Universiteti “Luarasi” çel sot vitin akademik 2019-2020. Teksa ka bërë një prezantim të universitet, rektori Et’hem Ruka i uroi suksese studentëve që ulen për herë të parë në auditorët e këtij institucioni, dhe jo vetëm, ndërsa bëri me dije se çdo vit e më shumë maturantët besojnë tek ‘Luarasi’.

Mes të tjerash Ruka nënvizoi faktin se ajo që e bën të veçantë “Luarasin” është besueshmëria e lartë që ka si Universitet si dhe stafi akademk.

Luarasi
Luarasi

“Pas 5 vitesh do të jeni profesionist, të Drejtësisë, Ekonomisë dhe Teknologjive të Informacionit. Fillimi duket pak i vështirë, por të gjitha gjerat janë njerëzore. ‘Laurasi’ është njerëzor, po ashtu edhe pedagogët. Këtu do të gjeni një mjedis motivues, do të merrni një dashuri për profesionin dhe mos të ngopeni me dije. 5 vite studimi do të jenë e ardhmja juaj dhe do të keni diplomë me logon e ‘Luarasit’, një nga diplomat më të mira që japin universitet në Shqipëri. Këtu në këtë sallë është e gjithë Shqipëria. Rezulton se këtu midis jush ka studentë që vinë nga 23 rrethe të Shqipërisë. Është bashkë Veriu dhe Jugu, Lindja dhe Perëndimi. Në ditët në vijim ju do të bëheni miq, do të ndihmoni njëri-tjetrin, do ndiqni shembullin e njeri-tjetrin. Ky investim që do të merrni tek ‘Luarasi’, është investim për ju dhe shoqërinë shqiptare. ‘Luarasi’ ka vite që rritet, ka vite që forcohet. Ka besueshmëri të lartë publike në vend. Ne nuk i konsiderojmë studentët si numër, si njerëz pa identitet që nuk njihet. Infrastruktura tek ‘Luarasi’ është e shkëlqyer. Por godinat janë godina, e muret janë mure. Ajo që e bën universitetin të mirë janë profesorët. Fatin e universitetit e kanë në dorë ne pedagogët, dhe ju studentët. Duhet të vlerësoni shkollën, këtë mundësi që ju jepet, mundin e prindërve. Që mos ta konsideroni Universitetin si diçka fakultative. Tek ‘Luarasi’ punohet çdo ditë. ‘Luarasi’ i ka dhënë vetes dimensionin për të zhvilluar debatin e hapur. Të gjitha me dhjeta. Rrugëtim të mbarë e paçi fat!”, tha Ruka.

Urimeve të rektorit Ruka për studentët e Luarasit iu bashkua dhe diplomati i njohur Dashnor Dervishi, Kryetar i Bordit të Administrimit i Universitetit “Luarasi”. “Ju uroj mirëseardhjen në universitetin tonë! Ju uroj suksese në vitin e parë të shkollës dhe vitet e ardhshme. Uroj t’ia kaloni sa më mirë në shoqëri dhe në familje. Urime dhe suksese!”, tha ai.

Dekania e Fakultetit të Drejtësisë në Luarasi, Rezana Konomi iu bëri një sugjerim të veçantë studentëve pas urimit për një vit të mbarë. “Është një ditë e shënuar për ju. Do merrni shumë sadisfaksion nga ky vit që do shënojë jetën tuaj. Do t’i hyjmë një rruge të vështirë së bashku që është shumë e bukur. Ju falënderoj që zgjodhët universitetin Luarasi që është universiteti më i mirë.
Zbuloni limitet e mendjes. Janë shumë herë më shumë se sa i njihni. Për studentët që kanë zgjedhur fakultetin e Drejtësisë, ajo që na diferencon nga të tjerët është sensi i drejtësisë. Mos e harroni këtë”, tha ajo.

Një përshëndetje për studentët erdhi dhe nga Dekani i Fakultetit Ekonomik Mateo Spaho, i cili i inkurajoi për t’u bërë më të mirët.
“Ju uroj mirëseardhjen. Keni bërë zgjedhjen e duhur. në këto 3 vite do mësoni shumë por do mësoni të jeni dhe më shumë kuriozë dhe do keni dëshirë për të mësuar dhe më shumë. Do bëheni profesionistë. Ne do përpiqemi që ju të bëheni sa më të aftë në punën tuaj. Ju falënderoj dhe mezi presim t’ia fillojmë së bashku”, u shpreh Spaho.

Ndërsa dekani i Fakulteti të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit Indrit Baholli iu këshilloi studentëve ta shfrytëzojnë në maksimum udhëtimin akademik.
“Ju uroj një vit sa më të mbarë akademik. Shumë suksese në udhëtimin tuaj. Përzgjedhja që ju keni bërë për teknologji informacioni dhe inovacion është një përzgjedhje inteligjente. Teknologjia e informacionit është pjesë e pandarë e jetëve tona të përditshme. Ju bëj thirrje ta shfrytëzoni në maksimum udhëtimin tuaj akademik, që të merrni sa më shumë informacion për t’u bërë profesionistë të vërtetë”, u shpreh profesor Baholli.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb