ELBASAN – Autorët e përplasjes me policinë nga fisi Çapja u tradhtuan nga kamerat e sigurisë së lokaleve rreth vendit ku ndodhi ngjarja.

“Panorama” shkruan sot se pas përplasjes me armë mes Policisë dhe anëtarëve të familjes Çapja, grupi i hetimit ka kryer veprimet e para ku përfshihet edhe sekuestrimi i kamerave të disa prej lokaleve dhe ambienteve që kanë pasur në fushëpamje ngjarjen. Nga këto pamje, sipas Prokurorisë, dyshohen si autorë të ngjarjes së sulmit me armë ndaj Policisë shtetasit Ardjan Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça.

Nga ana tjetër, pas kapjes në flagrancë të Ardjan Çapjas nga FNSH, në ambientet e hotelit, si dhe përreth janë bërë kontrolle të imtësishme ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, një krehër me 7 fishekë, një automatik “mod¬56”, 2 krehra me fishekë, 72 fishekë “model 54”, 855 fishekë, 73 kapsolla detonatore.

Sipas Prokurorisë, të gjitha këto janë të kundraligjshme, të cilat dyshohet se janë tentuar të fshihen në momentin e shkëmbimit të zjarrit nga shtetasit Jetmir Shehu, Fiqiret Meçe, Kastriot Peqini, Ambri Sinakolli dhe Serxhio Hakilja.

Akuza
Tetë personat e arrestuar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë akuzohen për ngjarjen e ndodhur në datën 08.06.2016, ku dyshohet se anëtarët e familjes Çapja, pronarë të “Univers”, kanë qëlluar me armë në drejtim të dy punonjësve të Policisë. Efektivat e rendit ishin në mision vëzhgimi, pas përplasjeve të shpeshta të kohëve të fundit të Çapjave me persona të tjerë.

Më konkretisht javën që kaloi, para përplasjes së të arrestuarve me Policinë, në një sulm me armë në Elbasan u plagos shtetasi Bledar Muça. Ai u qëllua me armë teksa ndodhej në makinë, ndërsa nga plumbat u plagos edhe efektivja e Policisë, Matilda G., e cila ndodhej rastësisht në vendngjarje. Pas këtij krimi ndaj një të afërmi të anëtarëve të familjes Çapja, Policia vendosi shërbime vëzhgimi pranë vendqëndrimit të tyre.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: