TIRANË

Analisti, publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja ka qenë sot në emisionin e Adi Krastës në News24 për të folur për zhvillimet e fundit në vend dhe për të bërë një pasqyrim ndryshe.

Duke iu referuar debateve të fundit për Ministrin e Brendshëm të dekretuar Sandër Lleshi dhe sjelljen e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, i pyetur nga gazetari Adi Krasta se kush e ngacmon më shumë nga të dy, Lubonja zgjodhi Mid’hatin.

Bashkë me të, ai risolli deklaratën e zv.ministrit të Mbrojtjes Petro Koçi të bërë më 17 nëntor, një deklaratë që e quajti të rëndë.

“Më ngacmon më shumë debati i Mid’hatit, si njeri i kulturës dhe jam botues nga të parët e Mid’hatit dhe është një figurë që për fat të keq nuk njihet edhe pse debatohet.

Tjetër gjë që më ngacmon… e di çfarë më ngeli në mendje… pashë atje në 17 nëntor Petro Koçin që nuk bën pjesë as tek komunistët e vjetër që duke folur për çështjet e çlirimit përmendi termin kolaboracionist. Tha që familjet e kolaboracionistëve duhet t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve dhe popullit të Tiranës. E di sa e rëndë është kjo?! Pas 20 e ca vitesh që dolëm nga sistemi komunist vazhdon me familjet… E para është kjo. E dyta që të vjen në mendje, po mirë more zotëri, si ka mundësi që këto familje që nga 1945 kanë jetuar në internime të kërkojnë falje, kujt t’i kërkojnë falje, atyre duhet t’u kërkohet falje. Dhe e treta si nuk iu vjen ndër mend njëherë të thonë ky Enver Hoxha ishte kriminel. Ky nuk mund të akuzohet si bashkëpunëtor? Bashkëpunoi me jugosllavët, me Stalinin e la vendin në atë gjendje. Këtu duhet baraspeshë por edhe histori. Kjo më bëri shumë përshtypje se ishte tregues se sa mbrapa kemi ngelur”, deklaroi Lubonja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb