Shkëmbimet akademike dhe mundësitë për studim apo trajnim jashtë vendit janë ndër synimet kryesore të Universitetit “Luarasi” në rrugën drejt ndërkombëtarizimit.

Tre studentët e Fakultetit Ekonomik, Renis Vangjelaj, Realb Taka dhe Ergys Basha ishin të parët që provuan këtë eksperiencë të vlefshme për të ardhmen e tyre profesionale. Për një semestër ata ndoqën studimet në universitetin Sehir në Stamboll të Turqisë e përfaqësuan me rezultate të shkëlqyera vendin e origjinës.

Rektori i “Luarasi”, Prof. Dr Ethem Ruka vlerësoi bashkëpunimin me universitetet e huaja dhe theksoi se po punohet intensivisht për të fuqizuar partneritetin ndërkombëtar.

Vetë studentët falenderuan universitetin e stafin akademik për mundësinë e dhënë dhe iu bënë thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë në programin “Erasmus Plus”.

Një tjetër mundësi do të ofrohet për studentët ekselentë të secilit fakultet në “Luarasi”. Përkatësisht Amanda Hodaj, Rei Bengu dhe Bernarda Islamaj do të ndjekin një shkollë verore në Rumani.

Studentja e vitit të parë në degën Informatikë Ekononike, Enriketa Qallija tregon se mes dilemës për të studiuar në shtet apo privat, ajo zgjodhi “Luarasin”. Pas rezultateve të larta që arriti në semestrin e parë, vetë universiteti i ofroi bursë të plotë në Kinë.

Aktualisht është rritur gama e universiteteve partnere por vitin e ardhshëm synohet dyfishimi i numrit të universiteteve të huaja bashkëpunuese. Kështu studentët e interesuar mund të aplikojnë për të përfituar bursa studimi në Gjermani, Itali, Austri, Turqi, Sllovaki, Polani dhe Cceki duke shkuar kështu drejt ndërkombëtarizimit të Luarasit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb