Analisti Fatos Lubonja në studion e emisionit “Open” në News24 u shpreh se aksionet e opozitës janë akte simbolike që duan të tregojnë shkeljet që po ndodhin.
Lubonja tha se mosbindje civile do të thotë që të mos i bindesh rregullave e ligjeve për arsye të caktuara.
“Tani ose opozita të bëjë mosbindje civile ose të mos thotë po bëjmë mosbindje dhe pastaj respekton ligjin”, tha Lubonja.
Ai u shpreh se me rrugë parlamentare, duke shkuar në sallë për debate, kjo qeveri nuk rrëzohet. Lubonja tha se as me protestat paqësore nuk rrëzohet.
“Atëherë si rrëzohet? Këta kanë ikur nga Parlamenti, kanë bërë bojkot, mund të shkojnë edhe në shtëpi, por qeveria nuk rrëzohet. Atëherë këta duhet të bëjnë një ushtri të madhe popullore që të rrinë atje në shesh dhe të mos largohen derisa të ikë Edi Rama. Këta nuk e mbledhin popullin dot dhe bëjnë këta veprime”, tha Lubonja.