Universiteti “Luarasi” ka zyrtarizuar një bashkëpunim unik me London School of Economics (LSE), një nga institucionet më të njohura në botë për ekonominë dhe shkencat sociale. Ky partneritet do të sjellë në Shqipëri tre programe akademike të nivelit të lartë: Menaxhim, Financë dhe Data Science.
Në një konferencë të mbajtur në Tiranë, përfaqësuesit e LSE dhe ekipi akademik i “Luarasit” shpallën zyrtarisht marrëveshjen, e cila do t’u mundësojë studentëve shqiptarë një diplomë me njohje ndërkombëtare, pa pasur nevojë të studiojnë jashtë vendit.
Rob Inglesen, përfaqësues i LSE, i ftuar në emisionin “Open” në News24, e cilësoi këtë bashkëpunim si një mundësi të jashtëzakonshme për studentët shqiptarë.
“Programet ofrojnë ekspertizën e dy universiteteve, atë të Luarasit dhe të LSE. Studentët do të marrin një edukim në mënyrë lokale, por me një mendësi globale.”
Sipas Inglesen, kurrikula e programeve është dizajnuar për të pasqyruar kërkesat më të larta akademike dhe të tregut të punës. Studentët do të kenë akses në materialet dhe metodologjinë e LSE, ndërsa procesi i mësimdhënies do të realizohet nga stafi i certifikuar dhe i akredituar i Universitetit “Luarasi”.
“Në LSE, kemi një proces të zgjeruar vettingu për çdo institucion me të cilin bashkëpunojmë. Ne ofrojmë kurrikulën dhe standardet akademike, ndërsa Universiteti “Luarasi” garanton mësimdhënien dhe burimet e nevojshme për studentët.”
Ky bashkëpunim e vendos Universitetin “Luarasi” në hartën akademike ndërkombëtare, duke i ofruar studentëve një diplomë të njohur globalisht, të vlefshme në të gjitha kontinentet.
“Këto janë diploma të një niveli global, të njohura në të gjithë komunitetin akademik ndërkombëtar,” theksoi Inglesen. “Studentët shqiptarë tashmë mund të ndjekin një program të LSE pa qenë e nevojshme të largohen nga vendi.”
Ky është një hap i rëndësishëm për arsimin e lartë në Shqipëri, duke sjellë një standard të ri në përgatitjen akademike dhe profesionale të studentëve, me synimin për t’i bërë ata konkurrues në tregun ndërkombëtar të punës.