TIRANË

Analisti Fatos Lubonja ka ndarë me publikun nga studio e News24 ndjesitë dhe opinionin e tij për tërmetet që tronditën vendin dy ditët e fundit por edhe reagimet e mëpasme. Lubonja tha se është një moment për të reflektuar edhe për këtë katrahurë që është bërë në qytet.


Sa i përket reagimit nga lajmi që nxori gjithë shqiptarët në rrugë, Lubonja tha se e sheh më shumë si pasojë të ankthit.


“Ajo që mendoj unë është se ajo që kishte ndodhur gjatë gjithë natës pas tërmetit të parë dhe shumë njerëz kanë mbetur gjithë natën pa gjumë nga ankthi e frika. Duke iu referuar dhe përvojave si ajo që ka ndodhur në Itali, mendoj se ky është shkaku kryesor i atij ankthi. Ishte krijuar një ankth i cili pastaj shpërtheu nga një lajm që u shpërnda. Më duket se është normale në një farë mënyre që të ndodhë një gjë e tillë. Ishte një fake news thonë. Unë nuk mendoj se dikush e ka bërë për panik. Mendimi im është që fake news më i madh është tjetër gjë. Thoshte Kim Mehmeti, po vodhe 50 euro dënohesh me burg po vodhe 50 mln euro je i nderuar. Kur bie një tërmet ti duhet të dalësh dhe të rrish në ndonjë fushë. Kështu si e kanë bërë këta nuk ke një vend, një fushë ku të rrish. Tërmeti të bën të reflektosh dhe për këtë katrahurë që është bërë në qytet”, deklaroi Lubonja.


Sa i përket gatishmërisë së shtetit dhe institucioneve, Lubonja tha se prezenca reale duket pas tërmetit.
“Qeveria ishte në një farë kuptimi fatlume që dëmet e këtij tërmeti nuk ishin të mëdha. Gatishmëria mund të ishte pak edhe propagandë më shumë se sa prezencë reale. Prezencë reale është ajo që do vijë mbrapa. Instituti i Sizmologjisë nuk e di a ekziston”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)