Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” në “News 24” tha se në Shqipëri po lulëzon një ekonomi kriminale. Lubonja u shpreh se paratë e drogës dhe të krimit pastrohen në ndërtim.

“Sot kjo qeveri ka ngritur një ekonomi kriminale. Ndërtimet pa fund në Tiranë dhe në Durrës e Sarandë janë më shumë pastrime parash. Kriminelët në Shqipëri dhe në botë pastrojnë paratë duke i hedhur ata në ndërtim. Kjo ndodh edhe në Siçili, ku njësoj si këtu, mbeten pallatet bosh, për shkak se nuk janë para të pastra, por janë para të krimit”, tha ai.

Lubonja nënvizoi se kjo qeveri mbështet këtë ekonomi kriminale dhe krimi ka kapur politikën.

“Çfarë pret nga krimineli, mendja kriminale nuk ka logjikë. Ai ka hyrë në burg, ka kaluar 100 kalvare, ka shkuar sa në njërin burg në tjetrin. Ai këto para i hedh në ndërtim dhe i legalizon paratë. Këtu situata është shumë e rëndë, krimi hedh para në ndërtimet në Tiranë.  Unë them të hiqet ky sistem kriminal”, tha Lubonja.

Sipas Lubonjës, Tirana është kthyer në minierë, ku janë pasuruar pak njerëz. Lubonja shtoi se ka ndërtime shumë dhe pak gjelbërim. Për Lubonjën, njerëzit e krimit kanë kapur shtetin.



(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb