Analisti Fatos Lubonja në rubrikën “Opinion” në News24 tha se mbajtja e Sali Berishës nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” është e diktuar politikisht.
E ndërsa në Gjykatën Kushtetuese pritet që nesër të shqyrtohet ankimimi i ish-Kryeministrit lidhur me masat e para të vendosura nga SPAK, duke shmangur një leje nga Kuvendi, Lubonja tha se kemi të bëjmë me një akuzë të dobët ndaj Berishës, gjë që mund të favorizojë një vendim pro tij.
Lubonja tha se arrestimi i Ilir Metës dhe mbajtja e Berishës në arrest shtëpie duket si një lloj përpjekje për të treguar se po luftohet korrupsioni, por kjo mund t’i kthehet në bumerang Edi Ramës.
“Liderat e opozitës në burg ose me masa arresti, në anën tjetër korrupsioni është maksimal, e gjithë kjo situatë mund të mos shkojë në favor të Kryeministrit”, tha Lubonja.
Sipas tij, problemi është a po fiton kredibilitet SPAK me gjithçka po bën?
“Kemi një diferencim, te njerëzit e mazhorancës, shkohet me doreza të buta, ndërsa në rastin e Berishës dhe Metës shkohet deri te sekuestrimi i pronave. Sigurisht korrupsion është bërë, por duhet qepur mirë. Mendoj se sistemi nuk është prekur, janë prekur persona. Njerëzit e sistemit vazhdojnë të punojnë me Kryeministrin, pra sistemi vijon njëlloj, ndërsa SPAK godet jo sistemin, por individë”, tha Lubonja.
Ai tha se Shqipërisë po i ikin njerëzit, s’gjen njeri që të bëjë punën, ndërsa pensionistët janë viktimat më të mëdha. “Po të shikoni çmimet në treg dhe nivelin e pensioneve në Shqipëri, pensionistët mbahen nga fëmijët, pasi nuk ka mundësi tjetër”, tha Lubonja.
Përsa i takon aksionit opozitar të ‘mosbindjes civile’, Lubonja tha se ndoshta mund të ketë aksione, por ‘mosbindje civile’ nuk mund të realizohet nga kjo opozitë. Ai tha se kjo opozitë për të bërë mosbindjen civile duhet të bëjë punë edhe më të madhe, por ndoshta nuk po arrin të bindë njerëzit, nuk po arrin që qytetarët të ngrihen dhe të mbështesin një aksion të tillë.
“Denoncim, denoncim denocim, këtë po bën sot opozita, ndërsa nuk po ofron ndërtimin e një shprese. Njerëzit duan të dinë se çfarë alternative ofron. Këtë duhet të bëjë opozita, s’mund të mbetet thjesht te denoncimet. Duhet të ndërtojë shpresën”, tha Lubonja.