Universiteti “Luarasi” ka zyrtarizuar një bashkëpunim të rëndësishëm me London School of Economics (LSE), duke sjellë për herë të parë në Shqipëri tre programe akademike me standarde ndërkombëtare: Menaxhim Biznesi, Financë dhe Data Science.

Në një konferencë të përbashkët në Tiranë, përfaqësues të LSE dhe ekipi akademik i “Luarasit” shpallën këtë partneritet që synon të ofrojë një arsimim të nivelit të lartë për studentët shqiptarë.

James Abdey, drejtor akademik i asociuar në LSE, i ftuar në emisionin “Open” në News24, u shpreh se ky bashkëpunim i jep mundësinë studentëve në Shqipëri të ndjekin një kurrikulë të LSE me një kosto më të ulët, por me të njëjtat standarde akademike.

“Jemi të fokusuar në cilësinë para sasisë, ndaj kemi zgjedhur tre nga programet më të kërkuara të LSE,” tha Abdey. “Ky është një hap i rëndësishëm për studentët shqiptarë që duan të kenë akses në një diplomë ndërkombëtare pa qenë e nevojshme të largohen nga vendi”, shpjegoi Abdey.

Një nga pikat kyçe të këtij bashkëpunimi është aftësimi i studentëve për tregun global të punës. Programet janë dizajnuar për të pasqyruar tendencat më të fundit dhe kërkesat e industrive në nivel ndërkombëtar.

“Ne kemi një fokus të fortë në punësimin e studentëve tanë,” shtoi Abdey. “Kurrikulat janë përshtatur për të siguruar që studentët të jenë të përgatitur për tregun e punës, duke i bërë ata konkurrues në nivel global”, tha ai.

Abdey shpjegoi se Universiteti “Luarasi” tashmë është një qendër e akredituar trajnimi nga LSE, duke garantuar se programet e reja do të ofrojnë cilësi maksimale në mësimdhënie. Stafi akademik i “Luarasit” do të trajnohet nga ekspertët e LSE, duke siguruar që standardet e institucionit britanik të respektohen në të gjitha nivelet e procesit mësimor.

Ky binjakëzim përfaqëson një hap të madh për arsimin në Shqipëri, duke i dhënë studentëve mundësinë të ndjekin një program të LSE pa qenë nevoja të studiojnë jashtë vendit, ndërsa diplomohen me një titull që vlerësohet ndërkombëtarisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb