Shfaqen gati cdo ditë në ekrane televizive, ose në të përditshme me shkrimet e tyre, por ditët e fundit janë duke debatuar ashpër mes tyre rreth cështjes së Lagunës Blu, Aleksandër Frangaj dhe kryeministrit Edi Rama. Aktorët e kësaj loje janë Aleksandër Frangaj, Mero Baze, Andi Bushati, Andi Bejtaj, Blendi Fevziu etj. Disa njihen si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, disa të kreut aktual qeverisës, Edi Rama. Disa kanë frikën se Rama po ‘blen’ Aleksandër Frangaj apo e anasjellta, disa frikën se pushteti i këtyre të dyve do i dobësojë të tjerët. Mjegulla rreth Lagunës Blu dendësohet ndërsa pastrohet pluhuri tek meraqet e analistëve. Laguna Blu i ka futur në një garë brenda një rrethi ku secili mundohet të poshtërojë tjetrin. Por kapakun u vë Andi Bejtaj që u jep dhe një mesazh të qartë kolegëve analistë.

MERO BAZE
Nuk ka ditë që analisti dhe gazetari Mero Baze mos të shkruajë për Lagunën Blu. Sipas tij, i gjithë faji është i Aleksandër Frangajt. Mero Baze më shumë se për zaptimin e Lagunës Blu, standardet, moralitetin e qeverisë dhe përdhosjen e ligjit, është i pezmatuar se vendin e tij në pushtetin e ri po e zë Aleksandër Frangaj, i cili deri dje ishte bashkëpunëtor i Sali Berishës.

“Në rastin konkret, unë jam marrë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, jo se janë fajtorë pse Frangaj ka zaptuar një tokë, ka kapur shtetin e Berishës, ka ndryshuar brenda ditës planin rregullues dhe i ka hapur rrugë marrjes së lejes nga një kryekomunar socialist. Jam marrë me qeverinë, pasi kam luftuar që këta të vijnë në pushtet për të vendosur drejtësinë, parimet e së drejtës dhe t’i shkojnë deri në fund korrupsionit të prodhuar nga pushteti i Sali Berishës. Në këtë pike, ajo që thotë Frangaj për mua është e vërtetë. Edi Rama meriton të gjobitet për këtë që ka bërë, por natyrisht jo ashtu siç i përfytyron Frangaj gjobat, në thesë plasmasi të zinj me lekë, por meriton të gjobitet si një paralajmërim për degradimin dhe më vonë humbjen e pushtetit për shkak të “Sandrave”. Dhe unë më shumë se kushdo tjetër jashtë çdo modestie, e kam këtë të drejtë ta gjobisë dhe ta paralajmërojë për këtë që po bën. E kam këtë të drejtë, kur kujtoj sesi filloi të degradonte në vitet e para pushteti i Berishës nga telefonatat qurravitëse të Sandrit qysh më shtatë të mëngjesit, që t’i lija një kafe me Doktorin ku të ishte dhe Fevziu. E kam këtë të drejtë kur kujtoj se çdo kafe e tij me Berishën, ishte një kërkesë për një copë tokë tek TV Klani, për një leje, për një repart ushtarak, për një metër katror më shumë në Kinostudio, për pronat e Fevziut në Kodrat e Lalzit që kanë rrëshqitur dy km në det, duke varrosur bashkë me ligjin dhe gjyqtarin Konomi, për shqetësimin që Fevziu dhe Sandri kishin pse ministrat e Berishës i përgjigjeshin në telefon Tanit të Topit, për vendosmërinë e Frangajt t’i tregonte Berishës dhe ku i fshihte “Lori Kafe” thasët me kafe, e deri tek banalitetet e tij si ia kishte dhjerë Ramës, Fevziu, duke i thënë “b..q..” dhe që s’do shkelte më në TV Klan sa të ishte gjallë”.

BLENDI FEVZIU
Dje në një analizë ka reaguar dhe Blendi Fevziu, i cili u tregua elegant në mbrojtjen që i bëri Aleksandër Frangajt ndërsa citon parime gazetarie, i shkruan kolegut Andi Bushati se kryeministri po e fut nën sqetull dhe nuk po fokusohet tek aferat e qeverisë.

“Bushat, unë dhe ti kemi mëkatet tona. Po i kemi. Ti mund të më thuash mua se nuk kam dhënë qëndrimin tënd për Lagunën Blu. Unë mund të të pyesja përse në gjithë këto ditë nuk ke asnjë shkrim dhe asnjë lajm për tenderin e Dializës?! Madje as kur e denoncon Jozefina Topalli? Përse në një moment nuk shkruajte asnjë rresht për Fullanin, madje edhe kur e dije situatën e tij?! Përse nuk u shkruajt asnjë rresht për kompanitë e tjerë që mblidhnin borxhet e CEZ veç DIA? Përse nuk the asnjë gjë për kompanitë e interkonjeksionit, edhe kur një gazetare shumë e njohur e OPINION u konfliktua? Këto kam parë unë dhe mund të ti rendisja. Por se kam bërë se më është dukur pa sens. Gazetaria nuk bëhet me ca detaje që mund të bjerren edhe nga mungesa e profesionalizmit apo ajo e vëmendjes, por nga thelbi! Kthehemi tek Thelbi.

Më flisje për qëndrimin që duhej të mbaja unë si gazetar. Ti dhe Frangaj keni qenë miq përpara meje, keni një raport tuajin dhe mua s’më takon të futem në mes. Më takon vetëm t’ju jap të njëjtën hapësirë edhe pse më vjen keq që e gjitha shkoi në këtë drejtim. Tani po i kthehem gazetarisë”.

ANDI BUSHATI
Kundër afrimit të Ramës me Aleksandër Frangaj është pozicionuar dhe analisti Andi Bushati. Ai ka zënë një pozicion komod, duke kritikuar të gjithë që i dolën përpara në cështjen me Lagunën Blu. Duke replikuar me Bazen, ai shfaq qëndrimet e tij ndaj Aleksandër Frangaj etj.

“Me siguri që Mero e mban mend se si Klani hapte dhe mbyllte lajmet duke nxirë Edi Ramën. A e ka parë më ta bëje sot? Me siguri që Mero nuk i ka harruar kronikat që përshkruanin një shef opozite axhami në politikën e jashtme. A e vuri re atë pyetjen që iu bë Merkelit për kryeliderin e Ballkanit? Me siguri Mero e ka në kujtesë black out-in e zgjatur për Gërdecin dhe atë kronikën që vërtetonte se të vdekurit e 21 janarit u goditën nga turma. A i ka dëgjuar ti përmendë më Klani përsëri?

Këtu pra ndahem unë nga Mero Baze, sepse unë nuk e shoh problemin më të madh tek Frangaj, por tek Berisha dje dhe Rama sot. Sepse, ndryshe nga ai, unë vazhdoj të mendoj se ata që zvarriten për të shërbyer, janë gjithnjë një e keqe më e vogël sesa ata që kanë pushtet dhe pranojnë t’i përdorin.”

FATOS LUBONJA
Debati nuk lë pa përfshirë dhe Fatos Lubonjën. Në vorbullën për ‘Lagunën Blu’, Lubonjë vë theksin te Edi Rama duke thënë se, kryeministri nuk është zgjidhja e problemit, por pjesë e problemit.
“Para dy vjetësh, kur jam pyetur se kush do të qe më mirë të fitonte zgjedhjet e vitit 2013 kam bërë një arsyetim që disa e morën me qesëndi: nëse fitonte Berisha, shqiptarët do të humbnin edhe katër vjet me shpresën se, kur të vijnë këta të tjerët, gjërat do të ndryshojnë, kurse po fitoi Rama do të ndërgjegjësohen më shpejt se këta nuk janë zgjidhja, por pjesë e problemit, prandaj ndoshta do të fillojnë të kërkojnë zgjidhjen e vërtetë.

Nuk e kisha menduar se qeverisja Rama do të punonte kaq shumë për ta përmbushur sa më shpejt parashikimin tim. Por kjo historia e lejes dhënë Sandrit dhe Samir Manes për të ndërtuar në Qerret, buzë detit dhe e lejes tek Parku përballë Ekonomikut në Tiranë që mbahet sekret se kujt i është dhënë, por zëra të mirëinformur flasin se rrotull tyre duhet ta kërkojmë lejemarrësin – duke pasur parasysh se kjo dyshe ishte paraqitur nga Rama dhe të tijtë si emblema e lidhjeve korruptive të Berishës me biznesin dhe mediet – sikur e mbushi kupën e bindjes se gjërat me Ramën po vashdojnë atje ku i la Berisha, veç duke precipituar edhe më shpejt. Dhe nuk e kam fjalën se u ndërgjegjësuan banorët e Lagunës Blu të Qerretit, shumica e të cilëve, sipas meje, kanë qenë kaherë të ndërgjegjësuar për kuptimin e vërtetë të përshëndetjes “Të fala Sandrit” që Rama i drejtonte këtij me gazetarët. E kam fjalën për njerëzit që po e ndjekin ngjarjen nga jashtë gardheve të Lagunës Blu historinë.”

ALEKSANDER FRANGAJ
I heshtur nuk ka qëndruar as Aleksandër Frangaj. Në një intervistë për “Opinion.al”, Frangaj sulmon gazetarët Mero Baze dhe Andi Bushati.
“Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjme me një xhelozi ndaj meje që udhehiqet nga gjysëm lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjerane që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimore” që fusha kërkojnë por fusha nuk duan, zhgarravisin dhe i bëjnë presion Kryeministrit të pengojë mua që të ndërtoj në pronen time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kanë sulmuar po këtë Kryeministër apo dhe Kryeministrin e mëparshëm pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë se kërcënuari Edi Ramën që ai të përdore pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn në këmbim të mbeshtetjes, në të kundërt betohen se do të jenë kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronen time nuk e prekin dot!

Këta gjobvënës, që nuk mbajnë as kapucë të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojne se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të sukseshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revisten më të madhe në Shqiperi dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri e ndër shqiptare.

Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si deshtakë kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.

Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qenë bindja ime në vendimet e mia. Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogel. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit Top Channel, dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo rracë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë, vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh apo spitalesh”

ANDI BEJTAJ
Kapakun të gjithëve ua vë, Andi Bejtaj. Ja shkrimi me një mesazh që ua faturon të gjithë kolegëve analistë të përfshirë në debatin për Aleksandër Franga, Edi Ramën, Sali Berishën dhe inatet mes tyre.

Laguna Blu/Hani m… që gatuat
Ajo që po ndodh me “Lagunën Blu” në Qerret, ku zyrtarisht si rrallëherë në botë, banojnë në një vend edhe e ashtuquajtura elitë intelektuale. edhe oligarkët financiarë, (më shumë si një plotësim ëndrre i bllokut të vjetër komunist) është një pasqyrë e mirë, që shqiptarët të kenë mundësi ta shohin ajkën e tyre të qumështit jo vetëm nga sipër kusisë, por këtë herë dhe nga poshtë. Kam parë shumë komentues racionalë nëpër rrjeteve dhe faqeve të ndryshme online që thonë se nuk i ha meraku për ç’po ndodh në lagjen me emrin “Laguna Blu”, pasi tendenca për zaptime me leje a pa leje kanë ndodhur dhe ndodhin në dhjetëra lagje të thjeshta të Shqipërisë.

Për shqiptarët e thjeshtë, në fakt, kjo nuk është një ngjarje lagjeje, por një ngjarje Shqipërie. Ajo u bë e tillë, pasi kjo përplasje për shkak të banorëve mediatikë, u kthye më shumë në një përplasje gazetarësh.

E para që të bie në sy lehtësisht është mllefi i pazakontë, fjalori i ulët, fyerja ndaj njëri- tjetrit, aq sa një kolegu i tyre i përbashkët, pronari i gazetës ‘Koha Jonë’, Nikollë Lesi, duke botuar një shkrim për këtë ngjarje në gazetën e tij, në titull kishte mitralozë, predha e raketa, si të përshkruante një sulm Hamasi.

Konkluzioni i parë dhe më i dukshmi për shqiptarët jashtë Lagunës Blu, se klasa politike, ajo që ne e anatemojmë vazhdimisht për këtë gjendje që po kalojmë, të duket shumë më me nivel dhe shumë më etike se kjo klasë gazetarësh e pronarësh mediatikë, që drita blu e lagunës ia ndërroi shpirtin, zemrën dhe skutat e mendimeve.

Ndërsa për mua personalisht, si njeri afër kësaj lagune për shkak të profesionit dhe jo si banor I saj, është deprimuese të shikoj se si kolegë, miq të dikurshëm me njëri- tjetrin, pjesëtarë të gëzimeve personale të njëri- tjetrit, pjesëtarë të sukseseve në karrierë të përbashkët me njëri- tjetrin dhe gjithashtu ,dua ta theksoj, bashkëluftëtarë në front të shumë presioneve të ligjshme e të jashtëligjshme ndaj shtetit për të gëzuar jetën në këtë Lagunë, të përfundojnë në këtë derexhe. Dhe në fakt dua ta pranoj publikisht se këtë që po ndodh sot në Lagunën Blu, miku im Fatos Lubonja e kishte paralajmëruar me kohë dhe këtu nuk kishte parasysh se e gjitha kjo do të vinte nga tendenca zaptuese e një oligarku. Le të jemi të ndershëm me veten dhe me të gjithë.

Kjo histori pavarësisht si po paraqitet në media, nuk është një tragjikomedi vetëm me një personazh negativ, Aleksandër Frangaj. Kjo histori fillon atëherë, shumë vite më pare, kur këto të ashtuquajtura fshatra turistike u ndërtuan për të zhvilluar turizmin, pra jo për t’u shitur si pronë, por për t’u lënë me qira gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të zhvillohej e gjithë zona, që të kishte transport publik që do të sillte shqiptarët apo të huajt: që të kishte restorante e bare përreth: që të zhvillohej bujqësia në zonat rrotull: që të ngriheshin sera për të furnizuar banorët që do vinin e do iknin: që të kishte me dhjetëra e qindra shërbime, pra përveç të tjerave të punësoheshin dhe dhjetëra e qindra njerëz. Ky qe qëllimi dhe strategjia e ndërtimit të këtyre fshatrave turistike e jo t’i shiteshin si pronë një njeriu, që në shumë raste jo vetëm nuk shkojnë gjithë vitin, por dhe nuk shkelin vite me radhë. Është pikërisht ky deformim i kapitaizmit, i tregut kapitalist, dhe në të njëjtën kohë dëshira komunisto-provinciale për të jetuar si ish- bllokmenë, që jo vetëm i privoi këto zona nga një zhvillim i madh, jo vetëm i hoqi buxhetit të shtetit të ardhura të konsiderueshme, por dhe arsyeja kryesore që Laguna Blu po shndërrohet në Kënetë Gri të së ashtuquajturës Elitë Shqiptare dhe Oligarki Shqiptare.

Dhe pikërisht në atë kohë kur ndodhte kjo, shumë nga këta që sot janë në luftë të hapur me njëri -tjetrin apo dhe me Sandrin, merrnin 20 herë në ditë Sandrin apo oligarkë të tjerë: Hë mo ca u bë, hë mo burrë fol noi çik u ndërrua ligji, do i marrim shpitë atje. Janë po këta që fyhen me njëri- tjetrin sot se si kanë parë dhe “elitarë” të tjerë brenda Lagunës që kanë bërë njëri pas tjetrit shtesa pa leje ose ‘me leje’, po duke thyer çdo rregull dhe çdo hapësirë dhe nuk kanë folur asnjë fjalë publikisht, përkundrazi, në darkë mund të jenë mbledhur te baçja e shtëpisë së Sandrit dhe janë ankuar për Bathoren. Konkluzioni: po gatove m…m….do hash dhe m…. do gjuash.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb