Nga: Aurora GOLEMI

TIRANË-
Kolegji universitar “Luarasi” diplomoi brezin e 13-të të studentëve. Juristët dhe ekonomistët e rinj të veshur me rrobën akademike nuk mund t’i fshihnin emocionet.

I krijuar para 14 vitesh, “Luarasi” si institucion lider i dijes dëshmon edhe njëherë se ka gjithë potencialin për të përgatitur breza të denjë profesionistësh, të cilët kanë në duar një dokument që jep siguri për një karrierë të shkëlqyer dhe që premton shumë.

Ceremonia mbrëmjen e së premtes në oborrin e Kolegjit Universitar “Luarasi”, ku 164 studentë të ciklit “Bachelor” dhe “Master” festuan diplomimin e tyre, ishe madhështore.

Në ceremoni ishin të pranishëm personalitete të shquar që prej vitesh kanë bashkëpunuar me “Luarasin” nga fusha e drejtësisë dhe e botës së biznesit.

Një përshëndetje e veçante nga shkrimtari Ismail Kadare hapi ceremoninë e diplomimit. Kadare inkurajoi studentet e diplomuar të jenë pjesë e ndryshimit, duke i cilësuar ata mbartës të shpresës.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla zgjodhi që ditën e parë të punës në mandatin e dytë ta nisë tek universiteti elitë në vend. E ftuara e nderit shprehu vlerësimin maksimal dhe krenarinë për studentet që nxjerr “Luarasi”. Nikolla tha se është pikërisht familja Hysenbelliu që mbështet studentët dhe kujdeset për ta për sfidën që i pret pas studimeve, për karrierën e tyre.

14 vjet më parë “Luarasi” ishte vetëm një ide dhe një projekt i juristit të njohur profesor Aleks Luarasi, sot ka një kontribut esencial në strukturimin e universitetit. Themeluesi i Luarasit u shpreh se tradita e konsoliduar e universitetit vazhdon, e përforcohet çdo vit e më shumë.

Rektori i “Luarasi” Arben Malaj tha se Luarasi do të jetë pranë studentëve edhe në këtë fazë të re që fillon në jetën e tyre.

I ftuar në ceremoninë e diplomimit, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për vite bashkëpunëtor i universitetit uroi studentët që nuk kanë thjesht një diplomë në xhep, por një CV që do t’iu vlejë në misionin që sapo e kanë nisur. Zaganjori ftoi juristët e rinj të jenë pjesë e reformës në drejtësi dhe ta çojnë atë përpara.

Luan Bregasi, anëtar i bordit të administrimit të “Luarasi” dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të universitetit dha lajmin e mirë për ata që do t’i besojnë këtë vit të ardhmen e tyre “Luarasit”. Ai premtoi se 3 më të mirët do të fitojnë bursë të plotë nga Biznes Albania dhe shoqatat e tjera të biznesit.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medalje nderi dhe çertifikata për ata që kanë spikatur me dijet e tyre dhe me siguri do të jenë liderët e së ardhmes. Medaljet e nderit u ndanë nga Zëvendës Presidentja e “Hysenbelliu Group” Fabiola Hysenbelliu, kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori dhe Presidenti i Biznes Albania Luan Bregasi.

Të sapodiplomuarit e Drejtësisë dhe Ekonomikut mezi e kanë pritur momentin e fluturimit të kapeleve të tyre mes emocioneve të rralla duke mbyllur kështu një cikël të rëndësishëm të jetës. Me hedhjen e kapeleve akademike të brezit të 13-të të të diplomuarve, “Luarasi” shkruajti sërish historinë.

Shifrat e suksesit tek “Luarasi” flasin vetë. Nuk është e rastit që 83% e studentëve të Drejtësisë dhe të Ekonomikut kanë arritur të punësohen pasi komuniteti i biznesit me të cilën “Luarasi” bashkëpunon, lehtëson një nga sfidat e “Luarasit” për punësim që në bankat e shkollës.

E gjithë puna e lodhshme dhe përkushtimi i këtyre viteve, duket se iu janë shpërblyer studentëve. Janë zyrtarisht të diplomuar por jo vetëm kaq. Ata janë të lumtur pasi e kanë gjetur veten në tregun e punës. Juristët dhe ekonomistët e sapodiplomuar shprehen mes emocioneve të natyrshme se “Luarasi” ishte një zgjedhje e shkëlqyer.

Çdo vit e më shumë “Luarasi” dëshmon se është i vlefshëm për shoqërinë shqiptare por mbi të gjitha, një Kolegj Universitar që transmeton dëshirën për tu rritur, për të ndryshuar, për të mësuar, përherë gjatë gjithë jetës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb