TIRANE- Kolegji Universitar “Luarasi” diplomoi brezin e 14-të të studentëve në një atmosferë festive, ku morën pjesë profesorë, studentë dhe personalitete të shquara të vendit. Ceremonia e diplomimit përkon me 15-vjetorin e themelimit të “Luarasit”.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medalje nderi dhe certifikata për ata që kanë spikatur me dijet e tyre dhe me siguri do të jenë liderët e së ardhmes. Medalja e nderit u dha nga kryebashkiaku Erion Veliaj, ndërsa certifikatat për studentët e ekselencës nga Zëvendëspresidentja e “Hysenbelliu Group”, Fabiola Hysenbelliu. 200 të diplomuarit e drejtësisë dhe ekonomikut mezi kanë pritur të fluturojnë kapelat e tyre mes emocioneve të rralla, duke mbyllur kështu një cikël të rëndësishëm të jetës. Me hedhjen e kapelave akademike të brezit 14 të diplomuarve, “Luarasi” shkroi sërish historinë. Vetë studentët janë shprehur tejet të lumtur që tashmë mbajnë në duar një diplomë që do t’u hapë dyert për të ardhmen profesionale. “Jam shumë e lumtur që jam diplomuar te ‘Luarasi’, stafi ka qenë profesionist dhe kurrikula bashkëkohore. Investimi më i mirë që kam bërë në jetën time”, – tregon një prej studenteve të sapodiplomuara. Një tjetër student tregon se gërshetimi i praktikës me teorinë është një nga armët më të forta të këtij universiteti. “Ndihem shumë i kënaqur që kam qenë pjesë e ‘Luarasit’, një universitet me një staf akademik të shkëlqyer, që gërsheton praktikën me teorinë. Besoj se shumë shpejt e ardhmja ime do të ndryshojë”, – tregon studenti.

Themeluesi i “Luarasit”
15 vjet më parë “Luarasi” ishte vetëm një ide dhe një projekt i juristit të njohur, profesor Aleks Luarasit, i cili sot ka një kontribut esencial në strukturimin e universitetit. Themeluesi i “Luarasit” u shpreh se tradita e konsoliduar e universitetit vazhdon e përforcohet çdo vit e më shumë. “Shpreh urimet më të mira për diplomimin tuaj dhe uroj sukseset më të mira për të ardhmen! Ju e kaluat me sukses këtë rrugë të vështirë, jemi krenarë për gjithçka që keni arritur deri tani. Kjo ceremoni ka një kuptim të dyfishtë: si ceremoni diplomimi dhe përkujtimi. Rritja e universitetit ‘Luarasi’ në vite ka qenë graduale, e menduar dhe e përgatitur më parë”, – theksoi Luarasi. Themeluesi i këtij institucioni elitar shtoi se shumë studentë të “Luarasit” kanë arritur të punësohen jashtë Shqipërisë falë kësaj diplome.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb