Pas përfundimit të një cikli 3 mujor trajnimesh me ekspertë vendas e të huaj, McCain Insitute Arizona State University ka finalizuar me sukses programin “Lidershipi i udhëhequr nga karakteri”. Studentë nga “Luarasi” e universitete të ndryshme në vend, janë certifikuar për projektet interesante që ideuan me synim përmirësimin e jetës në komunitet. I udhëhequr nga Instituti McCain, ky grup të rinjsh plot me energji pozitive ka si objektiv të përcjellë një frymë të re për Shqipërinë.


Anëtari i Institutit McCain Dael Dervishi, tregon se numri i kërkesave nga studentët e shumë universiteteve për t’iu bashkuar këtij programi po rritet dita-ditës. Ai shton se “Lidershipi i udhëhequr nga karakteri”, ka një impakt pozitiv në shoqërinë shqiptare.

Të pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishin edhe rektori i “Luarasi”, prof.dr Ethem Ruka; kryetari i Bordit të Administrimit Dashnor Dervishi si dhe administratori i universitetit, Kino Buxheli. Ruka iu tha studentëve se kjo është një përvojë interesante që aplikon ide e projekte inovative, të nevojshme për vendin.


Studentë nga universitete të ndryshme në Shqipëri, e vlerësojnë këtë cikël trajnimesh në McCain si një ndër eksperiencat më të mira që i ka lidhur më shumë me komunitetin ku jetojnë.


Studentët pjesëmarrës në këtë trajnim, janë angazhuar vullnetarisht në komunitet me projektet e tyre personale në mbrojtje të kauzave shoqërore. Ky program ka për qëllim krijimin e një kulturë të re në përgatitjen e liderëve të brezave të ardhshëm, të cilët identifikohen nga karakteri i tyre, angazhimi për të shërbyer në një kauzë më të madhe se vetja, aty ku ka më shumë nevojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb