urdhrit Minimes të kuvendit të Passy”, të vendosur aty që në shekujt XVI-XVII. Madje dhe mbreti Louis XIII, kur dilte për gjueti në pyllin e Boulogne-s, rreth Parisit, kthehej aty të pinte një gotë verë, një “clairet” siç e quanin fretërit. Në udhën për atje, mund të shohësh gjithashtu veprat skulpturale para shatërvanit të madh që na tregojnë tablo të vjeljes së rrushit në provincat franceze. Verërat më të mira, padyshim, mund t’i pish në restorante si “Tour d’Argent”, “Chez Maxim’s” në praninë e Pierre Cardin, apo në “Laserre” në “Ladurré”, në “Crillon” “Fouquet‘s”, “Closerie des Lilas” apo “Plazza Athčnée” apo shumë lokale të tjera të cilat kanë somelierë me emër.

Sidoqoftë verëra të mrekullueshme ka në qilarët e Pallatit Presidencial “Elysées”, në atë të Quai d’Orsay, në Senat dhe në Asamblenë Parlamentare (Hôtel de Lassay) ku ndodhen koleksione verërash të jashtëzakonshme. Janë vera të rralla, siç ishte ajo që pinte de Gaulle me Kennedy gjatë vizitës së tij në Paris, në maj të vitit 1961, kur në tavolinën e shtruar ata pinë “Cap de Mourlin” të vitit 1945. Kur Mitterrand fitoi zgjedhjet në 10 maj 1981, në darkën me atë rast u shërbye “Château Haut-Brion” e vitit 1970, ndërsa kur u hoq dënimi me vdekje, në shtator të atij viti, Mitterrand nxorri verën “Château Auson” e vitit 1975, edhe pse ai nuk ishte shumë i dhënë pas verës, siç ishte në të kundërtën Chirac. Djali i tij, Jean Christophe Miterandt thoshte se, “im atë nuk është një njohës i hollë i verërave”. Kur Jacques Chirac fitoi zgjedhjet më 1995, ai i telefonoi menjëherë mikut të tij, ish-kryeministrit Raymond Barre, që të shikonte me nxitim nëse kishin mbetur ende në qilarin e presidencës “HBB”. Ky ishte kodi që donte të thoshte vera “Haut-Brion” e bardhë. Me verën “Château Haut-Brion” e vitit 1990, e kuqe, Chirac festoi me presidentin brazilian Fernando Caroso kupën e kampionatit botëror të futbollit. Pas vdekjes së Mitterrand, në ankand në Hôtel Drouot, u shitën qindra shishe “Château Margaux” të vitit 1948, të qilarit të tij personal. Në qilarin presidencial vite me radhë qëndronin mbi 15.000 shishe verërash nga më të zgjedhur, shifër kjo që çuditërisht u shtua në 24.000 shishe në kohën e presidentit Sarkozy, edhe pse ai nuk e parapëlqente shumë verën. Në këtë qilar gjen vera si “Château-Brion” të viti 1970 dhe 1989, apo “Chateau Brion” e bardhë e vitit 1990; janë gjithashtu verëra si “Château Auson”, “Chateau Lafite Rothschild” apo “Château Mourlin” e 1945. “Château Lafite” të vitit 1986 dhe 1989 janë, siç thonë specialistët “shishe mitike të një millesime të jashtëzakonshëm”. Si të thuash në atë qilar është një pjesë e historisë së Francës: “Petrus”, “Yquem”, “Figeac”, “Margaux”, koleksione të viteve 1947, 1959, 1960, 1962 e deri tani… Presidenti Georges Pompidou pëlqente verën Mouton Rothschild, mesa duket meqë kishte qenë dikur punonjës i bankës “Rothschild”, presidenti Giscard d’Estaing, pëlqente “Château Clos de Vougeot”, Mitterrand dhe Jospin, verën “Saint-Estčphe” («Haut – Marbuzet»)…

Nëse ju bie rasti të shkoni në “Ritz”, kthehuni një çast në “Bar Hemingway”, një bar që ka poetikën e një pikëtakimi imagjinar me Hemingway, pasi aty janë fotot e tij që të rrethojnë, fotografitë si “korrespondent lufte” pranë ushtrisë amerikane. Aty ai shkruante dhe pinte verë, që andej dërgonte korrespondencat e tij të luftës. Në kujtimet e tij, Hemingway kujtonte dhe atë çast të çlirimit të Parisit, kur ai u ndodh në “Hôtel Ritz” dhe ku atë mbrëmje e festoi me verërat e shumta të qilarit të hotelit të famshëm parizian. Ç’festë!…

Vera, midis mitit dhe artit
“Po të vdes, varrosmëni në një bodrum me verë të mirë”

Kur flet për Francën është e pamundur të mos flasësh për verërat e saj, një nga më të mirat në botë, aq sa francezët e konsiderojnë atë njëlloj si një vepër arti, pasi vera për ta është histori, jetë, ajo ka shpirt, ka moshën dhe gjuhën e saj. Asaj i këndohet. Madje sot, vreshtarë të shumtë organizojnë çmime letrare duke i shpërblyer poetët dhe shkrimtarët me verë. Ja pse nuk habitesh kur dëgjon se ka “Universitet të verës”, “Akademi mesdhetare të verës”. Bordeaux dhe Bourgogne “luftojnë” mes tyre se cili është në piedestalin e verërave. Dikur në Mesjetën e vonë, thuhej se ishte Borgogne, më pas, me shfaqjen e Alienor d’Aquitaine, ishte Bordeaux por përsëri Bourgogne rivinte me pamjen hijerëndë të saj, ndryshe nga shkëlqimi dhe aromat e verërave të krahinave dhe kështjellave “bordolaise”. Vera është kthyer në një mit të vërtetë. Jo më kot, një nga kritikët më të mëdhenj të botës, amerikani Robert Parker, drejtues i revistës “The Wine Advocate” thotë se “vendi i verës më të mirë në botë mbetet Franca”. Dhe ajo mbetet e tillë, edhe pse konkurrentët e vjetër, italianë, spanjollë qëndrojnë gjithnjë në pozicionet e tyre, dinjitoze gjithashtu, por edhe të rinjtë, nga verërat e njohura tashmë të Kalifornisë, në ato të Kilit, Argjentinës, Rodezisë së Jugut, Australisë…

Vera “Romanée-Conti”
Vera “Romanée-Conti” është një nga verërat më të rralla, pasi ajo i ngjan një miniere tepër të vogël diamanti që gjendet në kodrinat e Bourgogne-s, në një sipërfaqe prej 1,8 ha, pra sa sipërfaqja e sheshit të Concorde-s në Paris. Kjo është si të thuash vreshta më e vogël dhe më mitike e Francës, nga ku prodhohen çdo vit veçse 5000-6000 shishe. E kujtoj gjithnjë atë udhëtim në Dizhon duke bërë më pas nga tokat e Côte d’Or, rreth 30 kilometra më larg, ku më parë kisha qenë në vreshtat e Romanée Conti. Kisha dëshirë t’ua tregoja dy miqve të mi Ylljet Aliçka dhe Alket Cani, njëri ambasador dhe tjetri konsull dhe gruaja e Ylljetit, një apasionuese e vërtetë e verërave. Ne kaluam fillimthi përmes fshatit Nuits Saint Georges, që prodhon verën me të njëjtin emër “Nuits Saint Geroges”, ku në tregun fshatar blemë disa shishe nga kjo verë e këndshme midis verërave të Bourgogne-s por jo si “Romanée-Conti”, të cilën as mund ta blinim dhe as mund ta shijonim. Sapo kapërceje fshatin, pak metra pas kishës, në ngjitje, në një shpat kodrinor, shtriheshin vreshtat e pakta të Romanée-së. Një mur i gjatë që ndante vreshtat me shtegun, një kryq i madh, dhe ne që vështronim atë vresht mitik që s’kishte asgjë përrallore nga pamja, por që nën tokë fshihte thesaret e vërtetë, rrënjët e hardhive nga ku do të merrte jetë vera e atij viti. Pra, ky ishte vendi mitik me hardhitë “pinot noir”, që përmendet që në 1131, kur Hugues II, duka i Bourgogne-s ia la këtë tokë të papunuar të Flagey dhe Vosney një kishe të vogël të Saint-Vivant, e themeluar që në vitet 900 por që kishte hyrë në gjirin e abacisë së Cluny më 1241. Por vreshta do të bënte emër në shekullin e XVI kur murgjit do të përkujdeseshin për këto vreshta, duke marrë emrin Romanée. Më 1760, ishte princi Conti, François de Bourbon që e bleu këtë vresht. Kështu vera e këtyre vreshtave filloi të quhej “Romanée-Conti”. Madame Pompadour, favoritja e mbretit Louis XV, bëri çmos ta shtinte në duart e saj këtë vresht, por princi bëri rezistencë. Por fill pas revolucionit, “burbonëve” ua morën pronat dhe kjo vresht kaloi dorë më dorë, por emri nuk iu ndryshua.

Vreshta “Romanée-Conti” që siç thonë disa degustatorë “jep një verë prustiane”, rrethohet nga vreshta të tjera po aq të mira dhe me emër si “La Tâche”, në krah të saj, me 6,06 ha dhe që prodhon një verë joshëse, elegante dhe të fortë, nga “Romanée-Conti-Saint-Vivant” me 9,44 ha; vreshtat “Richebourg në veri të saj me 3,51 ha, që jep një verë të fortë e të koncentruar si dhe “Echézeaux” me 3,52 ha. “Vosné-Romane”, siç quhet kodrina përreth, është si të thuash qendra e mitologjisë vitikole të Bourgogne-s. Pra ne ishim si të thuash në një vend mitologjie, ku vera ishte kthyer në një lloj miti modern, çka do ta ndeshnim në muzeun e “Hospice du Beaune”. “Romanée-Conti”, shitet me arka druri me gjashtë shishe ku krahas një shishe “Romanée-Conti” vendoset gjithnjë një “Richebourg”, apo “La Tâche”, “Romanée-Saint-Vivant”, “Echézeaux” dhe “Grand Echezeaux”. Dhe kuptohet çmimi i kësaj arke është si të ishte praruar në flori… Atë ditë buzë vreshtit Romanée-Conti, m’u kujtua dhe romani i një shkrimtari japonez, Kaiko Takeshi, i cili kishte shkruar një novelë me titullin “Romanée-Conti 1935”. Ishte historia e një romancieri, (mesa duket diçka personale), dhe e një sipërmarrësi, të cilët diskutojnë para një sheshi vere “La Tâche” si dhe një sheshi “Romanée-Conti” 1935… Disa vite më vonë, në një darkë me ambasadorin francez Bernard Fitoussi, ku ai kishte ftuar disa miq, duke folur për verërat, i thashë se më kishte mbetur peng që s’kisha shijuar një shishe “Romanée-Conti”, duke i treguar njëkohësisht historinë që kisha dëgjuar nga Bernard Pivot për shishen e tij të vetme “Romanée-Conti”, që kishte vite që e ruante. Dhe simpatik siç është, ambasadori francez në Tiranë, me shumë bujari më premtoi se kishte dy shishe në qilarin e ambasadës dhe se njërën prej tyre do ta shijonim bashkë. Vera “Romanée-Conti” është një verë që ruhet gjatë, madje 30 vjet, më pak apo më shumë sipas prodhimit të vitit…
*Titulli në origjinal “Franca – një histori vere!”. (Titujt janë të redaksisë)

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: