TIRANË

Mbrojtja e konsumatorit dhe të drejtat e tij vazhdojnë të mbeten një çështje sensitive në vendin tonë. Në kuadër të problematikave që hasin qytetarët, stafi akademik i universitetit “Luarasi” ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temë “Të drejtat e konsumatorit, garancitë dhe mjetet ligjore për mbrojtjen e të drejtave”.

Të pranishëm në diskutim ishin edhe përfaqësues nga Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Avokati i Popullit e Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Rektori i “Lurasit”, prof. dr Ethem Ruka tha në fjalën e tij se pas tranzicionit, Shqipëria është përpjekur të adaptohet me standardet europiane lidhur me mbrojtjen e konsumatorit.

Ai më tej theksoi se ka ende shumë gjëra për t’u rregulluar praktikisht në këtë fushë. “Jemi mbledhur për një çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit. Është diçka shumë sensitive, e rëndësishme. Gjithë filozofia jonë në këto vite ka qenë të adoptojmë standardet për mbrojtjen e konsumatorit në të gjithë hapësirën evropiane dhe në vendet e tjera të zhvilluara. Por midis asaj që shkruhet, legjislacionit dhe asaj që bëhet ka një distancë shumë të madhe. Ka gjithmonë gjëra për t’u rregulluar”, tha Ruka.

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë nën hetim tregun agroushqimor për çmimet abuzive; tregun e shërbimeve bankare; tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto; si dhe tregun e importit e prodhimit të miellit. Këto hetime mbi tregjet u diskutuan gjatë tryezës së rrumbullakët në Luarasi nga kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, prof. dr. Juliana Latifi.

“Një treg tjetër që ne morëm këtë vit në shqyrtim dhe është me shumë interes është tregu agroushqimor. Të gjithë ne përballemi me çmime relativisht të larta. Kompania e cila operon në tregun agroushqimor abuzon me çmimet. Kërkuam hapje hetimi paraprak me një masë të përkohshme dhe në fund një gjobë. Një tjetër treg që kemi futur në proces hetimi është dhe tregu i shërbimeve bankare. Në procedurë hetimore kemi marrë edhe tregun e importit, prodhimin dhe tregtimin e miellit, të naftës bruto në të cilat tregtarët abuzojnë me çmimet”, theksoi kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës. Latifi shtoi se kanë nisur hetimet edhe mbi tregun e shërbimit spitalor dhe atë të arsimit të lartë në vend. “Kemi hapur hetime dhe jemi akoma në procedurë për tregun e shërbimit spitalor dhe një hetim të përgjithshëm në tregun e arsimit të lartë”, tha Latifi.

Më tej, Anisa Buzheli nga Autoriteti i Konkurrencës ka demonstruar me shembuj konkretë masat e marra nga institucioni në rastet e konstatimit të shkeljeve të të drejtave të konsumatorit.
“Komisioni i konkurrencës i ka dhënë disa rekomandime ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë”, tha Buzheli. Dekania e Fakultetit të Drejtësisë në “Luarasi”, Rezana Konomi ka bërë me dije se në zyrën ligjore që operon falas nga ky universitet, kanë ardhur ankesa të shumta nga qytetarët lidhur me cenimin e të drejtave të konsumatorit.

“Konstatuam që ankesat që vinin ishin pa dyshim të shumta, por nga mbrojtja e të drejtës konsumatore nuk është bërë aq sa duhet në zbatimin e këtij kuadri ligjor. A ka mundësi që ky zë që më së shumti është i padëgjuar, si zë, konsumatori, të mund të dëgjohet më shumë?! Është shumë e rëndësishme të mund të informojmë shtresa të cilat janë në kushte më të pafavorshme dhe që cenohen më lehtë nga shkelja që u bëhet të drejtave të tyre. në fund të fundit, tryeza të tilla në auditore universiteti këtë kanë për qëllim: të zhvishemi nga politikbërja dhe të themi atë që duhet në nivel eksperti dhe profesionisti”, u shpreh Konomi.

Edhe përgjegjësia e Sektorit Juridik në AKU, Arsiola Dyrmishi ka pohuar se ka pasur një rritje të numrit të ankesave të qytetarëve që denoncojnë subjekte të ndryshme për shkelje ligjore.
“Ka pasur një numër të lartë të ankesave të konsumatorëve duke nisur nga fakti që kanë treguar më shumë besim ndaj asaj që autoriteti kombëtar i ushqimit ka bërë, por që është e kuptueshme që duhet edhe më shumë për sigurinë ushqimore”, tha Dyrmishi.

Nëpërmjet kësaj tryeze, “Luarasi” solli një diskutim të hapur për gjithë aktorët që luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb